Ky është dokumenti i dalë nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi që vërteton përcjelljen e të dhënave sekrete për gjyqtarin e lartë Asim Vokshi, të dhëna këto që i ishin përcjellë nga Autoriteti Kombëtar për Sigurinë e Informacionit të Klasifikuar.

Në këto të dhëna KED e drejtuar nga Sokol Sadushi nuk vlerësoi indicien se gjyqtari që u votua për në Gjykatën Kushtetuese ishte në kushtet e kritereve ndaluese pasi informohet për bashkëpunim ose kontakte me shërbimet inteligjente. Në këtë dokument është vetë KED që pranon të jetë informuar nga njëra anë por nga ana tjetër nuk e vlerëson informacionin e institucioneve

Pas vendimmarrjes nr. 14, datë 17.06.2025 të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, konstatohet se Autoriteti Kombëtar për Sigurinë e Informacionit të Klasifikuar (AKSIK) ka përcjellë pranë Këshillit një shkresë me informacion me përmbajtje të klasifikuar “sekret”, në lidhje me kandidatin (gjatë muajit qershor dhe gusht 2025).

Me qëllim verifikimin e informacionit të mësipërm, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi kreu veprimtarinë hetimore administrative të nevojshme për rastin konkre, si verifikime në rrugë shkresore pranë AKSIK, ILDKPKI-së si dhe bankave të ndryshme të nivelit të dytë duke përfshirë edhe takime të drejtpërdrejta të anëtarëve të caktuar të KED me përfaqësues të institucioneve ligjzbatuese.

Përgjatë hetimit administrativ, Këshilli ka mbajtur mbledhje me dyer të mbyllura, të cilat janë dokumentuar me procesverbalet përkatëse të datave 11 shtator 2025, dhe 16 shtator 2025. KED në datë 16 shtator referuar dokumentacionit të paraqitur ka konkluduar se nuk ndodhemi përpara kushteve të rishikimit të vendimit datë 17 qershor.

Vendimmarrjen e mësipërme, Këshilli e ka bazuar në rezultatet e përfituara nga verifikimet përkatëse, po ashtu edhe në aksesin e kufizuar që AKSIK dhe institucionet ligjzbatuese i kanë ofruar në lidhje me verifikimin e një pjese të informacionit. Këshilli i Emërimeve në Drejtësi vlerëson se ushtrimi i funksionit të tij verifikues kërkon jo vetëm administrimin formal të informacionit, por një akses real dhe të mjaftueshëm në materialet e përcjella nga organet kompetente.

Asim Vokshi, është gjyqtari i Gjykatës së Lartë që kaloi fazën e parë të kandidimit për vakancën në Gjykatën Kushtetuese nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, i përbërë nga 9 pjesëtarë, mes tyre kryetari i tij i gjykatës së Lartë Sokol Sadushi si dhe dy anëtarët e kushtetueses Miriana Semini dhe Ilir Toska, ky i fundit njëri nga anëtarët që e aprovoi gjatë vettingut të KLGJ.

Burime dhe dokumente të brendshme të KED tregojnë se ky institucion ka shkelur procedurat ligjore të verifikimit të integritetit gjatë shqyrtimit të kandidaturës. Gjithashtu mosrespektimi nga KED i detyrimeve të qarta ligjore për verifikimin e integritetit të kandidatëve, shkel jo vetëm ligjin dhe rregulloren e brendshme të KED, por cenon Kushtetutën dhe krijon rrezik për sigurinë kombëtare dhe besueshmërinë e institucioneve të drejtësisë. Gjithashtu e bën të pavlefshëm vendimin e miratimit të kandidaturës së Vokshit me probleme të integritetit.

Por në përpjekje për të mohuar raportimin e Top Channel mbi procesin e përzgjedhjes së gjyqtarit Asim Vokshi, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi publikoi një deklaratë që, në vetvete, konfirmon ekzistencën e informacionit për të cilin Top Channel raportoi.

Në të njëjtin tekst, KED e cilëson informacionin “të pavërtetë” dhe, njëkohësisht, “të klasifikuar”, një kontradiktë që nuk i shpëton askujt. Një e dhënë nuk mund të jetë njëkohësisht e pavërtetë dhe e klasifikuar.

Në vend që të japë shpjegime mbi përmbajtjen e këtij informacioni dhe mënyrën se si është trajtuar nga institucioni, Këshilli ka zgjedhur të akuzojë median dhe të kërkojë verifikimin e burimeve të saj. Një veprim që ngre pyetje serioze për qëllimin e vërtetë të këtij reagimi: mbrojtjen e procesit apo shmangien e transparencës?

Top Channel nuk e sheh këtë reagim si një sqarim institucional, por si përpjekje për të ushtruar presion ndaj medias që ka kryer detyrën e saj, të informojë publikun mbi fakte dhe dokumente zyrtare.

Detyra për të ruajtur sekretin apo konfidencialitetin e dokumenteve nuk i takon medias, por vetë institucioneve që i administrojnë ato.

Dhe nëse Top Channel do të publikojë dokumentet në fjalë, atëherë jo media, por vetë Këshilli i Emërimeve në Drejtësi duhet të hetojë mënyrën se si këto të dhëna janë mbajtur apo trajtuar.

Në këtë rast, përgjegjësia e KED nuk do të kufizohej vetëm tek nxjerrja e sekretit, por edhe tek fshehja e tij ndaj vetë kandidatit për Gjykatën Kushtetuese, Asim Vokshi.

Top Channel i qëndron raportimit të tij, të mbështetur në dokumente dhe burime të verifikuara. Ne nuk jemi këtu për të akuzuar, por për të informuar.

Në fund të fundit, transparenca nuk është rrezik për institucionet; është testi më i mirë për legjitimitetin e tyre./TOP CHANNEL