Nga Ardit Rada

Nuk më pëlqen të shkruaj elegji për politikanët që ikin, aq më tepër kur nuk kam lidhje personale e sentimentale me ta. Shumë prej tyre janë rritur nga mediat dhe po aq janë rrëzuar nga to. Por në ditën e homazheve për Fatos Nanon, ndjej se është e pamundur të qëndrosh indiferent. Jo sepse Nano ishte i përsosur. Askush që ka udhëhequr një vend në kaos nuk mund të jetë! Por sepse ishte i fundit që e kuptoi se politika është garë, jo pronë. Dhe kjo, si askush tjetër në politikanët, që erdhën pas tij.

Kujtimet më lidhin me të si ish-nxënës i shkollës “Hoxha Tahsin”, ku banesa e familjes Nano ishte vetëm 20 metra larg dritares së klasës time. Në periudhën kur ndodhej në qeli, isha dëshmitar prindërve dhe gruas së tij që hynin e dilnin plot ankth, por edhe i gëzimit kur doli nga burgu i Sali Berishës. Madje aq njerëz u mblodhën atë ditë saqë makinat përdorën oborrin e shkollës, ku spikaste ajo e Viktorit që numëronte armët në bagazhin e hapur. Për ta mbrojtur Nanon nga Berisha e nga bandat e tij.

Por jo vetëm kaq. Me të më lidh edhe një kujtim në vitet e gjimnazit kur studioja tek “Asim Vokshi”. Mund të ketë qenë 5 Maji i 2002-shit, vite kur PS me porosi të Nanos dhe me detyrim statuor respektonin ende LANÇ, veteranët dhe dëshmorët e antifashizmit. Si ditë me orar të reduktuar na dërgonin për homazhe te Varrezat e Dëshmorëve për 5 Majin, dhe nisja bëhej me autobusë urbanë nga ata që qëndron në këmbë, nga stadiumi “Qemal Stafa”, fiks para hyrjes qendrore. Në autobusin tonë të mbushur me nxënës dhe qytetarë të rastësishëm hipte Fatos Nano, Musa Ulqini dhe Halil Lalaj. Këta të fundit, zyrtarë të lartë të PS-së në atë kohë. Unë, pa e vënë re praninë e tij, thashë me zë të lartë se: “Paska dhe gra të pavarura socialiste.” Dikush m’u kthye duke kafshuar buzën se pas ke dikë. Ishte Fatos Nano që më pa në sy kur ktheva kokën, buzëqeshi dhe tha me qetësi: “Shumë mirë e the, të pavarura dhe socialiste”, dhe nisi të qeshë me të madhe me Ulqinin e Lalajn teksa mbaheshin tek tubi i autobusit. Ishte një çast i vogël, por që sot, në retrospektivë, më duket shumë domethënës. Ishte një qeshje që vinte nga një njeri që e kuptonte ironinë, por nuk e trembte ajo. Nga një kryeministër që hipte në autobus pa qenë periudhë fushate.

Fatos Nano ishte kryetari i PS që në tribuna kishte oratorë Kadri Roshin e Violeta Manushin. Jo artistët banalë të sotëm që ku i gdhin dita nuk i ngrys nata dhe marrin miliona për mitingje. Ai nuk e kërkonte adhurimin e verbër, por pranonte shpotinë si shenjë lirie. Ishte një filozofi e të menduarit ndryshe, që më pas u kthye në thelbin e “rrugës së tretë” që përqafoi Partia Socialiste e Edi Ramës kur njohu Barack Obamën dhe Tony Blair.

Fatos Nano nuk ishte thjesht kryeministri i disa qeverive. Sepse për ata që s’e mbajnë mend, në 8 vite e ndau zyrën e Kryeministrisë disa herë me Ilir Metën e Pandeli Majkon. Kjo gjë nuk kishte ndodhur kurrë më parë apo më pas. As kur kryeministrat pasardhës qaheshin edhe publikisht se ishin të lodhur, por po rrinin pa gjumë për të mirën e popullit. Këtë model as e pamë dhe me gjasë s’do ta shohime për disa vite.

Nano ishte i pari që foli për demokraci në një vend ku shumë besonin se demokracia ishte e kundërta e socializmit. Ai sqaroi me shembullin e tij se ka socialistë kapitalistë sikundër na faktoi me pasardhësin e tij se ka edhe demokratë diktarorë. Në këtë kuptim, Nano ishte më shumë se një politikan: ishte një tranzicion më vete. Nga e kaluara monolitike drejt një të majte që fliste për treg, për pluralizëm, për të drejta individuale. Ai i ndryshoi faqen Shqipërisë së viteve ’97-’98, kur vendi ishte rrëzuar në humnerën e “piramidave” dhe dhunës civile. Ishte Nano që riktheu gjakftohtësinë, që solli stabilitet institucional, që e ktheu PS-në në një parti qeverisëse evropiane.

Dua të jem i sinqertë. Edhe unë kam qenë ndër ata që i dilnim përpara me protesta, me pankarta dhe kërkesa që sot më duken naive. “Pse ishte në Greqi kur vdiqën disa minatorë në Selenicë?” apo “Pse buxheti i arsimit ishte 4% e jo 4.5%?”. Këto argumente ishin kulmi i akuzave ndaj kryeministrit Fatos Nano. Ne kërkonim llogari, dhe kjo ishte e drejtë. Por, 20 vite më vonë, ndjej keqardhje sepse më pas erdhi një periudhë ku “llogaria” nuk bëhej më me shifra, por me jetë njerëzish.

Erdhi Gerdeci, ku shpërthimi vrau 26 vetë dhe plagosi dhjetëra të tjerë. Erdhi 21 Janari, ku u vranë katër qytetarë të paarmatosur para dritareve të qeverisë. Erdhi një epokë ku vjedhja u bë doktrinë që e mbronte ligji e s’na bënte më përshtypje. Dhe në atë pikë, të gjithë ne që kishim protestuar kundër Nanos për salltanete, mbetëm pa zë. Sepse e kuptuam vonë se sa e hollë është vija që ndan lirinë nga anarshia dhe demokracinë nga autokracia.
Nano nuk e kishte frikë humbjen dhe kjo është cilësi e rrallë mes politikanëve shqiptarë. Ai ishte i fundit që e kuptoi se udhëheqja nuk është zotërim, por përgjegjësi që duhet ndarë.

Në kontrast me atë që ndodhi më pas, ku partitë u kthyen në prona personale, me liderë që s’e imagjinojnë dot një garë të vërtetë, Nano mbetet një figurë që mund të mos e duash, por duhet ta respektosh. Sepse politika në fund matet me standardin që lë.

Sot, kur ai nuk është më, nuk ka kuptim të flasim me tone nostalgjie. Por ka kuptim të reflektojmë. Ai ishte njeri me dritë dhe hije, me dobësi dhe ego, por në thelb ishte i lirë. Dhe kjo e bënte të rrezikshëm për të gjithë ata që e donin politikën si pronë të tyre.

Nëse do të duam ta nderojmë me ndershmëri, mësimi nga jeta e Fatos Nanos nuk është thjesht “të kujtojmë të kaluarën”, por të mos pranojmë më partitë që s’kanë garë, qeveritë që nuk japin llogari, apo liderët që duan të rrinë përjetë.

Fatos Nano e kuptoi se pushteti është i përkohshëm, por respekti është i përjetshëm. Ne, për fat të keq, këtë mësim e kuptuam vetëm pasi ai iku. Mirupafshim në “stacion”!