Gjergji Nika që fitoi përballjen në Kolegjin Zgjedhor duke u regjistruar si kandidat në zgjedhjet lokale të 9 nëntorit në bashkinë e Vlorës, shkruan se nuk vjen si kandidat me premtime të mëdha, por me ndershmëri, transparencë, llogaridhënie dhe meritokraci. Nika shkruan se Vlora meriton më shumë se sa premtime boshe.
“Si kandidat për Kryebashkiak të Vlorës, nuk vij me premtime të mëdha, por atë që duhet të jetë themeli i çdo administrate që respekton qytetarët: ndershmëri, transparencë, llogaridhënie dhe meritokraci dhe me një angazhim të qartë:
Ndershmëri në çdo veprim, transparencë në çdo vendim, llogaridhënie për çdo qytetar dhe meritokraci në çdo emërim.
Qeverisja lokale nuk është privilegj, por përgjegjësi. As pushtet mbi qytetin, por shërbim real ndaj njerëzve. Çdo vendim, çdo projekt do të jetë për qytetarët dhe me qytetarët.
Vetëm duke dëgjuar zërin e e pulsin e Vlorës, mund të ndërtojmë një qytet të pastër, të hapur, të jetueshëm, me shanse dhe të drejtë.
Vlora meriton më shumë se premtime.
Vlora meriton një drejtim që punon me integritet, përgjegjësi dhe gjithëpërfshirje.
Vlora ka gjithçka që i duhet: njerëz punëtorë, mendje të zgjuara dhe dashuri për qytetin.
Ajo që mungon është një drejtim që i bashkon të gjitha këto vlera.
Kjo është arsyeja pse kandidoj: për ta kthyer besimin e qytetarëve në forcën më të madhe të Vlorës.” – përfundon Nika.




















