Nga Jakin Marena
Shqiptarët janë mësuar me të njëjtin ‘ushqim’ informativ sa herë që organet e hetimit në Shqipëri, duke filluar nga SPAK dhe përfunduar tek këtë ‘çerrat’ e vegjël të prokurorive nëpër rrethe, thërrasin zyrtarë të lartë apo zyrtarë politik për t’u pyetur si person në dijeni apo për t’i shpallur të pandehur për akuza të ndryshme!
Sapo jepet lajmi se ‘x’ zyrtar apo politikan ka kaluar pragun e godinës së organit të akuzës, SPAK është më shumë në sytë e njerëzve, menjëherë me dashje apo pa dashje, të gjithë do të jenë pas pak orësh përballë fluksit të lartë të fashikujve të dosjes së organit të akuzës, që në mënyrë parciale, dhe shpeshherë jashtë kontekstit ‘rrjedhin’ në mënyrë të pandalshme nëpër media apo nëpër portale.
Një ‘telenovelë’ e tillë përfshin që nga dialogjet mes të thirrurve për të dëshmuar apo për t’u pyetur dhe prokurorëve, tek pasazhe të tilla si pauzat, qeshjet, paraqitja fizike në kllapa, e deri tek zbardhja, theksojmë në mënyrë parciale që nxisin rëndom fantazinë tepër të zhvilluar të shqiptarëve në të tilla raste, të bisedave dyshe apo treshe, në shumicën e rasteve të këputura vende vende si ato shiritat e filmave të vjetër që si kalamaj shihnim në kohën e diktaturës, duke dalë jashtë kontekstit dhe duke lënë të hapur mundësinë e interpretimit sipas dëshirës e nevojës.
Për të qënë më të thjeshtë në atë që po themi, ‘rrjedhja’ e informacioneve nga SPAK për dosjet në ngarkim të personave të rëndësishëm, qofshin politikanë apo zyrtarë të lartë janë bërë kaq të zakonshme, sa tashmë na bën përshtypje vetëm fakti se përse disa dosje të rënda në ngarkim të politikanëve të lartë, jo vetëm që nuk ‘rrjedhin’ jashtë dyerve të organit të akuzës, por as nuk ‘pikojnë’ nëpër media, për të na dhënë ndonjë ide se çfarë po ndodh realisht me ecurinë e hetimit të këtyre akuzave të rënda që përmbajnë këto dosje! Pra s’na bën më përshtypje ‘rrjedhja’ e informacionit, jemi mësuar, madje na duket si një standard i arritur me kohë e vakt!
Nuk është thjeshtë një kërshëri e jona për këto dosje të shumta në ngarkim të pak politikanëve shqiptarë, informacionet e të cilave SPAK-u i ka bërë ‘kaps’ dhe nuk lejon të dalin as nga dera e as nga dritarja, anipse në dyert e Prokurorisë së Posaçme janë të njejtët gazetarë ‘investigues’ të cilët ‘investigojnë’ brenda këtij institucioni, duke arritur ‘të fusin në dorë me mund e djersë’, e dinë vetë ata si ia bëjnë për ta paraqitur më pas si një ‘investigim goxha të vështirë’, dosjet e zyrtarëve dhe politikanëve të tjerë shqiptarë, duke i publikuar këto informacione nga ‘A’-ja tek ‘Zh’-ja, sipas dëshirës në mënyrë selektive për të ‘ushqyer’ për ditë të tëra mediat e përmes tyre qytetarët shqiptarë me gjithçka është thënë në dorë të parë në këto dosje hetimi! Pavarësisht se ‘gojët e liga’ thonë se mediat po publikojnë vetëm ato që janë shënuar me ‘lapustil’ me gjyrë të verdhë nga ata që ua kanë dhënë këto dosje, megjithatë nuk mohohet fakti se këto informacione të rrjedhura nga SPAK mbajnë të ngulur shqiptarët, të cilët ‘vdesin’ për telenovela turke e jo më për ‘telenovelat’, me ‘markë’ shqiptare!
