Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Gonxhja së bashku me kryetaren e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako, dhe përfaqësues të Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, diskutuan për përgatitjet e sezonit turistik 2026 dhe menaxhimin e vijës bregdetare të qarkut.

Gjatë takimit u analizua situata e këtij sezoni turistik dhe u hodhën bazat për një plan të ri bashkëpunimi ndërmjet ministrisë dhe strukturave vendore, me fokus në menaxhimin e qëndrueshëm të plazheve publike.

Në diskutim u përfshinë zonat e Katundit të Ri, Ishmit, Hamallajt dhe Gjirit të Lalëzit, ku po punohet për rritjen e aksesit në plazhet publike, përmirësimin e shërbimeve, pastrimin, kujdesin dhe mirëmbajtjen e vazhdueshme të hapësirave bregdetare.

Gonxhja theksoi rëndësinë e hartimit të një protokolli të ri bashkëpunimi që do të garantojë standarde më të larta në administrimin e bregdetit dhe zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit në qarkun e Durrësit.