Ilir Meta ka dhënë një intervistë për televizionin e familjes Berisha nga burgu, ku flet për vdekjen e Fatos Nanos.
Ndërkohë pak ditë më parë u nda nga jeta ish-kryeministri, Fatos Nano, lideri historik i PS. Si e përjetuat?
Ilir Meta: Me keqardhje pasi në çdo rast ishte një ikje e parakohshme edhe pse jo e papritur.
Po kështu jeta e tij politike ishte e mbushur me plot drama dhe sfida, përfshirë këtu edhe burgosjen e tij politike.
Por të dëgjoje “palloshin e gjatë” sipas vet burimeve të SPAK-ut, që keqpërdorte një ceremoni mortore për të sulmuar ata që burgosën Fatosin në vitin 1993 dhe të cilët Nano vet i fali ndërkohë që ky pas 30 vitesh ka burgosur, proceduar penalisht e rrëmbyer në mënyrë mafioze drejtuesit e opozitës është vërtetë shumë për të vjellë se deri ku shkon pafytyrësia dhe instrumentalizimi i vdekjes për qëllime ordinere politike.
Dhe kush ishte tronditur kaq shumë?
Ky që i tha Fatosit se ishte bërë si Robert Çamçakizi.
Në raste të tilla duhet të mbizotërojë humanizmi, respekti për të ndjerin dhe familjen, por edhe për institucionet që ka përfaqësuar, shtetërore apo partiake.
Vetëm një njeri i zi, sterrë, si Edi Rama mund të keqpërdorë një ceremoni të rëndësishme mortore, që ndodh vetëm njëherë për të provokuar emocione negative.
Ju keni qenë kundërshtari kryesor i tij në PS, gjë që çoi dhe në ndarjen e saj. Cili është vlerësimi juaj për të sot?
Ilir Meta: Që të jemi korrekt me të vërtetat historike, ndarjen nuk e zgjodha unë por Fatosi, apo akoma më saktë ata që ndikonin më shumë te ai për interesat e tyre dhe jo të Fatosit e PS.
E harruat Kongresin e “kongresmenëve” kur u asgjësuar votimi i fshehtë dhe demokratik dhe jo vetëm unë por edhe shumë personalitete të tjera të PS u fshinë nga KPD.
Për të evituar ndarjen e PS unë kisha rënë dakord me Z. Ruçi, me kërkesë të tij, në një takim që bëmë në Linzë, që unë të mos kandidoja për kryetar të PS, por të kishim një vëzhgues në Komisionin e Votimit, gjë që u pranua në atë takim por nuk u pranua në Kongres nga Nano.
Në Qershor-Korrik 2002 u bë një marrëveshje e madhe midis Nanos, Berishës dhe meje.
Nano donte vetëm një marrëveshje Nano-Meta, e cila ishte e mirëpërcaktuar që në Qershor të bëhej Kongresi i PS ku unë të zgjidhesha Kryetar i PS dhe Kryeministër dhe ai në korrik të zgjidhej President meqënëse kishim 87 vota (bashkë me votat e “Dushkut”).
Unë nuk e pranova këtë marrëveshje pasi kishte dalë rezoluta e Parlamentit Europian, që dënonte fenomenin e “Dushkut” dhe kërkonte një President konsensual për të mos bllokuar procesin e integrimit europian.
Ndaj me insistimin tim u bë ajo zgjidhje politike pas takimit tim me Berishën në hotel Rogner, ku i propozova ambasadorin Kuko si President për të cilin ai ra dakord.
E në fund u dakordësuam për Z. Moisiu, pasi Z. Kuko refuzoi dhe sot unë i jap shumë të drejtë atij edhe pse atëherë u mërzita shumë me të.
Ishte kjo zgjidhje politike që bëmë, e cila garantoi çeljen e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit. Por më pas këto negociata gati ngrinë për arsyet që dihen, që nga doganat e korrupsioni e shumë angazhime të pambajtura. Kjo situatë solli edhe dorëheqjen time nga zv.kryeministër dhe ministër i Jashtëm.
Është e padiskutueshme se nëse Nano do t’i kishte qëndruar marrëveshjes që bëmë, jo vetëm Shqipëria do ishte bërë me kohë anëtare e BE, por edhe ai natyrshëm do ishte bërë edhe president.
Nuk ishte rastësi që Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit u përmbyll dhe u firmos vetëm pas rotacionit të 2005.
Natyrisht ky shpjegim që dhashë nuk hedh poshtë kontributet e tij positive në politikën shqiptare dhe hapjen e PS. Ai kishte një kulturë të gjithanshme dhe një nënë të mrekullueshme nga një familje e shquar si e Shuteriqëve.
Babai im u gëzua shumë kur Nano u bë kryeministër pasi e njihte nga afër nënën e tij, Marien, sepse kishin qenë mësues në shkollën “Skënderbej” dhe fliste me shumë admirim për të.
Si sot e mbaj mend atë pasdite në të error, kur bashkë me Z. Ruçi shkuam në burgun e Bënçës për t’i dhënë lajmin e ndarjes nga jeta të nënë së tij.
