Kryetari i PD Sali Berisha më në fund e kapërceu oqeanin dhe mbërriti në Amerikë! I ‘theu’ të gjitha pritshmëritë, e më në fund arriti në ‘tokën e premtuar’, atë amerikane. Anipse kreu i PD shkelin në cepin e poshtëm të kontitentit, në Brazil, pikërisht në atdheun e futbollit brilant, të ‘sambas’, plazheve të bukura e karnavaleve të famshme, por dhe në atdheun e ‘marksist-leninistit’ të shquar brazilian. Zhoao Amazona, i cili vinte dy herë në vit me kohëqëndrim nga tre muaj, për vizitë në kohën e Enver Hoxhës, pikërisht në ‘kryeqendrën’ e komunizmit të vërtetë, Tiranë, për kongrese dhe për pushime!

Ama Zhoao Amazona na ‘griu’ nga lekët në kohën e Enverit, pasi jo vetëm që merrte një kuotë vjetore për të mbajtur në këmbë partinë e tij ‘m-l‘ e cila drejtohej familjarisht prej tij, vetëm e vetëm për të bërë ndonjë deklaratë për “Shqipërinë, si fanar i komunizmit në të gjithë botën”, për të firmosur ndonjë deklaratë të përbashkët por dhe për të miratuar ndonjë rezolutë që dënonte imperializmin amerikan, social-imperializmin sovjetik, sonizmin izraelit dhe gjithë kapitalizmin botëror në tërë si! Për kaq paguhej ai, për kaq ishte anëtar i internacinales paralele komuniste të Enver Hoxhës me parti ‘m-l’ të rindërtuara! Madje e pinte shumë dhe atë të shkretë raki thonë.

Por do të thotë dikush, çfarë na duhen këto sqarime, ndërkohë që Berisha realizoi ëndrrën e tij katër vjeçare të ‘mbyllur në sirtar’, për të cilën ka paguar miliona dollarë lobime, thjeshtë dhe vetëm për të kapërcyer oqeanin me sa duket! Për t’i treguar Edi Ramës se më në fund e kalon këtë ‘oqean’ dhe e shkeli Amerikën! Kaq i duhej Berishës do të thoshte dikush, për të qënë në majën e botës, qoftë dhe për disa ditë apo për disa orë, sepse një mendje serioze e kalon lehtë këtë kapërcim ‘oqeani’ dhe kthehet me këmbë në tokë! Por njeriu dy herë bëhet fëmijë!

E themi këtë sepse Berisha, thuajse është shndërruar plotësisht, nuk përmbahet nga deliri, një ‘sëmundje’ që i ka zënë madje dhe bashkëpunëtorët e tij, të cilët e quajnë një fitore të madhe pjesëmarrjen e Berishës në Asamblenë e CDI të zhvilluar në Sao Paolo të Brazilit dhe mbi të gjitha pasi është zgjedhur Presidenca dhe drejtuesit e rinj të CDI, dhe ndër ta edhe lideri i PD.

Po, po! Kryetari i PD, Sali Berisha është zgjedhur një nga 17 zv.presidentët e CDI, një bashkim i partive të qendrës së djathtë në botë. Përzgjedhja e presidencës u bë në Asamblenë e CDI që u zhvillua në Brazil, ku ga Europa janë dhe kryeministri i Kroacisë Andrey Plenkoviç, kryeministri i ardhshëm i Sllovenisë Janezs Jansa dhe kryeministri i Hungarisë, Victor Orban. Sekretar i Përgjithshëm i CDI është zgjedhur Antonio Lopez-Isturiz Vhite, ndërsa President i CDI u rizgjodh Andres Pastrana, ish president i Kolumbisë ky.

Dhe CDI, Centrist Democrat International, është një union partish të qendrës së djathtë me fokus në Amerikën Latine, Afrikë dhe disa vende të Azisë. Shumica e anëtarëve janë parti të vogla, me vokacion demokristian. Dhe për ironi të fatit, në CDI s’bën pjesë Partia Republikane e SHBA-së, vendi ku Berisha dhe familja e tij janë shpallur non grata, as konservatorët britanikë apo ata kanadezë. CDI është e përbërë nga 115 parti të qendrës nga Europa, Amerika e Veriut, Amerika e Jugut dhe Azia. Pra s’është unioni më i madh i të djathtëve konservatorë por i centristëve e kristian-demokratëve. Ndërkohë që, IDU është elita e vërtetë e partive të djathta në botë, ku 29 parti të IDU-së janë aktualisht në pushtet.

