Dita nuk është larg. Por nuk dihet se në cilin 21 Janar, në vitin 2026 apo në 2036. Tregu ka nisur qysh herët, ndoshta aq herët sa nuk ka as datë. Njësoj si në disa objekte historike ku nuk ka datë fillimi.
Edhe 21 Janari do të hyjë në histori, por atëherë nuk ka pse e blen kush. Sot shitet dhe blihet, më vonë është vonë. Fusha e shitblerjes është bërë gati. Të gjithë janë gati.
Mungon vetëm populli, skiç i thonë grupimeve njerëzore të interesuara për punët e veta. Populli, të paktën kësaj here, nuk ka pse akuzohet nga politika se ‘nuk i zbulon’ vrasësit e katër qytetarëve në oborrin e kryeministrisë. Ka ndodhur që rëndom, politika, akuzon popullin si ‘i paaftë’, ose ‘jo demokratik’. Kësaj here janë fshirë shumë gjurmë, populli nuk ka kohë të lërë punët e veta dhe të niset të bëjë punët e paguara si në gjykatë, në ekspertiza, në arkiva, në Amerikë apo në varre. Aristoteli thoshte se mos ia kërkoni popullit të qeverisë, se atëherë çfarë? Atëherë bujku do të ndalë parmendën dhe do të niset me pushkë në krah për të mbrojtur vendin ose në gjykatë për të dhënë drejtësi…
Kjo nuk shkon më. Populli e ka paguar çmimin e vet. Pazari për 21 Janarin ka nisur në burgje dhe në varre.
I pari ka nisur të nxirret nga varri dhe të varroset prapë Dritan Prifti. Dritani ishte ministër në qeverinë Berisha. Atëherë i ndodhi që Ilir Meta, nën kryeministër, t’i shkonte në zyrë, në shtëpi e kudo dhe t’i kërkonte ‘haraçin’ si ministër. Haraçi ishte mijëra, mos miliona, euro në javë. Këto do të grabiteshin nga tenderët ose nga favore të tjerë. Ministri e regjistroi në video nën kryeministrin duke marrë 700 mijë euro në një dorë. Kjo u bë shkak që mijëra qytetarë, në 21 Janar 2011, të ngriheshin në protestë para kryeministrisë. Katër prej tyre u vranë, ndërsa mbi 100 u plagosën me armë.
Dje, ish kryeministri dhe i akuzuari kryesor për vrasje, u shfaq kundër Dritan Priftit. E zhvarrosi ish- ministrin, tha se ‘më ka shantazhuar duke më prurë videon ën zyrë’. E paketoi për ta varrosur përjetë. Sipas tij varroset dëshmia. Atëherë protesta del se ishte një marrëzi e popullit, por nuk ka arsye. Me këtë rast, Berisha i bëri një shërbim edhe aleatit të tij, Meta, i cili ndodhet në burg për arsye korrupsioni. Domethënë për arsyen që ka denoncuar Dritan Prifti. Berisha varros Dritanin dhe nxjerr nga ‘varri’ Ilir Metën. Çmimi i këtij akti është i lartë. Çmimi është të lajnë duart vetë Berisha dhe Meta nga vrasja shtetërore, që ishte edhe vrasje në masë.
21 Janari do të bëjë amnisti për krime më të hershme. Po dje, ish kryeministri i 21 Janarit, i ngarkuar publikisht si projektues dhe urdhër- dhënës për vrasjen e protestuesve me dorën e shtetit, ndërroi kuajt. Në vend të Lulzim Bashës si ‘tradhtar’ i familjes dhe Partisë, shalën e tij e hoqi duke e quajtur si kalë ‘i pa fajshëm’. Basha ka qenë ministër i Punëve të Brendshme; qytetarët u vranë o nga Berisha- Basha, o nga zoti.
Askush tjetër nuk akuzohet. Mbrojtja që i bëri Bashës dje është njësoj si po mbronte ‘djalin mbi shpirt’, domethënë bashkëpunëtorin në vrasje. E gjitha është ‘më jip të të jap’. Berisha ka kuptuar se Basha nuk e tradhton dhe nuk e ka treguar të vërtetën para hetuesit. Këtë e paguan me dosjet e luftës në Kosovë ku u gatuan shpifjet se UÇK ishte ushtri terroriste dhe se ka bërë tregti organesh njerëzore në shtëpinë e verdhë në Mat. Autorë ishin Basha dhe Argita. Pastaj me dosjen e 200 milionë euro të Rrugës së Kombit. Të gjitha këto dosje janë në duar të Berishës. Deri tani janë shitur disa herë, ndoshta edhe jashtë Shqipërisë, ku nuk i kanë qejf përparimet e vendit drejt Evropës.
SPAK-u është duke e vëzhguar lojën; jo si investigativ për të drejtën, por edhe ky kërkon ku do të dalë ndonjë gjë për vetë Spak- un. Pazari për 21 Janarin do të gëlltisë qeverinë e vendit.
Këtu ka hyrë në lojë të fortë vetë SPAK-u. Askush tjetër nuk mund ta bënte. SPAK- u shkarkoi nga detyra zëvendës kryeministren Balluku dhe e ka në dorë si ‘robinë’. Mund të shkojë edhe më lart, duke marrë fizionominë e një grushti shteti pa gjak nën okelion ‘Republika e Prokurorëve’.
Sipas planit të SPAK, mund të merret peng kushdo nga qeverisja dhe Parlamenti, me qëllim që mulliri i Drejtësisë të bluajë kockat e shtetit por të mos ketë kohë për 21 Janarin. Pamjet e tjera të SPAK, si organizatë ideologjike ose si ‘kapo e drejtësisë së re’, janë false. SPAK ka hyrë në pazar të fortë ku në njërën anë janë viktimat dhe në anën tjetër përfitimet. Berisha dhe Meta janë dy elefantë që edhe noçkat i kanë të fryrë me para. Të paktën tani e drejta nuk ka shpresë./Fjala




















