Nga Ermal Peçi
Në Shqipëri, e vërteta politike shpesh mbetet e fshehur nën atë që unë e quaj “Pushteti i Thashethemeve”: të gjithë e shohin, por pak guxojnë ta përmendin. Dokumentet e SPAK nuk lënë vend për dyshim: personi që kallëzoi për Tunelin e Llogarasë Belinda Ballukun ishte vetë Lulzim Basha, jo ndonjë “hero i ri opozitar” që shfaqet në rrjetet sociale dhe pretendon të marrë meritat e tjerëve apo rolin e gazetarit.
Por kjo e vërtetë nuk u tha, sepse u zhyt nën gardhin e propagandës, si të pushtetit, ashtu edhe të PD-së. Publikut i shitet një histori tjetër: se Balluku “ ka blerë deputetët e Bashës”, ndërkohë që askush nuk flet për faktin se kallzimi në SPAK u mundësua pikërisht nga Basha, që hapi portën për prokurorinë dhe lejoi nisjen e hetimit ndaj numrit dy të qeverisë.
Më cinike është loja me imazhet e heronjve: Gazment Bardhi shitet si ai që po lufton më fort Ballukun, ndërkohë që dokumentet tregojnë qartë se ai nuk kishte rol aktiv. Bardhi shkoi në SPAK vetëm pas një muaji, duke u përpjekur të marrë një pjesë të meritat që nuk i takonin. Berisha sëbashku me deputetët e tjerë të PD-së heshtën strategjikisht, duke mos guxuar të pranojnë se kallzimi origjinal nuk vinte prej tyre.
Mediat dhe propagandistët politikë e dinë shumë mirë si të krijojnë trillime, të shpikin heronj sipas skenarëve që i shërbejnë politikës dhe të manipulojnë opinionin publik. Ndërkohë, Basha vepron në heshtje, duke përdorur mjete penale dhe jo teatrin mediatik që shpesh nuk çon askund. Ai e di se lufta reale për të shkatërruar një sistem të tillë nuk bëhet me batuta, retorikë boshe apo gjysëm të vërteta , por me fakte dhe dokumente që nuk mund t’i falsifikosh.
Në këtë spektakël cinik, publiku mbetet i hutuar, legjendat mbushin ekranet, dhe dokumentet presin heshtur të flasin. Por kush lexon mes rreshtave e kupton qartë: Basha nuk ka shitur demokratët as qytetarlt dhe as kauzat e tyre por të tjerë janë ata që krijuan farsën mediatike dhe mashtruan publikun duke bërë pazar me demokratët dhe qytetarët. Në fund, historia politike nuk do t’i harrojë lojtarët e propagandës, ata që shfrytëzuan mashtrimet për të fituar pikë ; ndërsa ata që vepruan me përgjegjësi, edhe në heshtje, do të mbeten mbi kaosin dhe do të mbajnë mbi supe dinjitetin që askush nuk mund t’ua marrë.




















