SPAK, të paktën formalisht, e ka thyer ‘mitin’ e Sali Berishës duke e mbajtur për dy orë në institucionin më të lartë të hetimit, teksa e ka pyetur si person në dijeni për çështjen e 21 janarit 2011, ku nga plumbat e Gardës së Republikës u vranë 4 demonstrues të pafajshëm të opozitës!
Ndonëse e kanë pasur në mënyrë të vijueshme në dorë këtë çështje të rëndë nga hetimi i të cilës praktikisht varet fati i drejtësisë së re shqiptare, u deshën gati 15 vite që prokurorët shqiptarë, tek tuk ndonjëri është i njëjti dhe atëherë edhe sot në SPAK, të merrnin guximin për të ‘vrarë’ deri diku frikën e të qëndronin përballë ish kryeministrit demokrat përmbi 20 orë! Këtë të mërkurë e pyetën si person në dijeni, në të ardhmen edhe si të pandehur, sikurse duken gjasat!
E quajmë progres dhe këtë, ndonëse si gjithnjë ‘investigativët’ tanë që e ‘gdhijnë dhe e ngrysin’ pranë SPAK nuk kanë mundur të zbardhin asnjë rresht sot nga dëshmitë e Berishës përpara prokurorit të posaçëm, duke na lënë si gjithnjë për rastin e Doktorit në ‘terr informativ’, pa asnjë ‘rrjedhje’ informacioni nga organi i hetimit drejt mediave dhe përmes tyre tek publiku shqiptar! Qoftë dhe në mënyrë të cunguar dhe me përzgjedhje, të themi!
Por nga ajo që dëgjuam nga deklaratat e Berishës para mediave sapo doli nga SPAK e në derë të SPAK, u bindëm se këtë radhë nuk ka qënë Doktori ai që ka marrë në pyetje prokurorët e posaçëm por kanë qënë ata të cilët me hir apo me pahir e kanë marrë në pyetje ish kryeministrin demokrat, pasi vendimi i Gjykatës së Strasburgut i ‘limuar’ dhe nga vendimi i Gjykatës së Lartë që ia kalonte çështjen SPAK, ishte detyrues për organin kryesor të hetimit në Shqipëri! Dhe ky është vërtetë progres i SPAK, pasi na bën të shpresojmë se frika që kanë nga Berisha ka nisur të dalë në ‘asistencë’ të përhershme, deri në largimin përfundimtar nga ‘trupi’ i drejtësisë së re!
Berisha për hir të së vërtetës s’ka ndryshuar, as pas 15 vitesh për vrasjen e 4 demonstruesve të pafajshëm para kryeministrisë më 21 janar 2011! Për të, protestuesit e opozitës në atë kohë kanë shkelur ligjin, dhe Garda i ka qëlluar pa urdhër po me forcën e ligjit për të mbrojtur një godinë si ajo e kryeministrisë e përbërë nga tulla e llaç! Dhe sipas tij, nëse nuk ndalen të kalojnë gardhin e kryeministrisë, ata duhet të qëllohen nga këmbët, ose direkt në mish pastaj! Duke mohuar të ketë dhënë urdhër ndokush për të qëlluar!
Nëse do të ishte vepruar me ‘kutin’ e Berishës për të qëlluar në ‘mish’ kush afrohej dhe prekte derën e institucioneve, deri më tani në të gjitha protestat e dhunshme të opozitës aktuale këtu e 12 vite me radhë, me pikën më të lartë të ‘vlimit’ në protestat e dhunshme të 2019 të udhëhequra nga Basha apo këto më të mëvonshmet të udhëhequra nga vetë Berisha, kur u sulmua kryeministria, Parlamenti, ministria e Brendshme, Bashkia e Tiranës e deri selia e PS, ‘gjaku do të kishte shkuar deri më gju’ dhe do të kishin mbetur me dhjetra e dhjetra të vrarë! Por ligji nuk parashikon vrasjen gjatë protestave, as nga Garda, pasi institucioni nuk është godina me tulla e llaç dhe për më tepër që në kohën e ‘babait’ politik të Berishës, diktatorit Enver Hoxha, ‘njeriu ka qënë dhe është kapitali më i çmuar’!
