Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, prezantoi sot buxhetin e vitit 2026 për institucionin që drejton, duke theksuar se fondet e parashikuara do të përdoren për teknologjinë, dixhitalizimin dhe automatizimin.

“Ky është një buxhet që na lejon të ngremë në një nivel të ri standardet e përgjithshme për qytetarët. Do të mbështesim fuqimisht teknologjinë, dixhitalizimin dhe automatizimin. Do të çojmë përpara projektin transformues të vendosjes së kamerave inteligjente të sigurisë në 20 qytetet më të mëdha të vendit, si dhe pikat strategjike, akset rrugore kryesore dhe shkollat”, tha Koçiu.

Ministrja shtoi se monitorimi automatik jo vetëm do të zbardhë, por edhe do të parandalojë në mënyrë efikase të gjitha llojet e shkeljeve që lidhen me rendin, qetësinë dhe respektimin e rregullave, nga rregullat e qarkullimit deri te rregullat e bashkëjetesës në komunitet.

Buxheti i vitit 2026, sipas Koçiut, përqendrohet gjithashtu në përmirësimin e kushteve për punonjësit e Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës, shërbimit zjarrfikës dhe vetë Ministrisë së Punëve të Brendshme.

“Punonjësit e Policisë së Shtetit, përpos njehsimit të inflacionit, përfitojnë gjithashtu ndryshimin e formulës së vjetërsisë, që jep mundësinë të kemi një rritje të pagës së tyre lidhur me eksperiencën në punë. Për herë të parë, jepet edhe bonusi i ushqimit si pjesë integrale e pagës dhe jo më një kupon”, tha ajo.

Ministrja përmendi se paga e një inspektori të thjeshtë do të rritet nga 80.500 lekë në 100.000 lekë, ndërsa rritje të konsiderueshme do të ketë edhe për nënkomisarët, komisarët, kryekomisarët dhe drejtuesit.

Koçiu theksoi se buxheti do të mbështesë gjithashtu kapacitetet teknike të policisë, duke ofruar pajisje më të avancuara dhe kapacitete më të sofistikuara për efektivët.

“Investimet që ky buxhet mundëson do të shkurtojnë më tej kohën e ndërhyrjes së Policisë së Shtetit, duke rritur fuqinë tonë goditëse si dhe aftësitë tona parandaluese”, shtoi ministrja.

Ndër objektivat specifikë të buxhetit për vitin 2026 janë rritja e sigurisë rrugore përmes patrullimeve të shtuar, reduktimi i kohës së reagimit ndaj krimit, rritja e hetimeve proaktive për krimet e rënda dhe korrupsionin, fuqizimi i kapaciteteve kundër krimit kibernetik, dhe përmirësimi i Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile për të ofruar shërbime dixhitale 24/7 për qytetarët.

“Buxheti i vitit 2026 nuk është vetëm më i madhi në sasinë e vlerës së vendosur në dispozicion, por edhe më i madhi në ambiciet tona. Ai rrit standardet e rendit të sigurisë dhe mbështet listën e detyrave për mbylljen e negociatave brenda 2027-s”, përfundoi Koçiu.