(Intervistë me Drejtoreshën e Shkollës Shqipe Vatra, Znj. Meri Andrea Kodra.)
Bisedoi: Raimonda MOISIU SADE

Diaspora shqiptare vazhdon përpjekjet për të njehsuar identitetin kombëtar në formë e përmbajtje me barasvlerën e vlerave kombëtare mes gamës së gjerë të kulturave dhe komuniteteve të ndryshme në shoqërinë demokratike amerikane -multikulturore. Me qëllimin e dëshirën e mirë, dhe zellin e spikatur për të kultivuar e ruajtur gjuhën, traditën, kulturën, dhe trashëgiminë ndër breza të vlerave kombëtare dhe historike shqiptare, nisma e Vatra Tampa Bay dhe një grupi intelektualësh jo vetëm me profesionin e mësuesit, por edhe atdhetarë, dhe intelektualë të profileve të ndryshme bënë të mundur Hapjen e Shkollës Shqipe Vatra, në Clearwater Florida, -Diasporë. Komuniteti shqiptaro-amerikan në Floridën e Jugut, shquhen për obligimet qytetare, shpirtërore, dhe njerëzore, me përpjekjet e tyre, intelektuale dhe atdhetare, për të eksploruar shprehitë e vetëdijes kombëtare e historike, që luajnë një rol të pazvendësueshëm, në ruajtjen e identitetit shqiptar në mërgatë, dhe për të mbajtur gjallë frymën e gjuhës shqipe dhe kulturën shqiptare, Për hapjen e shkollës shqipe, grupi nismëtar mori edhe mbështetjen, mirënjohjen dhe respektin jo vetëm të komuniteti shqiptaro- amerikan, Kryesisë së Shoqatës Pan Shqiptare Vatra, respektivisht e Kryetarit Prof. Elmi Berisha, por edhe nga bisnesmenët dhe filantropistët shqiptaro-amerikanë, dhe institucionet demokratike amerikane. Falë njohjes së hershme, por edhe ish-kolege, në të njëjtën shkollë në vendlindjen tonë, Korcën, unë pata nderin të bisedoja me Drejtoreshën e Shkollës Shqipe Vatra, -Znj. Meri Andrea Kodra, – një zonjë e fortë dhe e mençur, që me urtësinë edhe maturinë e një mësonjëse veterane, unike, modeste dhe e përzëmërt, në përgjigjet e pyetjeve, ndau për Gazetën DIELLI dhe audiencën e lexuesve, punën, përkushtimin dhe kontributin e saj dhe të stafit mësimor të Shkollës Shqipe Vatra Tampa Bay, në Clearwater, Florida.

-Zonja Meri, prej disa vite, operon Shkolla Shqipe Vatra, si lindi ideja e ngritjes dhe realizimit të këtij projekti në Clearwater, Florida?

Qëkurse mërgova në Amerikë, besoja në vetvete se bashkë me mua mërgoi edhe Shqipëria, Korca, dhe shpirti shqiptar si pjesë e traditës, kulturës dhe identitetit tonë atdhetar e kombëtar. Dëshira dhe prioriteti im ka qenë, si nënë, e mësonjëse, që fëmijët e mij, të mos harrojnë gjuhën shqipe, me qëllimin e mirë e të vetëdijshëm, të njohin vendin e të parëve dhe të prindërve të tyre, të njohin kulturën shqiptare, historinë, dhe gjeografinë, veglat muzikore dhe këngët tona të bukura, serenatat dhe gurrën e pashtërshme popullore, të njohin shkrimtarët, artistët dhe poetët e shquar të kombit tonë, me dritën e veprave të tyre që lenë pas. Unë jetoj dhe punoj prej më tepër se tre dekadash në SHBA-ës. Për gati një dekadë e gjysëm, së bashku me familjen time, kemi jetuar në qytetin e “Ustër-it” (Worchester) -jo larg Bostonit, që njihet si “zemra e mërgatës shqiptare”, ku ka hedhur rrënjët, emigracioni i hershëm shqiptar, dhe bashkësitë etnike që në shekullin e 19-ë, dhe kanë jetuar dhe zhvilluar veprimtarinë e tyre atdhetare e patriotike,- njerës të shquar të letrave shqipe, që nga eruditi Fan Noli, Konica e shumë të tjerë. Tashmë është mëse e njohur në Amerikë, që Shkollat Shqipe janë hapur ngado ku ka komunitet shqiptar. Edhe kur unë jetoja në “Ustër”, një nga qytetet kryesore e tejet të rëndësishëm, ku jeton e punon një pjesë relativisht e konsiderueshme e komunitetit shqiptaro-amerikan, së bashku me Prof. Lekë Bezhani, një intelektual dhe patriot shqiptaro-amerikan mjaft i njohur, hapëm Shkollën e Parë Shqipe, në “Ustër”.
Pas largimit nga “Uster-i” (Worcester) bashkë me familjen u vendosëm, në Clearwater Florida, ku edhe aty jeton e punon një komunitet modest dhe i rëndësishëm shqiptaro-amerikan, por ajo që më ra në sy, nuk gjeta shkolla shqipe. Duke qenë se vija nga një eksperiencë e mëparëshme, -hapjen e shkollës shqipe në “Ustër, – porse edhe profesioni im, e diplomuar për mësonjëse e Gjuhë-Letërsi, më lindi ideja dhe dëshira ishte e madhe, për të hapur edhe aty një shkollë shqipe.

