Kreu i Këshillit të Lartë Gjyqësor, (KLGJ) Ilir Rusi është paraqitur për seancë dëgjimore në Komisionet Parlamentare për diskutimin e projektbuxhetit për vitin 2026, ku paraqiti kërkesat financiare të sistemit të drejtësisë.
Rusi bëri me dije se KLGJ ka paraqitur kërkesë për një buxhet total prej 9 miliardë lekësh për tre programet buxhetore që mbulon institucioni: Këshillin e Lartë Gjyqësor, Qendrën e Teknologjisë dhe Informacionit dhe gjykatat. Por në projektbuxhetin e paraqitur nga qeveria ka një diferencë me rreth 2 miliardë lekë.
Sipas Rusit, në sistemin e drejtësisë janë të përfshira 1892 pozicione pune, ku pjesa më e madhe e fondit shkon për paga, sigurime shoqërore dhe mallra e shërbime operative, duke lënë shumë pak hapësirë për investime.
Ndër të tjera, kreu i KLGJ flet për rikonstrukturimin e një sërë gjykatash si dhe shpreh kërkesën që i është paraqitur dhe institucioneve përkatëse për sigurimin e një trualli të ri për ndërtimin e Gjykatës së Apelit dhe atë të Shkallës së Parë, në një vend së bashku me prokuroritë përkatëse.
“KLGJ ka 3 programe buxhetore, një për KLGJ, një për Qendrën e Teknologjisë dhe Informacionit dhe një për gjykatat. Kërkesat kanë qenë për një buxhetim prej 9.000.300.000 lekë për të treja këto programe.
Në projekt buxhet është miratuar në vlerën 6.000.800.000 lekë, me diferencë prej 2.000.500.000 lekë që përbën një miratim të tanishëm sipas projektbuxhetit në vlerën e 26% më pak se buxheti i kërkuar nga KLGJ. Buxhetimi për 2026 është 20% më tepër sesa viti i kaluar.
1892 pozicione pune në KLGJ, Qendrën e Teknologjisë dhe Informacionit dhe gjykatat. Buxheti më i madh shkon për paga, sigurime shoqërore, mallra e shërbime të tjera. Vetëm 100 milionë lekë janë për investime. 300 milionë janë destinuar për rikonstruksion në GJL, Gjykatën e Apelit dhe Administrative, Gjykatën e Posaçme të shkallës 1, të Kukësit, Fierit dhe Gjirokastrës.
Kemi menduar për të implementuar për zbatimin e projektit për Gjykatën e Apelit. Në një bashkëpunim me Prokurorin e Përgjithshëm kemi bërë një kërkesë institucioneve për gjetjen e një trualli për të ndërtuar një godinë të përbashkët, Gjykatën e Shkallës së Parë dhe të Apelit të Përgjithshëm së bashku me prokuroritë përkatëse”, tha Rusi.
Nga fondi i parashikuar në projektbuxhetin e shtetit, Rusi thotë se 57 milionë lekë do të shkojnë për investime lidhur me çështjen e sigurisë në gjykata, ndërsa 123 milionë të tjera për përmirësimin e infrastrukturës.
Rusi tha se nevojiten edhe rreth 340 milionë lekë shtesë. Kërkesa u bë duke marrë në konsideratë nevojat e shprehura së fundmi nga gjykatat për rritjen e sigurisë dhe për blerjen e pajisjeve teknologjike, pas vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja në sallën e gjyqit në Apel.
“Kemi parashikuar 57 milionë lekë për sigurinë në gjykata, duke marrë në konsideratë edhe kërkesat e fundit të bëra nga gjykatat për rritjen e sigurisë, për blerjen e pajisjeve teknologjike për të rritur nivelin e sigurisë në Gjykata.
167 milionë lekë për mjetet e teknologjisë për sigurinë në gjykata, detektorë, kamera, skanerë, mjete alarmi.
123 milionë për përmirësimin e infrastrukturës në gjykata, ka gjykata që nëse çon postë detektori, nuk ka ku ta vendosësh, ndaj duhet përmirësim i infrastrukturës lidhet me këtë, 50 milionë lekë të reja për pajisje të reja”, tha ndër të tjera Rusi.




















