Menjëherë pas ngjarjeve tragjike në bulevardin qendror të Tiranës më 21 Janar, shumica në pushtet e kohës, e drejtuar nga Sali Berisha, duke justifikuar vrasjet në bulevard, foli për një përpjekje për grusht shteti, dhe ngriti një komision të posaçëm hetimor.
Më shumë se sa aktet që prodhoi ky komision, puna e të cilit mbeti e papërfunduar, për hetimet që po kryen SPAK-u, interes duket të kenë informacionet që komisioni mblodhi nga institucionet e tjera të sigurisë në vend, përfshirë shërbimet sekrete, e që mund të përfaqësojnë dokumente të klasifikuar.
Për këtë arsye Prokuroria e Posaçme i është drejtuar parlamentit me një kërkesë zyrtare, për të marrë të gjithë dokumentacionin e nevojshëm.
Hetimet për krimin shtetëror të 21 janarit nisën nga SPAK korrikun e vitit të kaluar, pas regjistrimit për veprat penale të vrasjes në rrethana cilësuese, e kryer në bashkëpunim, kundër dy ose më shumë personave dhe në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave, shpërdorim detyre dhe pengim të drejtësisë.
Ish ministri i Brendshëm Lulzim Basha, e më pas ish Kryeministri Sali Berisha janë dy figurat kryesore, edhe në atë ngjarje, që janë thirrur deri më tani për t’u marrë në pyetje.
Berisha u paraqit në SPAK tre ditë më parë, pasi dy herë me radhë u përpoq t’i shmangen fletëthirrjes. Ai sërish mbrojti plumbat e Gardës që vranë qytetarët e pafajshëm, kur deklaroi se kush proteston dhunshëm edhe mund të vritesh.
Po ashtu ai vijoi të konsideronte normale moszbatimin e urdhër arresteve të Prokurorisë së kohës ndaj oficerëve të Gardës, me arsyetimin se nuk mund të prekej zinxhiri i saj komandues.




