Dhe duke qëndruar tek teoria komuniste, Berisha dhe pas daljes nga seanca e pyetjeve në SPAK, ‘mbrojtja më e mirë është sulmi’, mohoi gjithçka që nga rrahja që iu bë komandantit të Gardës, fshirjen e serverave të kryeministrisë, goditja nga kryeministria, urdhëri për të qëlluar Garda në mish mbi turmën, e deri tek mohimi i fshirjes së provave, i dërgimit të Bashës tek Topi për të ushtruar presion mbi ish kryeprokuroren Ina Rama që të mos hetojë, refuzimin e ‘dorëzimit’ të krerëve të Gardës sipas urdhërarresteve të prokurorisë! Berisha pohoi vetëm faktin se kishte refuzuar të evakuohet nga godina e kryeministrisë me gjithë lutjet e Bashës asokohe ministër i Brendshëm dhe kryegardistit Prendi, me argumentin se kishte punë, ishte në detyrë! Ca firma në shkresa kushtonin më shumë se 4 jetë njerëzisht të vrarë nga plumbat e Gardës!
Për më tepër që Berisha tentoi të vendoste shënjën e barazimit mes organizatorëve të protestës së opozitës së atëhershme të drejtuar nga Rama, për të cilin kishte gati 5 snajperë në tarracën e kryeministrisë me urdhërin e prerë prej vetë Berishës për ta qëlluar në kokë nëse bën një hap para, me zinxhirin komandues të Gardës në krye të të cilit ishte vetë kryeministri i asaj kohe më 21 janar 2011. E themi këtë sepse Berisha e deklaroi dhe këtë të mërkurë pas daljes nga SPAK se më 21 janar 2011 u organizua një ‘puç shteti’, dhe që sipas tij, nëse shkelet ligji detyrimisht do të ketë vrasje, siç ndodhi! Pra Berisha nuk shfaq asnjë shenjë pendese për krimin shtetëror të kryer prej tij, që mori 4 jetë njerëzish e për të cilin Strasburgu por dhe organet ligjzbatuese të aleatëve tanë të mëdhenj kërkojnë drejtësi! Madje kanë kontribuar në këtë drejtësi!
E themi këtë sepse, pavarësisht bllokimit të provave nga ana e Berishës, organet e hetimit të asaj kohe, kanë kërkuar ekspertizën e huaj, dhe mbi të gjitha të FBI-së amerikane dhe të organeve ligjzbatuese dhe laboratorëve më të përparuar në Itali dhe Britani, ekspertizë e cila me kohë dhe vakt është në dosjet e hetimit për 21 janarin! Duan apo nuk duan ta ‘rrjedhin’ si informacion prokurorët e posaçëm tek ‘investiguesit’ tanë, për ta kaluar në publik, ky ëhstë fakt dhe i fiksuar në dosjen e rëndë të 21 janarit!
Ka ardhur përgjigjia e FBI për ekspertizën e plumbit që ka dalë nga pistoleta e ish komandantit të Gardës nga lart poshtë, duke qëlluar mbi dy prej viktimave të 21 janarit. Gojët e liga thonë se vetëm pistoleta ka qënë e Ndrea Prendit, ndërkohë që këmbëzën e kanë tërhequr të tjerë dhe këtë e lidhin me syrin e e nxirë të ish komandantit të Gardës, duke nënvizuar faktin se është dhunuar rëndë më 21 janar në ambientet e kryeministrisë! Ndoshta ka folur ose do të flasë Prendi, se nëse e mban në kurriz përgjegjësinë e dy vrasjesve të dy prej viktimave të protestës, atëherë nuk e shmang dënimin e përjetshëm!
E pazbardhur dhe pas 15 viteve, vijon të jetë vrasja e protestuesit Aleks Nika, i cili ka qenë shumë larg kryeministrisë, kur është ekzekutuar me një plumb në kokë. Ka qënë pikërisht kjo vrasje pa autor që nuk e ka mbyllur plotësisht çështjen e 21 janarit, për të shpresuar sot për ta zbardhur deri në fund për të ndëshkuar urdhërdhënësit e kësaj masakre! E themi këtë sepse, ekspertiza e bërë në atë kohë ka treguar se plumbi ka pasur kënd drejtimi nga lart-poshtë. E parë fizikisht, predha e sekuestruar në trupin e Nikës shikohet se është totalisht e dëmtuar dhe nuk ka asnjë element për t’u identifikuar nëpërmjet ekspertizës. Plumbi ka marrë një deformim të madh duke prishur totalisht vjaskat, karakteristika këto që lihen nga tyta e armës në momentin e qitjes.
