Dokumente dhe komunikime të reja hedhin dritë mbi përpjekjet e rrjetit të Fethullah Gülen, pas tentativës së dështuar të grushtit të shtetit të 15 korrikut 2016 në Turqi.
Vetëm pak ditë pas ngjarjes, më 5 gusht 2016, avokati amerikan i Gülenit, Reid Weingarten, i ka dërguar drejtpërdrejt Jeffrey Epsteinit një artikull pozitiv të publikuar në Wall Street Journal, duke vënë në kopje edhe një prej figurave kryesore të FETÖ-s, Yüksel Alp Aslandoğan.
Ky veprim shihet si një përpjekje e qartë e rrjetit për të aktivizuar lidhjet e tij të fuqishme në SHBA në një moment kritik, kur Ankaraja po kërkonte me urgjencë ekstradimin e Gülenit, të cilin e konsideronte arkitekt të organizatës terroriste FETÖ dhe ideator të puçit të dështuar.
Komunikimi i zbuluar tregon se struktura e Gülenit nuk e kufizoi lobimin vetëm në kanale politike apo ligjore, por kërkoi mbështetje edhe te individë me ndikim të madh dhe rrjete joformale të pushtetit në SHBA.
Përfshirja e Epstein – një figurë tepër e kontestuar, por me lidhje të gjera në botën financiare, politike dhe akademike – sugjeron se rrjeti po përpiqej të siguronte çdo mundësi ndërhyrjeje ndërkombëtare, qoftë edhe jozyrtarisht.
Në atë periudhë, marrëdhëniet mes Turqisë dhe SHBA-ve ishin të tensionuara, me Ankaranë që i kërkonte Washingtonit veprime të menjëhershme për ekstradimin e Gülenit.
Përpjekjet e FETÖ-s për të ndikuar në opinionin publik amerikan, por edhe te individë me peshë prapa skenave, tregojnë nervozizmin e strukturës dhe intensitetin e betejës ndërkombëtare që nisi menjëherë pas grushtit të dështuar.
Ky episod zbulon një tjetër dimension të mënyrës se si FETÖ kërkonte mbështetje dhe ndikim në SHBA në çastet më të ndjeshme politike, duke synuar të formësonte narrativën dhe të siguronte mbrojtje ndërkombëtare për liderin e saj.




