– Cila ishte pritshmëria e kësaj ideje, mbështetja dhe interesimi i komunitetit shqiptaro- amerikan për Shkollën Shqipe Vatra?

E para që përkrahu idenë e hapjes, së një shkolle Shqipe, ishte ALBANIAN HERITAGE FOUNDATION OF TAMPA BAY
me president Dr, Adrian Kraja. Kështuqë me ndihmën e dhe mbështetjen e këtij Fondacioni, në hapëm Shkollën e Parë Shqipe në Clearwater. Në vitet e mëpasme, Shoqata Vatra TAMPA, me Kryetar Z. Tasim Ruko, një burrë fisnik, i mençur dhe i urtë, më sugjeruan idenë dhe më kërkuan ndihmë për të hapur edhe një tjetër shkollë shqipe. Duke qenë se zanati im është mësonjëse, nuk mundesha ta anashkaloja, jo vetëm se mua më pëlqen të punoj dhe të jap kontributin tim arësimor, por pavarësisht mundësive që ofron dhe shanseve që të jep Amerika, të gjithë përballemi me vështirësitë që hasim në emigracion, pra, kontributi ynë është më tepër angazhim vullnetar ekstra prej punës e obligimive të ndryshme familjare e ekonomike, kështuqë edhe unë iu bashkova idesë duke punuar vullnetarisht për bashkëkombasit e mi, për t’iu mësuar e trashëguar brezave të ardhshëm, gjuhën e bukur shqipe dhe kulturën shqiptare. Në këtë mision historik, për hapjen e Shkollës Shqipe Vatra morëm mbështetjen e pakursyer edhe nga Prof. Elmi Berisha, Kryetarit aktual të Federata Pan Shqiptare e Amerikës VATRA, në bashkërendim me rolin qëndror të Shoqatës Vatra Tampa Bay. Më duhet të sjell në vëmendje rëndësinë e veçantë të komunitetit shqiptar në Tampa Bay, i cili luan një rol të pazëvendësueshëm në ruajtjen dhe përhapjen e vlerave kulturore dhe identitetit shqiptar në diasporë. Gjithashtu mjaft bisnese kanë treguar interesim të vecantë dhe na kanë ndihmuar për nevojat e mjetet mësimore të shkollës, emrat dhe ndihma morale dhe financiare e këtyre bisneseve, dhe atdhetarëve, bëhen të ditura në “Faqen e Shkollës”, dhe numuri i pjesëmarrjes të fëmijëve arrin deri diku te 65-ë, një numur i kënaqëshëm, që tregon interesin dhe mbështetjen e prindërve shumë më pozitive nga sa e kisha imagjinuar unë.

-A mendoni se është e vonuar hapja e kësaj shkolle, apo më mirë vonë se kurrë?

Mendoj se është hapur në kohën e duhur. nuk më duket se jemi të vonuar. Madje jemi në kohë edhe me përcaktimin e semestrave sipas programeve të vitit shkollor, me kriteret për emërimin e mësuesve të shkollës dhe interesat e mësimdhënies që ata përfaqësojnë në suksesin e procesit mësimor, i konceptuar si tërësi komplekse dhe integrale, i përbërë nga një sërë lëndësh të veçanta që ofrojnë njohuri në mësimin e gjuhës shqipe, historisë, kulturës, dhe traditës.

-Cilat janë kriteret për emërimin e mësuesve të shkollës, dhe si e vlerësoni punën tuaj si drejtoreshë dhe të mësuesve të kësaj shkolle?

