Kishte të drejtë Giulio Andreotti kur thoshte se pushteti gërryen ata që nuk e kanë. Pas katër mandateve në opozitë, Sali Berisha duket i konsumuar nga koha dhe nga mllefi. Ai që dikur i lodhte të tjerët me pushtetin e tij, sot është i konsumuar mendërisht pikërisht nga mungesa e tij. Këto kohët e fundit, ato shpifje që ja vinte në gojë Flamur Nokës, Këlliçit e atyre pak besnikëve që i kanë mbetur për t’i përsëritur si papagaj, tani po i reciton vetë. Vetë autor dhe vetë aktor!
Duke dalë nga ambientet e SPAK-ut, ku çdo dy javë paraqitet me detyrim sepse është marrë i pandehur për korrupsion, sot Sali Berisha u pyet nga gazetarët lidhur me masakrën e 21 janarit. Por në vend që t’u përgjigjej pyetjeve mbi urdhrat që ka dhënë ai vetë si kryeministër në ditën e masakrës, ai rifilloi sulmet pa lidhje ndaj gazetarit Carlo Bollino: “I vetmi urdhër që ka pasur është ky — tha Berisha — që Carlo Bollino, i cili mori 4 mijë metra katrorë tokë të familjes Llagami të lënë për gjimnaz, Naureda Llagami mori 3 milionë euro që i takonin familjes së vet, ndërsa Carlo e mori me 1 euro dhe ju i paguat 3 milionë euro për Carlon që e shpërbleu Rama.”

I lodhur nga mosha dhe nga mijëra gënjeshtra e shpifje të përsëritura ndër vite, Berisha ka bërë një “mish-mash” duke mohuar madje edhe shpifjet që më parë i kishte artikuluar vetë dhëndri i tij.

Për ata që nuk e dinë historinë: deri më sot, fabula e shpikur nga familja Berisha për të sulmuar gazetarin Carlo Bollino ka qenë se 4.000 metra katrorë truall, të marrë me qira nga shteti pas një konkursi publik krejt ligjor, për të ndërtuar mbi to godinën e Report TV-së (me shpenzime vetjake natyrisht), ishin në pronësi të familjes Begeja, pasardhës të Jamarbër Malltezit. “Me bujari”, sipas Berishës, familja Begeja paskësh dhuruar si “vakef” truallin bashkisë së Tiranës për të ndërtuar një shkollë, por Edi Rama, në vend të shkollës, ia paska “dhuruar” Bollinos për të ndërtuar televizionin.
Një gënjeshtër e plotë, sepse trualli ka qenë gjithmonë pronë shtetërore; as familja Begeja (që kurrë nuk ka qenë pronare) as të tjerë nuk i kanë dhuruar asgjë bashkisë së Tiranës; në momentin kur Report e mori me qira, nuk kishte asnjë projekt për ndërtimin e ndonjë shkolle; dhe shteti nuk i ka dhuruar asgjë Carlo Bollinos, sepse bëhet fjalë thjesht për një kontratë qiraje, që qiramarrësi duhet ta respektojë me shumë kushte si numri i të punësuarve, sigurimet shoqërore, investimet për përmirësimin e pronës etj. etj. kushte të cilat Report i respekton një më një. Shteti nuk të fal asgjë!

Përballë një shpifjeje dhe fyerjeje kaq flagrante, Carlo Bollino ka kallëzuar penalisht në gjykatë Jamarbër Malltezin bashkë me asistentin e tij Belind Këlliçi, të cilët, si papagaj, i kanë përsëritur me qindra herë të njëjtat fabula: deri më tani te dy kanë pranuar para gjykatës se nuk disponojnë asnjë dokument për të vërtetuar pretendimet e tyre.

Duke fundosur përfundimisht dhëndrin dhe Këlliçin, vjen sot deklarata e re e Berishës, i cili i ofroi mediave një version tjetër: se ato 4.000 metra katrorë nuk paskëshin qenë tamam të familjes Begeja, siç kishte pretenduar vetë deri sot, por të familjes Llagami, të cilën shteti e ka kompensuar me 3 milionë euro.
Edhe kjo është gënjeshtër. Së pari, fakti që familja Llagami ka marrë një kompensim prej 3 milionë eurosh tregon se ajo nuk ka përfituar kurrë të drejtën e kthimit të tokës, por vetëm të drejtën e kompensimit. Pra, trualli ka mbetur gjithmonë në dispozicion të shtetit.
Së dyti, shpifja më flagrante është se ato 3 milionë euro kanë lidhje me një tjetër sipërfaqe trualli prej 9.500 metrash katrorë, të konfiskuar nga regjimi komunist në vitin 1945, e cila kufizohet vetëm me një shirit shumë të vogël me 4.000 metrashin që ka marrë me qira Report-i.

Pra, Report nuk i ka hequr asnjë centimetër tokë askujt, e ka marrë atë truall thjesht me qira dhe, në çdo rast, kjo çështje nuk ka lidhje fare me familjen Berisha, e cila u paraqit publikisht si “dhuruese bujare”, ndërkohë që synimi i tyre i vërtetë ishte të vidhnin atë tokë publike pa pronarë, plan që u prish pikërisht nga ardhja e Report-it. Një trualli që, çuditërisht (sipas përgjimeve të “Sky Ecc” në duart e SPAK-ut), ishte piketuar edhe nga “Rrumi i Shijakut”, një kriminel i lidhur me ish-prokurorin Ndoja që sot është deputet i Sali Berishës. Ka një përkim të dyshimtë kohor: fillimi i fushata shpifëse e familjes Berisha mbi origjinën e tokës së marrë me qira nga Report TV përkon me vitin 2020, kur edhe Rumi bisedonte në Sky ECC mbi mënyrën se si t’ia hiqte të njëjtën tokë Report TV-së. Nëse planet e familjes Berisha dhe ato të Rumit të Shijakut kanë pasur ndonjë lidhje, kjo do të verifikohet nga SPAK-u, por pa dyshim çështja meriton një thellim.

Por pse Sali Berisha, duke u pyetur për 21 janarin, mendoi pikerisht për Carlo Bollinon? Ky është një lapsus që mund të shpjegohet me një fakt tjetër: Ka qenë në fakt pikërisht televizioni i Carlo Bollinos që në mbrëmjen e 21 janarit 2011 transmetoi pamjet që rrëzuan një tjetër fabul të shpikur nga Berisha, se demonstruesit e vrarë ishin qëlluar nga afër me “çadra-pistoleta” nga militantë socialistë me urdhër të Edi Ramës, dhe vetëm për ta inkriminuar Sali Berishën. Pamjet që vëtëm televizioni i Carlo Bollinos transmetoi treguan të kundërtën: se qitjet vinin nga armët e Gardës, duke përmbysur keshtu krejtësisht versionin zyrtar qe kishte paraqitur Berisha. Falë atyre pamjeve gardistët u arrestuan. Edhe sot SPAK po heton ende për të zbuluar rolin e Sali Berishës dhe me urdhër të kujt gardistët qëlluan mbi turmën e paarmatosur. Para pak ditesh dëshmoi prane SPAK ish ministri i brendshëm Lulzim Basha. Një investigim që me sa duket po nervozon shumë ish kryeministrin, te lodhur nga mosha, nga frika dhe nga mungesa e gjatë nga pushteti.