Kjo pjesë predhe tre vite pas masakrës së 21 janarit 2011 është dërguar për ekspertizë më të thelluar në një laborator kriminalistik në Virginia të SHBA, dhe sërish nuk janë përftuar të dhëna që do shërbenin për zbardhjen se nga kush armë është qëlluar kjo predha. Pra edhe kjo gëzhojë është dërguar në SHBA në atë kohë. Prokuroria e asaj kohe mori asistencë nga FBI dhe u kryen shumë ekspertiza prej tyre, për të zbardhur njëherë e mirë 21 janarin. Falë asaj ekspertize u ngritën akuzat për vrasjen e 3 protestuesve të tjerë. Me pak fjalë, SHBA e ka në dorë zbardhjen e kësaj dosje. Por që për hir të së vërtetës prokuroria e drejtuar më pas nga Adriatik Llalla nuk mori parasysh asnjë ekspertizë të ardhur nga SHBA. Kjo solli që pas më shumë se 2 vitesh hetime, më 2013 Gjykata e Apelit të Tiranës dënoi me 1 vit burg ish-komandatin e Gardës në 21 janar 2011, Ndrea Prendi dhe gardistin Agim Llupo me 3 vite burg. Ata u shpallën fajtorë për veprën penale “vrasje nga pakujdesia” për vrasjet e Faik Myrtajt dhe Ziver Veizi! Pra 4 jetë të pafajshme vlenin sa 4 vite burg! U vranë me urdhër ‘nga pakujdesia’. Ironi e gjallë kjo!
Teksa dëgjonim Berishën pas daljes nga SPAK se nuk ishte fshirë asnjë servër, ia vlen të nënvizojmë se Ina Rama asokohe bahskëpunoi fort me organet ligjzbatuese të SHBA për zbardhjen e këtyre serverave. Kështu, 8 muaj pas masakrës së 21 janarit, në shtator 2011, Prokuroria dërgoi për ekspertim në SHBA, pajisjet e serverit të kamerave të Kryeministrisë. Serverat ishin vënë në dispozicion të prokurorisë pak ditë pas ngjarjeve të dhunshme të 21 janarit. Por pasi ishte zeruar pamjet! Dhe për këtë është përfolur ish sekretari i kryeministrisë së asaj kohe, Gjergj Lezhja! Megjithëse ai i ka mohuar akuzat!
E themi këtë sepse, në reagimin e parë për ngjarjen e ndodhur pranë godinës së kryeministrisë, Berisha asokohe deklaroi se kishte porositur sekretarin e përgjithshëm të Këshillit të Ministrave që kasetat filmike të kamerave të Kryeministrisë t’i dorëzoheshin prokurorisë për hetimin e ngjarjes, pavarësisht se këtë të mërkurë e mohoi të ketë pasur kamera sigurie të administruara nga kryeministria, duke ia faturuar vetë Gardës së Republikës. Prokuroria, disa ditë më pas shkoi vetë tek Kryeministria dhe për tri ditë, pasi këqyri vendin e ngjarjes, mblodhi provat e nevojshme materiale. Mes këtyre provave ishin dhe disqet apo kasetat ku ishin hedhur imazhet e filmuara nga sistemi i kamerave të vëzhgimit të Kryeministrisë.
Grupi hetimor i 21 janarit i analizoi pamjet e dhëna nga Kryeministria, por pasi nuk gjeti skena për asnjë nga 4 vrasjet, vendosi të verifikojë më tej. Anëtarë të grupit të hetimit të prokurorisë madje shkuan më tej, derisa pohuan dyshimet e tyre se imazhet ishin redaktuar para se t’i jepeshin prokurorisë. Me këtë pretendim organi i akuzës kërkoi pajisjen kompjuterike me të cilën ishte lidhur sistemi i kamerave vëzhguese të godinës së qeverisë. Një pajisje e tillë iu dha prokurorisë pak ditë pas kërkesës dhe përsëri prokuroria nuk gjeti skenat e vrasjeve në filmimet e memorizuara në server. Ishin fshirë me sa duket gjatë bllokimit që i bëri Berisha skenës së krimit për disa ditë, duke mos lejuar prokurorët të mblidhnin prova dhe të hetonin!