Në krye të herës, për të qënë korrektë me veten, me shqiptarët por dhe me të gjithë ata që janë në një mendje me ne për rrjedhjen në mënyrë selektive të informacioneve të dosjeve të hetimit nga zyrat e organit të akuzës, na duhet të nënvizojnë se nëse jemi të informuar për ato që nuk duhet për dosjet e zyrtarëve e politikanëve të mazhorancës në pushtet, të cilat në shumicën e rasteve përmbajnë akuza për korrupsion e shpërdorim detyrë, jemi zhytur në ‘terr informativ’ për disa dosje tepër të rënda, të cilat kanë në të gjitha fletët e tyre, edhe nëse organi i hetimit nuk është marrë fare me to, korrupsionin më të përgjakshëm që ka ndodhur në këtë vend, për të cilin janë marrë jetë njerëzish, janë sakatuar e pjekur të gjallë njerëz! Pa llogaritur humbjet e tjera
E kemi fjalën për dy dosjet e rënda, atë të shpërthimit të punishtes së vdekjes në Gërdec’, sipas akuzave thuhet se ka qënë biznesi i municioneve të djalit të ish kryeministrit të asaj kohe Sali Berisha, ku u vranë 26 njerëz të pafajshëm dhe u plagosën mbi 300 të tjerë dhe ku shpërthimi gati poqi një fshat të tërë, si dhe dosja për vrasjen e 4 demonstruesve të opozitës nga plumbat e Gardës së Republikës më 21 janar 2011, teksa turma po shpërndahej! Nuk po përmendim dosje të tilla abuzimi e korrupsioni, që nga 230 milionë dollarët e Rrugës së Kombit ku zyrtarët e PD në atë kohë e kaluan me raporte mjekësore dhe dhimbje barku procesin deri sa e mbyllën pa fajtor për kalim afatesh, as për aferën CEZ-DIA me një abuzim prej 500 milionë eurosh, as për këto aferat e vogla të “Partizanit’ për të cilat janë nën hetim Berisha dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi! Po përmendim me tamam vetëm korrupsionin e përgjakshëm, atë që ka marrë jetë njerëzish! Madje pa hyrë as në dosjet e tjera të mëparshme të 1997-tës apo 1998-tës.
Dhe nëse për dosjet e zyrtarëve apo të politikanëve të majtë lexojmë deri dhe gjërat më ordinere që rrjedhin jashtë kontekstit në media, fatkeqësisht po ndodh si me pretendimet e trajnerit Silvinjo tek kombëtarja e futbollit që po ankohet se ka vetëm lojtarë të krahut të majtë dhe nuk po gjen dot nga ata që luajnë me të djathtën, për këto dy dosjet që përmenda më sipër, ‘Gërdecin’ dhe ’21 janarin’ nuk dimë asgjë se deri ku kanë arritur hetimet. Janë të zhytura në mister, vetëm thuhet se po hetohet dhe asgjë më tepër! Informacionet janë bllokuar, nuk ‘rrjedhin’ për qamet në media, duke na krijuar atë ndjesinë ndoshta të paqëllimshme dhe të gabuar se këto dosje nuk po hetohen, me këto dosje nuk po punohet dhe as po merren dëshmi nga zyrtarë të ndryshëm që kanë dijeni apo që janë zhytur kokë e këmbë në shkelje të ligjit! Me një fjalë, ‘aktori’ numër një i këtyre dosjeve Sali Berisha nuk e ka kaluar pragun e SPAK për ketë punë! Por nuk duhet të na e marrin për ters organet e hetimit këtë ndjesi që kemi, pasi na kanë ‘mësuar’ vetë keq me këtë rrjedhjen e informacionit nga dosjet e zyrtarëve e politikanëve të majtë, ndërsa këto dosjet e Berishës jo vetëm që s’kanë ‘rrjedhje’, por as nuk ‘pikojnë’ për publikun! Duket sikur dhe vetë ‘investiguesit’, atë ditë e marrin pushim, nuk bëjnë asnjë ‘xhiro’ nga SPAK!
Ditët e fundit në funksion të hetimit të vrasjes së 4 demonstruesve të 21 janarit 2011, e cila është tashmë nën juridiksionin e SPAK pas vendimit të Strasburgut që e riktheu për gjykim duke kërkuar jo vetëm hetimin e dënimin e personave që tërhoqën ‘këmbëzën’ dhe morën katër jetë njerëzish por dhe urdhërdhënësit sipas shkallës së hierarkisë drejtuese, pragun e SPAK e kaloi ish ministri i Brendshëm i asaj kohe dhe ish kryetar i PD, Lulzim Basha. Dëshmoi si person në dijeni, kështu kumtoi të vetmen fjali vetë Luli kur doli nga SPAK! Kaq doli lajmi, asnjë informacion tjetër nuk rrodhi, e tërë informacioni që prej asaj dite është rrotulluar rreth paraqitjes së jashtme fizike të Bashës, flokëve ‘bisht pëllumbi’ të tij! Asgjë për çfarë ka dëshmuar!
