Nga Carlo Bollino/

“Të fala Karletos.” Mjaftoi kjo fjali, me atë buzëqeshjen e tij ironike dhe duart e lidhura me pranga, për të forcuar dyshimet e Sali Berishës ndaj meje, dhe për ta bërë të më urrejë për gjithë jetën. Ishte korriku i vitit 1995. Unë jetoja në Tiranë prej dy vitesh, dhe presidenti Sali Berisha e kishte vendosur tashmë sëpatën e tij të hekurt mbi gjithë vendin, duke marrë nën kontroll të plotë edhe sistemin e drejtësisë. Ai e quante këtë demokraci, por në të vërtetë nuk kishte asgjë demokratike, përveç emrit që kishte vënë partisë së tij. Lideri i vetëm vërtet demokratik në atë kohë ishte Fatos Nano, ndaj Berisha vendosi ta eliminonte.

Fatos Nano, i cili kishte qenë kryeministri i fundit i një Shqipërie komuniste dhe i pari i një vendi pluralist, përfaqësonte krahun më liberal dhe të moderuar të ish-Partisë së Punës, e cila sapo ishte rithemeluar me emrin Partia Socialiste. Vetëm një vit pas formimit të qeverisë së parë të Partisë Demokratike, Nano, atëherë udhëheqësi i opozitës së re, përfundoi në burgjet e doktorit. Arrestimi i tij u krye nga Fatos Dervishi dhe nga Genc Gjokutaj, një prokuror i ri i Tiranës, që menjëherë u vu në shërbim të Berishës, dhe që sot ne fakt (2025) është avokati i tij mbrojtës.

Më 30 korrik 1993, Nano u arrestua me akuzën për korrupsion në një çështje që në atë kohë u quajt “skandali i ndihmave italiane”. Ishte fjala për një ngarkesë ndihmash humanitare me vlerë 20 miliardë lireta, dhuruar nga qeveria italiane për atë shqiptare (në kohën kur qeveria drejtohej nga Nano) përmes kompanisë “Levant Co” nga Bari, e afërt me Partinë Socialiste Italiane dhe me disa lidhje të dyshimta edhe në Shqipëri. Edhe prokuroria e Romës hapi një hetim për këtë çështje, i drejtuar nga prokurorja Evelina Canale, por në Itali, pas verifikimeve të gjata, çështja u mbyll dhe të gjithë u shpallën të pafajshëm. Në Tiranë, me të njëjtat dokumente dhe për të njëjtën çështje, Fatos Nano u dënua me 12 vite burg. Në trupin gjykues që e dënoi, bënte pjesë edhe Gjin Gjoni, sot deputet i Partisë Demokratike i mbështetur nga Sali Berisha.

Ishte 30 qershori i vitit 1995, saktësisht dy vite pas arrestimit të Nanos, kur në redaksinë time në Tiranë mbërriti lajmi se hetimet në Itali kishin përfunduar me konkluzionin se nuk kishte pasur asnjë abuzim. Sali Berisha kishte nisur prej kohësh të kërcënonte jo vetëm politikanët e opozitës, por edhe gazetarët. Edhe unë vetë isha bërë objekt i një fushate të egër mediatike dhe përjetoja një linçim publik që ai e përdor edhe sot si metodë, jo vetëm ndaj meje. Faji im, atëherë si sot, ishte që konsiderohesha një gazetar tepër i pavarur.

Lajmi që në Itali “skandali i ndihmave për Shqipërinë” ishte mbyllur, ishte një ”bombë” për Tiranën, ku pikërisht ato ditë po zhvillohej nje procesi i apelit për Fatos Nanon: një proces i manipuluar nga Berisha, i cili si çdo diktator donte t’u jepte abuzimeve të tij një fasadë ligjshmërie. Menduam gjatë në redaksi se çfarë të bënim me atë lajm, të vetëdijshëm për rrezikun. Por në fund, si gjithmonë, bashkë me kolegët e mi shqiptarë vendosëm se e vërteta duhej botuar. Ne data 2 korrik e publikuam në faqen e parë të “Gazeta Shqiptare”, me pak rreshta dhe me titullin: ““Italia mbyll hetimet për ndihmat”. Vetëm ne e kishim këtë si lajm.

Gjyqtarët e apelit prisnin udhëzimet e Berishës për vendimin ndaj Nanos, por ai, si gjithmonë, u tregua pa mëshirë. Nano-s iu refuzua lirimi, megjithëse sipas kodit të ri ai e meritonte një shkurtim të dënimit. Ishte në dalje të sallës së gjyqit, kur, duke parë gazetarët e mi, Fatos Nano më drejtoi atë përshëndetje: “Të fala Karletos.”

