Merr fund përplasja mes ish kreut të KLGJ-së, Naureda Llagamit dhe Gjykatës së Lartë për votimin për një vend në Gjykatën Kushtetuese. Vetë Kushtetuesja e cila u vu në lëvizje nga Llagami, rrëzoi sot kërkesën e saj për të kundërshtuar procedurën që çoi në emërimin e Asim Vokshit
Në votimin në Gjykatën e Lartë, Llagami mori 8 vota në favor, ndërsa pretendoi se në favor të saj do duhej të ishte konsideruar dhe një votë e cila u shpall e pavlefshme pasi përveç shenjës normale, kishte dhe një tjetër po në krah të emrit të saj.
Llagami në fillim iu drejtua Gjykatës Administrative por kërkesa iu rrëzua me pretendimin se është jashtë juridiksionit të saj. Pas polemikave të shkaktuara nga Llagami, Gjykata e Lartë reagoi duke thënë se procesi i votimit ishte zhvilluar sipas rregullave të përcaktuara. Ajo citonte nenin 12 pika 6 të Rregullores që “ndalon çdo shënim tjetër në fletën e votimit, përveç shenjës së përcaktuar”, si dhe nenin 13 pika “b” që përcakton pavlefshmërinë e votës, “kur në fletë janë bërë shënime në favor ose në disfavor të kandidatëve”.
Asim Vokshi, u shpall automatikisht si kandidatura e përzgjedhur, duke qenë se në vlerësimin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, ai ishte renditur i pari. Gjyqtari Vokshi, u vu ditët e fundit në shenjestër të sulmeve sipas të cilave KED, kishte anashkaluar një informacion të klasifikuar, që ngrinte dyshime se ai mund të ishte agjent i shërbimeve sekrete. Vokshi, por dhe KED i hodhën poshtë akuzat, ndërsa Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve foli për sulme personale dhe denigrime që cenojnë drejtpërdrejt dinjitetin, reputacionin dhe integritetin institucional të magjistratit.
Pas vendimit të sotëm, presidenti Bajram Begaj nuk mund të mbajë më pezull betimin e Vokshit, akt i cili do të shënonte dhe nisjen e mënjehershme të detyrës si anëtar i Gjykatës Kushtetuese.




