Dhe mbi të gjitha PD nuk ka qënë kurrë pjesë e partive apo grupimeve kristian-demokrate në Evropë apo në botë! Asnjëherë anëtare e këtyre formacioneve politike, duke ngjallur habi se si Berisha, kreu i PD shqiptare është zgjedhur një nga 17 zv.presidentrët e CDI, pa qënë anëtare PD e tij! Këtë habi e shpreh dhe ish kreu i demokristianëve shqiptarë, aktualisht kreu i Aleancës Demokristiane, Zef Bushati, një anëtar i kahershëm i këtij unioni kristian-demokrat, CDI!

“Kjo situatë është po aq qesharake sa edhe tragjike! Partia Demokratike e Shqipërisë paraqitet në Asamblenë e CDI – Christian Democratic International, një organizatë ku Partia Demokristiane Shqiptare është anëtare me të drejta të plota, ndërsa Partia Demokratike nuk ka asnjë lidhje institucionalisht, ideologjikisht apo historikisht. PD i përket grupimit të partive të qendrës së djathtë liberale EDU ( European Democratic Union) , jo atyre demokristiane, ndaj nuk ka legjitimitet moral e politik të përfaqësojë komunitetin demokristian shqiptar, të cilin, bashkë me PS-në, e ka luftuar dhe margjinalizuar sistematikisht.

Shkatërrimi i përfaqësimit politik demokristian. Përçarja e qëllimshme në pesë parti të ndryshme demokristiane. Përjashtimi i tyre i vazhdueshëm nga Parlamenti dhe qeverisja. Presione, nënvlerësim, shpërfillje, një praktikë e ngjashme me atë të regjimit komunist, e vijuar me të njëjtën arrogancë edhe sot. Në këtë fushatë të heshtur kundër demokristianëve shqiptarë kanë kontribuar edhe elementë shovinistë serbë, të cilët historikisht nuk e kanë dashur dhe nuk e duan forcimin e komunitetit katolik në Shqipëri, për arsye gjeopolitike dhe kulturore të njohura, për këtë motiv katoliket i kanë lënë jashtë Kabinetit Qeveritar.

Kjo është një padrejtësi e madhe politike dhe një manipulim i hapur i realitetit. Asnjë parti që ka punuar kundër demokristianëve nuk mund të mendojë e të flasë në emër të tyre”, reagon Bushati, kreu i ADSH në rrjetin social! Duke treguar me pak fjalë se, kreu i PD, Berisha i ka ‘vjedhur’ përfaqësimin demokristianëve shqiptarë në CDI, pa qënë aspak PD anëtare e CDI! Por dhe duke hedhur dyshime se në këtë union futen ‘afrofe’, apo larg qoftë kush heq shpenzimet e mbajtjes në këmbë të unionit, parti apo lëvizje politike! Lekë kanë më bollëk, me sa duket!

Me gjithë këto habere dhe rezerva për pjesëmarrjen e Berishës në këtë asamble të unionit të kristian-demokratëve, që quhet shqiptarisht Internacionalja Kristian-Demokrate, kanë qënë dikur dhe demokristianët e majtë italianë anëtarë, Berisha është tepër entuziast deri në delir! Madje detyrën e zv.presidentit e ka marrë më shumë qejf, pasi ka miratuar dhe rezolutën e radhës kundër vendit të tij, të cilin e quan ‘narko-shtet’, antidemokratik dhe që nuk meriton që të jetë pjesë e BE. Madje kërkon përmes kësaj rezolute që të kushtëzohet anëtarësimi i Shqipërisë në BE, me një kusht të vetëm: Shqipëria meriton anëtarësinë në BE, vetëm nëse Berisha është kryeministër! Si dikur këto rezolutat e kongresit të PPSH me firmën dhe të partive ‘markiste-leniniste’ motra, të kryesuara nga braziliani Zhoao Amazona, ku i vetmi sistem ndriçues në botë ishte komunizmi me forcat e vfeta i Enver Hoxhës! Por rezoluta e Berishës është akoma më kontradiktore, pasi teksa e cilëson Shqipërinë ‘narko-shtet’, poshtë saj firmos nga kreu i CDI, ish presidenti i Kolumbisë! Ironi më vete kjo!

Dhe nëse ndonjë zë i del kundër Berishës, pas rikthimit nga Brazili, turma vërtete e rrudhur rreth tij, i turren duke e akuzuar rëndë! Me argumentin se Berisha është zv.president i CDI tashmë, ka shkelur tokën amerikane, ka miratuar rezoluta, dënuar ‘narkoshtetin’ e Edi Ramës, pikërisht dënim nga një union me president një ish president të Kolumbisë, ‘atdheut’ të kokainës e që nuk ka pasur një marrëdhënie fort të mirë me luftën kundër kësaj të keqeje të përbotshme! E keqe që luftohet nga të gjithë, sidomos nga Amerika, por jo ajo Latine ku ka qënë për vizitë Berisha, por SHBA, ku kreu i PD vazhdon të mos shkelë që prej 4 vitesh dhe ta ketë ‘mollë të ndaluar’!