Fatos Nanon e kisha takuar vetëm dy herë para arrestimit të tij, por fryma e tij liberale, italishtja e rrjedhshme dhe hapja mendore e tij pa komplekse edhe ndaj të huajve, kishin krijuar mes nesh një marrëdhënie të sinqertë, sado sipërfaqësore. Nuk isha miku i tij, as nuk ndihesha politikisht pranë tij, por ishte e bukur dhe befasuese mundësia për t’ia thënë këtë pa rrezikuar asgjë. Ajo thirrje “Karleto” (Carletto në italisht përdoret me përkëdheli ndaj më të vegjëlve me emrin Carlo) tregonte një simpati që as vetë nuk e kisha menduar, ndoshta i isha dukur më i ri nga sa isha në të vërtetë.

Por për mendjen paranojake të Sali Berishës, të fiksuar pas “grupeve armiqësore” (një fiksim tipik stalinist i trashëguar nga Enveri), ajo shprehje miqësore e bërë publikisht u duk si prova e një komploti të rëndë. Në mendjen e tij të deformuar, edhe publikimi i atij lajmi, që për mua ishte vetëm një detyrë profesionale, për Berishën ishte pjesë e të njëjtit komplot. Kontrasti mes mbylljes së hetimeve në Itali dhe dënimit në Shqipëri për të njëjtën çështje ishte domethënës, por jo më shumë se kaq. Megjithatë, në veshët e Berishës, tingëllonte si një kërcënim i rrezikshëm për imazhin e tij si politikan reformator e demokrat që donte të sajonte. Me kalimin e kohës do të zbuloja se artikulli im në fakt rrezikonte të nxirrte në dritë një mashtrim shumë më të rëndë që Berisha dhe gjyqtarët e tij kishin kryer. Nga mbi 3.000 faqet që përbënin dosjen italiane, e cila ishte mbyllur me arkivim, prokuroria e Tiranës kishte veçuar vetëm 300, duke hequr të gjitha ato që provonin pafajësinë e Fatos Nanos dhe të hetuarve italianë. Po të ishte zbuluar kjo, mund të kishte shpërthyer një skandal shumë më i madh, sepse pikërisht ato ditë diskutohej anëtarësimi i Shqipërisë në Këshillin e Europës, një ngjarje e jashtëzakonshme për imazhin demokratik të vendit që Berisha po përpiqej të ndërtonte.

Mbaj mend ceremoninë e organizuar për të festuar anëtarësimin në ish-pallatin mbretëror të Durrësit: isha i ftuar, por rreth meje mbretëronte akulli. Njerëzit e Sali Berishës, përfshirë ata që deri atëherë kishin ruajtur me mua një marrëdhënie minimale, më mbanin në distancë sikur të isha i infektuar nga murtaja. “Italiani Karleto” nuk ishte më i mirëpritur nga despoti i ri demokratik. Pas disa ditësh, u shpalla person “non grata”. Lideri i opozitës shqiptare qëndroi në burg edhe për dy vite të tjera, derisa u lirua jo me dëshirën e Sali Berishës, por pas revoltave të shkaktuara nga falimentimi i firmave piramidale, një tjetër krim për të cilin Berisha nuk ka paguar kurrë.

Fatos Nano ka qenë i burgosuri i parë politik në demokracinë e re shqiptare, siç është njohur nga shumë organizata ndërkombëtare, përfshirë Amnesty International. Ta kujtosh në ditën e vdekjes së tij është një detyrim për t’i bërë nder një pjese të historisë sonë dhe për t’u kujtuar atyre që bëjnë sikur nuk e dinë se kush ka qenë në të vërtetë Sali Berisha, ai që sot paraqitet si viktimë e drejtësisë dhe simbol i lirisë, ndërkohë që ka kurajën edhe ta lavdërojë Fatos Nanon me një cinizëm të turpshëm.

E kam njohur më mirë Fatos Nanon në vitet pas lirimit të tij, dhe megjithë padrejtësinë që pësoi (padrejtësi që ndoshta ndikoi edhe në sëmundjen e tij), nuk e dëgjova kurrë të shprehej me urrejtje apo dëshirë për hakmarrje. Një nga meritat më të mëdha të Nanos ishte pikërisht kjo: në një vend të mbushur me mllef e hakmarrje, ai nuk gjykonte dhe nuk urrente, sepse nuk kishte frikë të tregonte se edhe vetë ishte mëkatar. E kundërta e plotë e Sali Berishës, persekutorit të tij, i cili pas më shumë se tridhjetë vjetësh është ende këtu, duke urryer e gjykuar të gjithë, i persekutuar nga nevoja për të fshehur mëkatet e veta.