Nga Lorenc Vangjeli

Në një javë të çmendur politike e juridike, ngjarjet që kanë pasuar njëra-tjetrën, kanë rrjedhur më shpejt se logjika dhe kanë tejkaluar edhe fantazinë. Ato ju paraprinë pa paralajmërim anktheve më të errëta të maxhorancës dhe paranojave më të çmendura të opozitës. Hetimi për ballukun dhe Kushtetuesja për Veliajn rrëzojnë spiralen e errët të narrativës që e besojnë njëlloj si armiqtë e shumtë të paditur të kryeministrit, ashtu edhe miqtë e tij të paktë naivë. Sipas këtyre dy ekstremeve, që i bashkon një mit i rremë, Rama kontrollon të gjithë sistemin gjyqësor në Shqipëri.

Goditja e parë ndaj kësaj bindjeje erdhi në ato pak minuta hyrjedalje nga SPAK të zëvendëskryeministres së hekurt Belinda Balluku që morri statusin e të pandehurës në çështjen e tunelit të Llogarasë.

Groposja e dytë ndaj kësaj fantazie erdhi me vendimin e Gjykatës Kushtetuese që riktheu në detyrë Erion Veliajn duke rrëzuar kështu edhe datën e zgjedhjeve në Tiranë.

Vetë Rama, me plotësisht të drejtë, rishpjegon për miqtë e paktë dhe armiqtë e shumtë: “Ja që edhe njëherë u provua se nuk i paskam kapur unë të tëra pushtetet…”.

Këto janë dy lëvizje të sistemit që e kanë vendosur Ramën në pozicionin më të vështirë dhe me shumë pak karta në dorë në lojën idhnake e me shumë aktorë, jo vetëm lokalë, të balancës dhe kontrollit të pushteteve.

Për rastin e parë Rama është nën presionin e precedentit dhe të standartit të vendosur. Ai ka premtuar të zbatojë vendimet e drejtësisë edhe kur ato nuk i pëlqejnë. Ai ka pohuar se punët e qeverisë së tij dhe të drejtësisë janë të ndara. Një hetim i ngjashëm në taktikë ndaj Ballukut, si hetimi ndaj Veliajt, që goditi fillimisht bazën e drejtorëve të institucioneve të varësisë së saj dhe mbërriti deri tek ajo, tashmë ka ndryshuar krejtësisht skenën dhe skemat. Akulli mes shefit dhe zëvendëses së tij është tashmë dukshëm. Distanca e saj me shumicën dërmuese të servilëve të trembur socialistë apo aleatët e “padukshëm” opozitarë, tashmë është bërë humnerë. Karburanti i zgjidhjeve të shpejta dhe praktike, aty ku vartësit e tij të tjerë hezitonin të firmosnin, tashmë ka marrë ujë. Çfarë ishte deri dje dobi, sot është dëm. Nesër ndoshta dhe zahmet. Ndaj të gjithë sot në Tiranë i kanë sytë nga Edi Rama. Çfarë do të bënte sikur ai të ishte prokuror dhe gjykatës i Belinda Ballukut? Çfarë do të bëjë ai si epror i saj në vertikalen qeveritare dhe partiake?

Për momentin vetë Rama nuk ka përgjigje, por ajo që thotë sot për Veliajn, duket si e shkruar nesër edhe për Ballukun: “…disproporcioni i mbajtjes së tij – Veliajt – në qeli nuk është më thjesht në dëm të lirive e të drejtave kushtetuese të personit, po edhe në dëm të së drejtës kushtetuese të popullit të kryeqytetit për t’u shërbyer nga i zgjedhuri i vet…”. Kështu që i pafuqishëm për të ndikuar më për mbarë në fatin e zëvendëses së tij, Rama bën atë që ka në dorë, që është madje, edhe gjëja e duhur. Hetim për Ballukun, por jo në masë sigurie, duket se përkthen në shqipe politike pohimin e tij Rama. Por më pas, si në një reaksion zinxhir, për të shmangur standartin e dukshëm të dyfishtë të mbajtur në raste të ngjashme nga drejtësia, Rama do të duhej të pohonte të njëjtën gjë edhe për emra të tjerë. Edhe për armiq si Meta apo Ahmetaj, për shembull, kryeministri do të duhej të thoshte se ata duhet ta ndjekin në liri hetimin gjyqësor ndaj tyre. Si dhe vetë Berisha. Si dhe mijëra e mijëra shpirtra të tjerë shqiptarësh, që falë një sjelljeje të ngulitur e mentaliteti bolshevik e represiv, janë mishi njerëzor për topat e statistikave të drejtësisë. Madje duhet ta thotë kryesisht për ata, që mitra e përgjakur e sistemit i plas në qeli paraburgimi dhe i rilind si lëndë të parë për krimin.

Për rastin e dytë, atë të Veliajt, beteja në Kushtetuese ishte lajmi i fundit që Rama do të donte të dëgjonte. Sidomos mbas serisë së ngjarjeve penale që kanë kërrusur shpinën e maxhorancës së tij. Sidomos edhe për të bërë një sahat e më parë zgjedhje të reja në kryeqytet. Që do të ishte dhe eliminimi i plotë i Veliajt nga skena. Por shumëkush në Tiranë që shihte tek fati i Veliajt, zgjatimin me mjete juridike të vullnetit politik e njerëzor të kryeministrit, tani ka një arsye për t’u zhgënjyer. Kush mendonte deri dje se Rama kushtëzoi që nga rënia spektakolare e Veliajt, tek arresti i drejtorëve të bashkisë, tek formulimi i akuzave nga SPAK-u për të e familjarë të tij, tek arresti i dyshimtë, çmontimi i miqve të rremë që e braktisën në fatkeqësi e deri tek linçimi i tij publik duke e përdorur SPAK-un si vegël, ka një arsye për ta menduar dhe njëherë ndryshe. Mirë apo keq, ka funksionuar sistemi. Shpjegimet e tjera me dembelizëm mendor, shpjegojnë vetëm pse nuk bëjnë hajër dembelët politikë. Sepse edhe nëse do të ishte ndryshe, vendimi i Kushtetueses, pra funksionimi i sistemit, e zhbëri gjithçka dhe solli po gjithçka në pikën e nisjes. Partia e tij me viagrën e mobilizimit në gojë, u rikthye sërish në bazë me urdhrin e dytë: nuk ka zgjedhje në Tiranë!

Dy “dyshat” e PS-së tashmë shohin një përmbysje të pabesueshme të situatës. Të parë në opinion si motërvëllai armik i njëri-tjetrit, një lidhje gjaku si Kaini me Abelin, Bela e Lali, po provojnë kartat e shkëmbyera të fatit me Ramën si spektator në tryezë. Të dy kanë besuar se Rama kontrollonte gjithçka. Edhe fatin e tyre, edhe gjithë sistemin e drejtësisë. Dhe se mjaftonte dashuria e Njëshit për ta bërë me horoskop të gëzueshëm e pushtet fatin e Dyshit. Mbas kësaj jave të stuhishme politike e juridike që nuk ka mbaruar ende, të dy së bashku e për arsye të ndryshme, ata kanë të drejtë të besojnë më shumë se kushdo tjetër atë që u thotë Rama: “Ja që edhe njëherë u provua se nuk i paskam kapur unë të tëra pushtetet…”. Dhe më shumë akoma, që gjithçka mund të ndodhë, jetojmë në Tironë!/JAVANEWS