Por për gjithçka kishte një shpresë, dhe për rikuperimin e pamjeve të kamerave të sigurisë së kryeministrisë më 21 janar 2011! Ndërsa ndodhnin këto zhvillime me dosjen “21 janari”, një zhvillim i ri ndodhi në dosjen e hapur pas video-përgjimit të ish ministrit të LSI, të ndjerit Dritan Prifti, pasi më 11 shkurt 2011 një ekspert amerikan lajmëroi Prokurorinë e Përgjithshme se në kompjuterin e Priftit kishte gjetur një video të dytë, e cila më parë kishte qenë e fshirë nga memoria e dukshme, por që teknikisht ishte rigjeneruar. Nisur nga ky precedent e nën dyshimin se serveri i Kryeministrisë ka pasur fshirje të regjistrimeve, Prokuroria e Tiranës i dërgoi pajisjet në Prokurorinë e Përgjithshme dhe prej andej, memoria e serverit të kamerave të Kryeministrisë u dërgua në SHBA për ekspertizë.
Një nga pyetjet që kanë bërë në atë kohë prokurorët në letrat e dërguara palës amerikane, është edhe nëse serveri ka materiale që janë fshirë më parë dhe nëse realizohet teknikisht rikuperimi i këtyre imazheve. Një ndër çështjet kryesore për të cilat ka parë dhe verifikuar materialet FBI ka të bëjë pikërisht me serverin qendror të kryeministrisë, filmimet e kamerave, urdhërat e dhëna, dhe gjithçka tjetër që ka pasur të bëjë me operacionin që drejtohej nga brenda kryeministrisë ditën që ndodhi tragjedia që përfundoi me katër vrasje në 21 janar 2011.
U vërtetua shkencërisht nga FBI, se filmimet 21 janart 2011, nga serveri, janë fshirë. Raporti i shkruar nënvizon faktin se janë fshirë. Por zëraqt brenda PD thonë se s’përjashtohet mundësia që ndonjë ‘dorë e kujdesshme’ t’i ketë kopjuar dhe i ruan me fanatizëm këto pamje për t’i bërë presion Berishës. Ose dhe për të ndihmuar prokurorët tani, që situata është më e favorshme, që çështja të zbardhet! Zëra ka se një ish deputet, asokohe zyrtar që merrej me këto punë, i ka futur një të kopjuar dhe tashmë rri i qetë! As Berisha nuk e linçon, pavarësisht se i ka dalë kundër!
Bëhet me dije se FBI ka mundur të rikuperojë ngjarjet e fshira nga kamerat, dhe kjo do të çonte automatikisht në zbardhjen e të vërtetës se kush ka qëlluar mbi turmën e protestuesve. Por duke parë mungesën e fuqisë së drejtësisë së asaj kohe për të hetuar, zbardhur e gjykuar këtë çështje me drejtësi dhe me themel, u tha se FBI ka provuar se filmimet janë fshirë, porse nuk kanë arritur të nxjerrin asgjë nga filmimet e fshira, përveç faktit se ato janë zhdukur. Por që në atë kohë ka rënë justifikimi i deklaruar zyrtarisht nga zyrtarët më të lartë në Këshillin e Ministrave të asaj kohe e të Berishës këtë të mërkurë pas daljes nga SPAK, se “serveri i kryeministrisë nuk ka funksionuar”. Atëherë thuhej se nuk u bë kurrë ky rikuperim, por sot teknologjia ka avancuar.
Pra serveri është në duart e tyre dhe me sa duket amerikanët ia kanë gjetur anën këtij rikuperimi, mund ta groposin Berishën e të gjithë zinxhirin komandues poshtë tij, në atë kohë kur drejtonte qeverinë dhe ndodhi masakra! E themi këtë, për vetë faktin se, përderisa prokurorët e SPAK kanë ‘guxuar’ të ‘vrasin’ frikën dhe të pyesin për dy orë Berishën për 21 janarin. Ata kanë mbështetje amerikane. S’bëjnë një hap pa këtë mbështetje! Shpresa vdes e fundit, dhe përderisa brenda kësaj shprese gjendet dhe ekspertiza e FBI amerikane e angazhimi i aleatit tonë më të madh për të bërë vërtetë drejtësi në këtë vend, atëherë do të ketë drejtësi dhe për 21 janarin. Ndërsa shpirtërat e 4 të ekzekutuearve pa asnjë faj para kryeministrisë, do të gjejnë drejtësi dhe të prehen në paqe! Urojmë të ndodhë kjo! Do qetësoheshin dhe shqiptarët, të cilët drejtësinë e re e quajnë të bërë vetë po të jepet drejtësi për ’21 janarin’. Por dhe për “Gërdecin’! S’ka rëndësi sa dënohen urdhëdhënësit e masakrave që morën jetë njerëzish!




















