Juljan Shehu në marsin e këtij viti mori thirrjen e parë për në Kombëtaren A të Shqipërisë. Në moshën 27-vjeçare, mesfushori debutoi me kuqezinjtë në fitoren 3-0 kundër Andorrës, teksa gjatë këtyre muajve ka luajtur shtatë takime si kuqezi. Me të në fushë ekipi nuk humbet, duke regjistruar pesë fitore dhe dy barazime.
Ish-mesfushori i Laçit prej tre vitesh e gjysmë është pjesë e Widzew Lodz në Poloni, duke qenë pika më e fortë e ekipit. Shorti play-off për Kupën e Botës 2026 e vendosi Shqipërinë përballë Polonisë në gjysmëfinale dhe askush më mirë se ai nuk e njeh rivalin.
“Në fazën eliminatore çdo kundërshtar është i fortë. Polonia ka lojtarë vërtet të mirë, por këto janë llojet e ndeshjeve që i ëndërron një futbollist profesionist. Polonia është një ekip shumë i mirë me lojtarë shumë të mirë dhe një trajner të shkëlqyer, të cilin e mbaj mend që nga koha e tij te Gornik Zabrze. Mendoj se detajet e vogla do të vendosin se kush do ta fitojë këtë ndeshje”, tha Shehu për “Goal.pl”.
Për të shanset e fitores për ekipet janë 50 me 50 përqind.
“Të luash në shtëpi është gjithmonë një avantazh. Por ndeshjet eleminatore kanë rregullat e tyre dhe çdo gjë mund të ndodhë. Do të thoja se shanset janë afër një raporti klasik 50 me 50. Të dyja ekipet kanë cilësi dhe janë shumë të motivuara”, theksoi ish-lojtari i Laçit.
Shehu ceku edhe një emër si Lewandowski, që vijon të udhëheqë sulmin e Polonisë.
“Ajo që ai ka bërë për vendin e tij është e pabesueshme. Ne gjithashtu kemi lojtarë vërtet të mirë, me një ndikim të madh si në fushë ashtu edhe jashtë saj”, përfundoi lojtari i Widzew.
Poloni – Shqipëri do luhet më 26 mars në orën 20:45 në Varshavë. Ekipi fitues nga ky duel do përballet në finalen play-off me fituesin e çiftit Ukrainë – Suedi për një vend në finalet e Kupës së Botës 2026 që zhvillohen nga 11 qershori deri më 19 korrikun e verës që vjen në SHBA, Kanada dhe Meksikë.




