Megjithëse dhe pas kthimit nga SHBA, sërish askush nuk po e ndjek pas Berishën dhe PD, kjo u pa në protestën e dytë para kryeministrisë, të “Foltore 2’, tepër e vobektë në pjesëmarrje dhe në mesazhe, çka tregon se askujt nuk i ngrihet ‘sentimenti’ për kapërcimin e oqeanit dhe mbërritjes në Amerikën Latine të Berishës apo zgjedhjes së tij një nga 17 zv.presidentët e CDI, kjo nuk e ka penguar kreun e PD dhe mbështetësit e tij të sillen sikur nuk pyesin për qeverinë, Ramën, madje nuk pyesin as për Evropën!

Kjo pa dhe në ankesën e PD në Komisionin Evropian për ‘sjelljen’ e Marta Kos, komisionere për zgjerim e BE dhe ambasadorit të BE në Tiranë Silvio Gonzato! Kreu i Grupit Parlamentar të PD Gazment Bardhi, në emër të opozitës, i ka paraqitur një Notë-Verbale Delegacionit të BE, duke vënë në dijeni edhe Komisionin Europian e Parlamentin Europian, lidhur me deklaratat e Marta Kos për zgjedhjet e 11 Majit. Bardhi thekson se po përcjell qëndrimin e opozitës në lidhje me deklaratën e bërë nga Komisionerja për Zgjerimin, gjatë konferencës për shtyp të 21 nëntorit 2025 në Tiranë, e mbajtur bashkë me kryeministrin Edi Rama. Pasi e pyetur nga media, Kos deklaroi se: “Zgjedhjet ishin të lira dhe të ndershme. Është gjithmonë mirë kur marrim sugjerime për përmirësime, e kjo është një gjë e mirë për Shqipërinë dhe BE”. Një deklaratë kjo e padurueshme për PD dhe Berishën, sidomos e dhënë pikërisht në ditën kur Berisha u zgjodh zv.president i CDI dhe miratoi rezolutën kundër Shqipërisë, me ‘narkoshtet dhe vjedhje votash më 11 maj’, brenda saj!

“Ne shprehim me respekt shqetësimin tonë se ky vlerësim nuk pasqyron realitetin e vërejtur gjatë procesit zgjedhor. Një deklaratë e tillë duket e papërputhshme me gjetjet e OSBE-ODIHR, nuk merr parasysh qëndrimet e shprehura nga Anëtarët e Parlamentit Evropian që shërbyen si vëzhgues të zgjedhjeve në Shqipëri dhe rrezikon të ndikojë besimin e qytetarëve shqiptarë tek institucionet e Bashkimit Evropian”, shkruan Bardhi. I cili rendit rekomandimet e bëra nga ana e OSBE-ODIHR, që për hir të së vërtetës janë pikërisht ato që ka kërkuar vetë mazhoranca dhe Edi rama për të miratuar, duke filluar nga komisionerët apolitikë e përfunduar tek votimi elektronik!

Megjithatë atë, Berisha nuk mbahet më, pas rikthimit nga Amerika e tij përtej oqeanit, Brazili, e sidomos pas zgjedhjes si zv.presidenti i 17-të i CDI, nuk pyet askënd, i sfidon të gjithë, deri dhe Brukselin zyrtar, duke i dhënë ‘direktiva’ teksa i ka kërkuar që të mos vlerësojë Shqipërinë, duke i kërkuar madje që t’i vendosë kushtëzime Shqipërisë për ta anëtarësuar në BE! Duke tentuar të krijojë idenë se këtë e thotë një zv.president i CDI, anipse kristian-demokrat dhe pa lidhje me PD, anipse në Tiranë para kryeministrisë e prisnin deputetët e disa ithtarë, që ishin në kufijtë e 100 vetëve, me plus-minus! Një PD e nënshtruar nga tekat e një plaku, i cili jo vetëm që nuk ka mbështetje, por sipas gjasave do ta marrë me vete në ‘amëshim’ partinë e parë opozitare dhe që i ka dhënë tonin vendit, duke e qeverisur për 13 vite, gjatë këtyre 35 viteve! Por pa mundur të realizojë vetëm një gjë: demokracinë brenda saj dhe çlirimin nga pengmarrja e Berishës! I cili vazhdon të jetë në delirin e radhës! Është zv.president tashmë ai, po gëzon si fëmijë! Nuk pyet madje jo vetëm për BE, por as për SPAK ku është nën hetim për “Partizanin’ dhe sipas gjasave së shpejti, dhe për masakrën e ’21 janarit’! Një zv.president që kapërceu ‘oqeanin’!