Ne ishim në një gjendje shumë të rënduar sepse deri atëherë nuk ishte dhënë leja që Nano të merrte pjesë ne ceremoninë e përcjelljes së nënës.
Por nata ndonjëherë sjell këshilla të mira dhe Nano të paktën u lejua të përcillte nënën e tij të mrekullueshme por edhe të takohej me të afërmit dhe bashkëpunëtorët.
A shihni ndonjë lidhje midis burgosjes politike të Nanos dhe tuajës?
Ilir Meta: Absolutisht jo, pasi hetimi kishte nisur në Itali, për qëllime të brendshme të politikës italiane se donin të godisnin Gianni de Michelisin dhe bashkë me të Bettino Craxi dhe kjo u keqpërdor në Shqipëri për Nanon.
Të mos harrojmë se një faktor i rëndësishëm ishte edhe angazhimi i një diplomati shumë të rëndësishëm në Tiranë, i cili sillej si bashkëkryetar i PD në atë kohë dhe bënte thirrje publike për largimin nga puna të socialistëve dhe ishte më ekstremist se Berisha në atë kohë dhe që me të drejtë Fatosi e cilësonte “me thikë në gojë”.
Atëherë ai diplomat bashkë me miratimin e arrestimit të Fatosit bënte thirrje edhe për miratimin e reformave, siç ishte e famshmja “Reforma e Plepave”.
Po kështu, Nano u arrestua në Prokurori dhe nuk u rrëmbye në rrugë me maska.
Gjithashtu, Shqipëria atëherë nuk ishte as në Këshillin e Europës dhe as në NATO.
Njëkohësisht më vonë Berisha do të reflektonte dhe pranonte se ai arrestim ishte bërë edhe nga presione të brendshme.
Në shtator 1992 ata donin të më arrestonin mua që isha vetëm 23 vjeç dhe më hoqën imunitetin për një vit derisa arrestuan Nanon.
Nëse nuk u burgosa atëherë kjo ndodhi sepse Prokurori i Përgjithshëm, Z. Maks Haxhia nuk pranoi të firmoste për arrestimin tim dhe po kështu sepse një drejtues politike me shumë integritet në atë kohë si Z. Pashk Tusha, nuk pranoi të firmoste një dëshmi të rreme kundër meje, ndërkohë që një drejtues policie nga Skrapari e kishte bërë një palaçollëk të tillë.
Nuk them se gjithë ajo histori ishte e trilluar nga Berisha, por ministrat e tij të Brendshëm dhe të Mbrojtjes bënë çdo gjë për të më burgosur mua vetëm për poshtërimin që populli i Poliçanit i kishte bërë dhunës së forcave special.
Nano kur ishte në burg tha një fjali kuptimplote se çdo politikan duhet të bëjë burgun e tij dhe unë po e bëj plot vetëbesim për të ardhmen time dhe të vendit tim.
Më mirë këtu në qelinë numër 5 të vendit tim se kudo tjetër në botë.
Atë ëndërr që unë nuk e realizova për vete për të studiuar jashtë e realizova për tre fëmijët e mi. Në moshën e tyre unë isha ose anëtar Qeverie, ose nënkryetar i PS, ose në krye të Lëvizjes Studentore, që solli pluralizmin politik.
Unë vetë jam jo vetëm një protagonist i sjelljes së pluralizmit politik, por jam edhe një krijesë politike e tij, ndaj është detyra ime ta mbroj edhe këtu “shtetrrethimin” nga Narkoshteti që kërkon të asgjësojë bashkë me pluralizmin politik edhe familjen shqiptare me ligjin sorosist dhe identitetin tonë kombëtar e kulturor dhe ta shndërrojë Shqipërinë në një territor për pastrimin e parave të mafias ndërkombëtare.
Çdo shtëpi ka një tualet. Ne nuk duhet të pranojmë që Shqipëria të jetë tualeti i askujt.
Kombi ynë ka ekzistuar edhe para formimit të NATO-s edhe përpara themelimit të BE.
Ne do të ekzistojmë edhe në të ardhmen se nuk jeni racë që shuhemi, por që mbijetojmë.
Koha do ta provojë. Me qetësi dhe llogari.
Vasil Laçi ishte një fëmijë jetim kur vuri në vend dinjitetin e një kombi të tërë të poshtëruar nga pushtimi dhe dha jetën në lulen e rinisë për të zgjuar krenarinë dhe rezistencën kombëtare.
Askush nuk i mban mend tërë ata shqiptarëfolës që duartrokisnin pushtuesin atë ditë te rruga e Durrësit.
Por të gjithë do kujtojnë me nderim veprën e Vasil Laçit. Askush më 7 Prill nuk nderon ish-Mbretin Zog edhe pse ai pati meritën të refuzonte pushtimin. Por të gjithë kujtojnë më 7 Prill një oficer të thjeshtë si Mujo Ulqinaku, që shpëtoi nderin e Shqipërisë.
Toka jonë nuk i duron dot çibanët e huaj. Kjo do provohet shumë shpejt.
Unë kam lindur në familje patriotësh të njohur në krahinën e Skraparit dhe jam krenar që eci në rrugën e gjyshërve të mi. Malet tona më të larta.




















