Një ftesë e pazakontë publike i është bërë shkrimtarit dhe Ben Blushi nga filmmaker-i Dario Haruni në rrjetet sociale, pas botimit të librit të tij të fundit “Jam mysliman”.

Nëpërmjet një publikimi në rrjete sociale, Haruni ka shpallur gatishmërinë për t’u përballur me Blushin në një debat publik, por me një sërë kushtesh të veçanta mes tyre, edhe kërkesa që autori i njohur të mësojë përmendësh 33 ajete nga Kurani dhe t’i interpretojë ato në mënyrë akademike.

“Ben Blushi, të ftoj në debat publik. Kushtet janë të thjeshta: të qëndrojmë në temën e caktuar, të përdorim argumente me referenca, dhe ti, përpara debatit, të kesh lexuar dhe interpretuar 33 ajete nga Kurani me përkthim akademik,” shkruan Haruni.
Ai ka shtuar se është i gatshëm t’i dërgojë Blushit përkthimet në versionet The Study Qur’an të Seyyed Hossein Nasr ose Kurani i Oksfordit nga M.A.S. Abdal Haleem.

Në listën e kushteve përfshihen edhe:

moderim nga një palë e tretë e paanshme;
përfaqësim i balancuar i publikut (25% jobesimtarë, 25% monoteistë jo-fetarë, 25% myslimanë dhe 25% të krishterë);
hyrje me biletë me çmim simbolik, ku të ardhurat e mbetura pas shpenzimeve të dhurohen për bamirësi;
ndalim i fyerjeve dhe shpërthimeve emocionale;
këndimi i himnit kombëtar përpara fillimit të debatit.

Sa i përket temës së debatit, Haruni sugjeron disa opsione, si:

“Kurani si model udhërrëfyes i Drejtësisë Shoqërore vs. alternativa jote mbi Drejtësinë Shoqërore”;
“Religjioni: i nevojshëm apo i panevojshëm për reformimin social-kulturor të Shqipërisë”;
“Islami: i përputhshëm apo i papërputhshëm me vlerat europiane.”
Haruni thekson se qëllimi është një përballje e civilizuar idesh mbi rolin e fesë dhe religjionit në shoqërinë shqiptare.