Eksperienca e mësueses në Shqipëri e në Amerikë është kriteri parësor. Mundësisht të kenë diplomë pedagogjike, të jenë të formuar nga ana qytetare e njerëzore, me dashuri e përkushtim, t’i duan fëmijët dhe vëndin e tyre, të duan e respektojnë gjuhën amëtare shqipe, traditën, zakonet, historinë e kulturën shqiptare. Unë e vlerësoj stafin mësimor, pra mësonjësit janë qytetarë të shkëlqyer, punojnë me dashuri dhe falin dashuri, ata punojnë pa u kursyer dhe në harmoni midis tyre, me fëmijët, me prindërit e me komunitetin. Të gjithë punojnë vullnetarisht, vijnë përherë të pergatitur me planin mësimor, gjithmonë konsultohemi bashkarisht kryesisht rreth njohurive për gjuhën shqipe, por edhe muzikën, vallen popullore, biologji e informatikë, etj. Mendoj se këto lëndë mësimore duhen konsideruar si pjesë e integrimit në kulturën amerikane pa e humbur identitetin shqiptar.

-Na përshkruani një ditë mësimi dhe stafin mësimor…

Kemi Bordin e Shkollës i përbërë nga stafi i mësuesve, prindër, dhe Shoqata Vatra Tampa Bay. Shkollën e drejtojnë administratori i shkollës Z,Tasim Ruko, Sekretari, Prof. Dr. Bledar Prifti dhe Drejtoresha e Shkollës, që jam unë, Meri Andrea Kodra. Puna fillon në orën 1pm. me përgatitjen e klasave dhe kontaktimin e koordinatorëve të shkollës. Mësuesit paraqiten në shkollë dhe marrin direktivat e shpërndahen nëpër klasa për t’i pritur fëmijët. Fëmijët paraqiten dhe pajisen me etiketa me emrat përkatës e më pas shpërndahen nëpër klasa. Procesi mësimor zhvillohet cdo të shtunë, nga ora 2pm-3pm përdorim abetaret dhe monitoret nga 3pm-4pm, secili nxënës ka fletoren e tij/saj, dhe shkruajnë, prej orës 4pm-5pm, tradita shqiptare, si histori e gjeografi, të ilustruara të gjitha këto me pamje e foto, për të njohur atdheun e të parëve të tyre, Shqipërinë, Dhe në fund e mbyllim me vallet e bukura shqiptare nga “Grupi i valleve”që drejtohet nga mësuesja e talentuar dhe e apasionuar Znj. Lida Zaimi. Pjesë e Satfit mësimor është mësuesja e letërsisë Arjana Poloska, që e pasuron orën mësimore me tregime, poezi e vjersha në gjuhën shqipe. Mësueset e gjuhës shqipe operojnë në 4 grupe, sikundër me mësuesen e talentuar Ana Kulla, të gjithë punojnë në ‘TEAM”, bashkarisht, njëri më i mirë se tjetri. Mësuesit e lartpërmendur të shkollës kanë planin mësimor, të cilin e marrin në dorëzim para fillimit të semestrit, dhe në bazë të këtij plani dhe të tekstit që kemi hartuar posaçërisht për fëmijët e diasporës, ata ndërtojnë punën parapërgatitore. Mësuesit zgjedhin mjetet e tyre të punës, e ndër to bën pjesë edhe ditari ditor mësimor. Kemi edhe vullnetarë që vijnë e japin ndihmën e tyre në shkollë, iu qëndrojnë nga afër problemeve dhe punës tonë, po përmend këtu; Almira Derveni, Mimoza Mano, Ilir Sako, Gina Ruko, Eva Keta, avokaten e shkollës Vera Xhafaj, bisnesmenin, Sekretarin e Shoqatës Vatra Tampa Bay, Endri Filipi, Marion, dhe anëtarë të denjë nga Shoqata Vatra Tampa Bay, e plot të tjerë që tregojnë interes e na pyesin se për cfarë kemi nevojë. Kjo tregon se ne po kontribuojmë
mjaft dhe kemi tërhequr vëmmendjen e komunitetit shqiptaro-amerikan.