Dhe një fjali nga informacioni që dha një nga gazetaret më serioze në këtë vend, që bënte fjalë me dëshminë e Bashës sipas të cilës ai paska thënë se nuk ka dhënë urdhër për të qëlluar mbi turmën e demonstruesve më 21 janar 2011, u vu nën goditje të fortë nga mediat rreth Berishës por dhe nga segmente të caktuara të organit të akuzës për nxjerrje të sekretit hetimor! Megjithëse këtë fjali, Basha e ka deklaruar të paktën në tre nga katër intervistat e fundit në media teksa ka thënë se nuk ka dhënë ai urdhër për të qëlluar mbi protestuesit! Ndoshta është e vërtetë, por ndoshta Basha ka përcjellë ndonjë urdhër atë ditë, sepse në godinën e kryeministrisë më 21 janar 2011 hierarkia e zinxhirit komandues kështu konfigurohej: Fillonte nga kryeministri Berisha, e vazhdonte tek ministri i Brendshëm Basha, tek Komandanti i Gardës dhe komandantët e tjerë, e deri tek ‘këmbëza’. Gardistët, është e sigurtë, nuk qëllojnë kurrë pa urdhër!
Ndonëse urdhëdhënësi gjatë gjithë daljeve publike që pas 21 janarit 2011 ka treguar me zë dhe figurë se kush është, kujtojmë deklaratat mburrëse të Berishës se kishte dhënë urdhër që kush të kalonte gardhin rrethues të kryeministrisë së asaj kohe, jo 3 por dhe 300 të ishin, do të vriteshin në vend! Apo deklarata se kishte urdhëruar 5 snajperë të hypnin në tarracën e kryeministrisë me urdhërin që të qëllonin në kokë kreun e atëhershëm të opozitës Edi Rama, nëse bën dhe një hap brenda gardhit rrethues të kryeministrisë, e zbulon qartë se urdhërdhënësi, sipas fjalëve të tij jo të tonave, ka qënë vetë Sali Berisha. Futuni në ‘google’ dhe i gjeni videot në dorë të parë me këto deklarata. Duket se atëherë nuk ka menduar se do të jetë Strasburgu ai që do të urdhëronte rihetimin e dosjes së 21 janarit, pasi me mendjen e tij Berisha e quante të mbyllur këtë çështje, me dënimin e një gardisti dhe komandantit të Gardës! Por gjërat i dolën jashtë parashikimit, me gjithë ‘ping-pongun’ e SPAK dhe prokurorisë për t’ia lënë njëra tjetrës, dhe jemi ku jemi!
Misteri tashmë ka mbetur tek dëshmia e Bashës në SPAK. Ka dëshmuar ato që ka thënë dhe në zyrat e këtij lloji në SHBA kohë pas kohe ish ministri i Brendshëm, ka rrëfyer se kush ka dhënë urdhërin për të qëlluar mbi turmën më 21 janar 2011, kush i fshiu kamerat e sigurisë, kush e qëlloi me grusht komandantin e Gardës dhe i mori pistoletën, kush u mor me fshirjen e gjurmëve, fshehjen e armëve që qëlluan dhe ndërrimin e shulave, kush i kërcënoi prokurorët dhe si u menaxhua ‘lajmi’ se ‘janë vrarë demonstruesit me njëri tjetrin’, për të arritur deri tek ‘puçi i shtetit’, ‘Horri’ dhe ‘lavirja e Bulevardit’?! Deri më tani informacioni është shtrënguar fort nga ana e prokurorëve, ndryshe nga hapja e dyerve për rrjedhjen e informacioneve të dosjeve në ngarkim të zyrtarëve e politikanëve të PS. Shqiptarët nuk kanë asnjë mundësi për të parë ndonjë ‘telenovelë’ me aktorë Berishën apo zyrtarë e politikanë të djathtë! Duke i zhvleftësuar në këtë rast dhe telenovelat e njëanshme të deritanishme, me të njejtën regji dhe të ‘sakatuara’ që kanë dalë por dhe që vijojnë të dalin orë pas ore.
Për hir të së vërtetës, për të mirën e hetimit dhe ruajtjes së sekretit hetimor, asnjë informacion nuk duhej të rridhte në media, për të shërbyer më pas për këto gjyqet popullore që shqiptarët janë mjeshtra për t’i bërë! Dëmtohet hetimi, e padiskutim që kompromentohet jo vetëm dosja hetimore por dhe vetë puna e organeve të hetimit! Duke ulur besueshmërinë tek organi i akuzës! Qofshim të gabuar! Pasi ne e mbështesim me gjithë forcën drejtësinë e re, punën e SPAK-ut, prokurorisë, Gykatës së Posaçme dhe gjykatave të të gjitha shkallëve. I mbështesim pa ekuivok, por duhet ta mbyllin një çikë atë ‘rubinetin’ që të mos ‘rrjedhin’ informacionet! Pasi del më në sipërfaqe hetimi selektiv i dosjeve, dëmtohet hetimi e ulet besimi te qytetarët! Sepse po ndjehet kjo ulje! Rasti i vrasjes së gjyqtarit Kalaja tregoi një realitet tepër të zymtë për pëceptimin e qytetarëve për drejtësinë e re!




















