Kreu i Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Altin Dumani, në një intervistë ekskluzive për emisionin “Trialog” në RTSH, në moderimin e Alba Alishanit, ka folur për herë të parë drejtpërdrejt për hetimin ndaj Zëvendëskryeministres Belinda Balluku, si dhe ka folur për menaxhimin e informacionit në dosjet e ndjeshme.

Transparenca dhe hetimi i Ballukut

Lidhur me informimin e publikut për hetimin ndaj Ballukut, Dumani theksoi kujdesin e SPAK për të ruajtur integritetin e hetimit dhe respektimin e të drejtave të subjektit: “Njoftimi u bë ditën që iu komunikua akuza.”

Kreu i SPAK pranoi vështirësinë për të gjetur balancën mes transparencës dhe ruajtjes së sekretit hetimor. Ai sqaroi se njoftimet bëhen në fazën e ngritjes së akuzës ose kur çështja shkon për gjykim, dhe komunikimi bëhet vetëm përmes faqes zyrtare.

Lidhur me rrjedhjet e shpeshta të informacionit në media, Dumani shpjegoi:

“Nga verifikimet e shpeshta, kur media publikon përmbajtje të dosjes hetimore, ka rezultuar se media ka marrë informacion kur ne si institucion komunikojmë me akte me personat në hetim dhe mbrojtësit e tyre. Nuk them se nuk mund të ketë rrjedhje dhe nga SPAK, por ne këtë e kemi minimizuar shumë.”

Mbështetja për prokurorin e çështjes

Dumani i dha fund edhe zërave për një kërcënim të mundshëm ndaj prokurorit që ndjek çështjen e Zëvendëskryeministres. Ai konfirmoi mbështetjen e plotë për Prokurorin Premçi, si dhe për të gjithë prokurorët e tjerë.

“Asgjë nuk është e vërtetë nga ato që thuhen për kërcënim të prokurori të çështjes nga ana ime. Prokurori Premçi ka të gjithë mbështetjen time. Kam kontakte të shpeshta me të,” tha Dumani.

Ai shtoi se prokurori Premçi nuk i ka shprehur asnjë shqetësim për ndonjë kërcënim të mundshëm në adresë të tij, qoftë nga Kryeministri apo kushdo tjetër, duke theksuar se prokurorët janë të pavarur dhe zot të çështjeve të tyre.