-Si funksionon trekëndëshi “komunitet-mësues-nxënës” dhe sa ndihmon kjo në zhvillimin e procesit mësimor në këtë shkollë?
Nga numri i nxënësve, që ne e kemi gjetur mbështetjen në komunitetin shqiptar e Clearwater. Ruajtja dhe kultivimi i vlerave dhe identitetit kombëtar shqiptar, nëpërmjet shkollave shqipe në Amerikë, mendoj se duhet konsideruar si pjesë e integrimit në kulturën amerikane pa e humbur identitetin shqiptar. Ne këtë e arrijmë në sajë të aktiviteteve të ndryshme të organizuara nga Vatra Tampa Bay dhe Shkolla Shqipe Vatra, të cilat përfshijnë mësimin e gjuhës shqipe, organizimin e ngjarjeve kulturore dhe festive, si dhe nisma të tjera që forcojnë lidhjet mes anëtarëve të komunitetit dhe trashëgimisë shqiptare. Këto përpjekje synojnë të mbajnë gjallë frymën e kulturës shqiptare, veçanërisht për brezat e rinj që rriten larg atdheut. Ndërsa unë si mësonjëse, nënë, gjyshe dhe qytetare shqiptaro-amerikane u them për rëndësinë e bashkëpunimit komunitar dhe angazhimit të përbashkët për të promovuar traditat, gjuhën dhe historinë shqiptare. I nxit të gjithë anëtarët e komunitetit që të marrin pjesë aktive në këto iniciativa, duke e konsideruar këto si një mjet për të forcuar identitetin shqiptar dhe për të krijuar një lidhje të fortë mes brezave.

– Cfarë dëshironi të shtoni dhe një mesazh për komunitetin shqiptar në Diasporë…

Me emrin e artistit, kantautorit, këngëtarit korçar i serenatës , Mihallaq Andrea, i cili është, edhe vëllai im, -tashmë njihen të gjithë shqiptarët ngadoqë janë, në Shqipëri, Kosovë, kudo në trojet ku jetojnë e punojnë shqiptarë. Prej disa vitesh vëllai im, Artisti Mihallaq Andrea, ka gjetur veten edhe si shkrimtar, dhe deri më tani ka botuar tre libra në gjininë e romanit “Margarita”, “Dorëshkrimi” dhe “Deputeti”, dhe ai sapo ka përfunduar librin e tij të katërt me tregime të titulluar “22 Ëndrra”. Në rrafshin njerëzor, moral, edukativ, dhe atdhetar, Mihallaq Andrea është edhe një nga bashkëpunëtorët e mij, dhe të shkollës, më të mirë si tregimtar dhe shkruan enkas tregime për nxënësit e Shkollës Shqipe Vatra Tampa Bay. Leximi i këtyre tregimeve ka vlera shumë të mëdha edukative, ju krijojnë emocione dhe nxënësi zgjeron njohuritë dhe aftësitë për drejtshqiptimin e drejtshkrimin e gjuhës shqipe. Këtë të shtunë fëmiëve do iu lexojmë tregimin për fëmijë, me titull, “Sorkadhja” i shkruar posacërisht për ta nga Mihallaqi. Dhe dicka tjetër, dëshiroj të shpreh, se Shkolla Shqipe Vatra Tampa Bay, sponsorizohet nga ana materiale dhe financiare, nga Vatra, bisnesmenët shqiptaro-amerikanë Z. Tasim Ruko dhe Z. Isuf Spahija, nga filantropistja mjaft e njohur në Amerikë, dhe Shqipëri, Fotini Kokeri, e cila gjendet përherë pranë shkollës për cdo problem dhe ndihmesë në nevojë.
Mesazhi im për komunitetin shqiptar në Diasporë, kjo intervistë e imja, le të shërbejë si një thirrje për unitet dhe përkushtim ndaj kulturës shqiptare, duke vlerësuar rolin e çdo individi në komunitet për të kontribuar në këtë kauzë të rëndësishme.
Federatës Pan Shqiptare Vatra, respektivisht Kryetarit, Prof. Elmi Berishës, Kryetarit të Degës së Vatra Tampa Bay, Z. Tasim Ruko, Presidentit Z. Isuf Spahija, Zv/Presidenti Z. Endri Filipi, dhe filantropistes dinjitoze, Fotini Kokeri, -që qëndrojnë përherë pranë shkollës, ju shpreh mirënjohjen dhe falënderimet më të përzemërta për punën e tyre të palodhur dhe kontributin e jashtëzakonshëm në forcimin e komunitetit shqiptar dhe promovimin e kulturës shqiptare. Ju uroj shëndet dhe suksese të gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen!
Bisedoi: Raimonda MOISIU –SADE
Florida, Tetor 2025