Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, ka uruar qytetarët me rastin e Festave të Nëntorit, duke theksuar rëndësinë historike të këtij muaji për identitetin dhe unitetin kombëtar të shqiptarëve.

Në mesazhin e tij, Proda nënvizon se Nëntori mbetet muaji i krenarisë, i sakrificës dhe i vlerave që kanë ndërtuar shtetin shqiptar. Ai kujtoi gratë dhe burrat që kanë luftuar për liri, si dhe rolin e Policisë së Shtetit ndër vite, institucion që ka dhënë qindra dëshmorë në krye të detyrës.

“Policia e Shtetit është institucioni që çdo ditë, në çdo orë, është aty ku qytetarët kanë nevojë. Dëshmorët tanë janë pjesë e kujtesës dhe identitetit tonë profesional dhe njerëzor,” u shpreh Proda.

Ai tha se sot Policia është më e hapur ndaj komunitetit dhe më e fokusuar te ndërtimi i besimit dhe bashkëpunimit me qytetarët. Sipas tij, siguria është një vlerë që kërkon bashkëpjesëmarrje, ndërsa institucioni që ai drejton mbetet i vendosur të bëjë më shumë për një mjedis të sigurt për të gjithë.

Në fund të mesazhit, Proda përcolli urimet për Festat e Nëntorit duke theksuar rëndësinë e krenarisë kombëtare, respektit për ligjin dhe nderimit të atyre që kanë sakrifikuar për Shqipërinë.

“Gëzuar Festat e Nëntorit! Nder dhe respekt për të gjithë ata që kanë sakrifikuar dhe vazhdojnë të sakrifikojnë për Shqipërinë,” përfundon Proda.

MESAZHI I PLOTË

Nëntori, muaji kur ndjejmë krenarinë, historinë dhe rrënjët që na bashkojnë, kudo që jemi. Është muaji i flamurit tonë, i grave dhe burrave që sakrifikuan për liri dhe i vlerave që na mbajnë si komb. Në këto ditë të shënuara, ne nderojmë ata që sakrifikuan gjithçka për pavarësinë, lirinë dhe për mbrojtjen e atdheut.

Në këtë rrugëtim të historisë, një vend të veçantë ka edhe Policia e Shtetit. Ne jemi institucioni që çdo ditë, në çdo orë, jemi aty ku qytetarët kanë nevojë. Jemi organizata e vetme e sigurisë me qindra dëshmorë që kanë rënë në krye të detyrës, duke mbrojtur jetën, qetësinë dhe të ardhmen e vendit. Ata janë pjesë e kujtesës dhe e identitetit tonë profesional dhe njerëzor, janë në piedestalin e nderit dhe historisë.

Sot, Policia e Shtetit është më e hapur dhe më pranë komunitetit se kurrë më parë. Ne besojmë te bashkëpunimi, te besimi dhe te ideja se siguria është vlerë që e ndajmë të gjithë bashkë. Me vlerat dhe përvojën që na ka dhënë e shkuara dhe me besimin tuaj, jemi të vendosur të bëjmë edhe më shumë për të ardhmen, për një mjedis më të sigurt për të gjithë.

Me respekt dhe mirënjohje për qytetarët, të cilët na besojnë dhe bashkëpunojnë me ne, në emër të Policisë së Shtetit ju uroj Gëzuar Festat e Nëntorit!

Le të na bashkojnë krenaria kombëtare, dinjiteti, dashuria për atdheun dhe kultura për zbatimin e ligjit, si vlera që na udhëheqin.

Nder dhe respekt për të gjithë ata që kanë sakrifikuar dhe vazhdojnë të sakrifikojnë për Shqipërinë!