Konkretizimi i një akademie zyrtare të Interit në Shqipëri ishte në qendër të takimit të zhvilluar mes ministrit të Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, Giuseppe Marotta, President dhe CEO i F.C Internazionale Milano dhe Juxhin Rama, drejtues i Inter Club Albania.
Përmes një postimi në rrjetet sociale Gonxhja theksoi se në qendër të bisedës ishte vendosja e një bashkëpunimi strategjik që synon ngritjen e standardeve të futbollit bazë dhe krijimin e mundësive për talentet e reja në Shqipëri dhe rajon.
“U dakordësuam për hapat finalë dhe shumë shpejt pritet vizita zyrtare e delegacionit të Inter në Shqipëri i kryesuar nga Z. Marotta, ku do të zyrtarizojmë bashkëpunimin tonë. Një zhvillim i rëndësishëm për sportin shqiptar në partneritet me një brand global dhe një gur themeli për edukimin sportiv të brezave të ardhshëm”, shkroi ndër tjera Gonxhja.




















