Nga Roland Lami

Në një vend normal, këshilli bashkiak është institucioni i qytetarëve: debaton, kontrollon, pyet, shqyrton, mbron interesin publik. Në Shqipëri? Shpesh është si një grup këshilltarësh që presin t’u vijë urdhri politik si SMS e operatorit: “Voto PRO. Tani.” Dhe ata… votojnë. Me devotshmëri për ta pasur zili.

Rasti i fundit është i pakonkurrueshëm, këshilli bashkiak voton shkarkimin e kryetarit të bashkisë pa bazë kushtetuese e ligjore sic na e qartësoj më vonë vendimi kundra i Gjykatës Kushtetuese. I njëjti këshill bashkiak ndoshta pasi i ra zilja e telefonit nga e njëjta zyrë politike, kërkon rikthimin e përkohshëm të kryetarit të bashkisë. Një komedi që do ta kishte zili edhe Molière, po të mos ishte kaq dramatike për qytetarët.

Për ata që i referohen Ligjit 139/2015 dhe Kushtetutës, më mirë të mos lodhen. Këto janë thjesht dekor në faqe zyrtare, jo instrument pune. Këshilli ynë ka një manual tjetër funksionimi: “Çfarë tha Partia sot?”

Në teori politike, ky organ duhet të jetë pesha kundërbalancuese ndaj kryetarit të bashkisë. Në praktikë, është si një aparat respiratori politik që ushqehet nga ekzekutivi, nëse ai mbyll oksigjenin, këshilli as merr frymë dot. S’ka debat, s’ka qëndrim, s’ka integritet institucional. Ka vetëm një buton votimi dhe një dëshire për t’u dukur i dobishëm në sytë e partisë.

Erdhi koha ta pranojmë hapur që në Shqipëri, këshilla bashkiakë nuk përfaqësojnë qytetarët, por e përdorin qytetarin si alibi. E gjithë loja drejtohet diku tjetër. Këshilltarët janë thjesht figurantët që shfaqen në skenë, ngrejnë dorën, marrin shpërblimin moral dhe largohe deri në urdhrin e radhës.

Paradoksi është grotesk, një ditë kryetari i bashkisë është “rrezik kombëtar” dhe duhet shkarkuar në çast, ditën tjetër duhet kthyher në detyrë si “administrator i shkëlqyer”. Nëse kjo nuk është komedi politike, atëherë duhet shpikur një zhanër i ri: politiko-absurd i urdhrave ditore.

Problemi nuk është thjesht morali i ulët politik. Problemi është se institucionet po përdoren si kukulla, ndërsa ligji shërben vetëm për citime në deklarata. Autonomia vendore? Një kartolinë turistike. Kontrolli institucional? Një koncept teorik që u mësohet studentëve, por nuk ushtrohet në praktikë.

Qytetarët nuk kanë nevojë për një këshill bashkiak që ngre dorën me telekomandë. Ata kanë nevojë për një institucion që di të thotë “jo” kur ligji shkelet, dhe “po” vetëm kur interesi publik e kërkon. Deri sa kjo të ndodhë, këshilli bashkiak do të mbetet tribunë e urdhrave politikë, jo zë i komunitetit. Dhe ndërsa përfaqësimi i vërtetë zhduket, mbetet vetëm ironia e hidhur, qyteti ka zgjedhur këshillin, por këshilli dëgjon dikë krejt tjetër. Në vend të demokracisë vendore, ku fjalën e fundit nuk e ka ligji, as qytetari, kemi regjisorin politik që qëndron pas perdes me telekomandë në dorë.