Task Forca e Përbashkët për Migracionin, Britani e Madhe-Shqipëri-Kosovë-Mali i Zi-Maqedoni e Veriut, front operacional i konsoliduar kundër fenomeneve shqetësuese të kohës, lëvizjeve migratore ilegale dhe qarkullimit të aseteve të krimit.

Task Forca, fillimisht produkt i bashkëpunimit Policia e Shtetit-partnerë britanikë, tashmë ka marrë një karakter gjithëpërfshirës rajonal dhe është shndërruar në një model suksesi për t’u ndjekur dhe nga shtetet e Europës.

Sesioni i rradhës në kuadër të Task Forcës, u zhvillua ditën e sotme, në Tiranë, dhe në të morën pjesë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, Zëvendësdrejtoresha e Drejtorisë së Inteligjencës dhe Operacioneve Ndërkombëtare në Ministrinë e Brendshme të Britanisë së Madhe, Vikki Pullen, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Kolonel Gazmend Hoxha, Drejtori në detyrë i Policisë së Malit të Zi, Lazar Ščepanović, Drejtor i Përgjithshëm i Byrosë së Sigurisë Publike të Maqedonisë së Veriut, Aleksandar Janev, si dhe drejtues të lartë të policive rajonale.

Takimi i sotëm, dëshmi e angazhimit serioz dhe të vendosur të policive partnere në rajon dhe agjencive ligjzbatuese në Britani të Madhe, për të luftuar emigracionin e kundërligjshëm, i cili cenon sigurinë publike, krijon terren për paligjshmëri kufitare, si dhe mundëson lëvizjen e kontigjentin kriminal që synon t’i shmanget drejtësisë së shtetit ku ka ardhur pasoja e veprimtarisë së tij dhe qarkullimin ndërkombëtar të aseteve kriminale, përfshirë kriptomonedhat.

Gjatë takimit, u konsoliduan urat ekzistuese të bashkëpunimit, sa i përket shkëmbimit imediat të informacioneve, patrullimeve të përbashkëta në kufijtë e gjelbër, koordinimit të veprimeve operacionale në pikat e kalimit kufitar, intensifikimit të kontrolleve dhe dedektimeve me pajisje teknologjike bashkëkohore, si dhe krijimit të skuadrave të përbashkëta hetimore, veprime të cilat do të rezultojnë me finalizimin e operacioneve policore me impakt rajonal.

Drejtori i Përgjithshëm Ilir Proda, bashkëdrejtues i këtij sesioni, gjatë fjalës së mbajtur në këtë takim, tha ndër të tjera: “Në bashkëpunim me autoritetet britanike, janë realizuar 49 operacione riatdhesimi, duke mundësuar kthimin e 2099 shtetasve shqiptarë me procedura korrekte dhe transparente, realizuar duke pasur në fokus të veçantë respektimin e lirive dhe të drejtave të njeriut. Në vijim, tentativat e kalimit të kanalit drejt Mbretërisë së Bashkuar me gomone janë ulur ndjeshëm, konkretisht nga 12 753 raste në vitin 2022 në 644 raste në vitin 2024. Një rënie drastike, e cila dëshmon ndikimin real që mund të ketë bashkëpunimi i strukturuar.

Shqipëria ka arritur rezultate të rëndësishme, por as Shqipëria, as cilido vend tjetër i rajonit nuk mund të përballet vetëm me këto sfida. Migracioni i parregullt që synon BE-në prek të gjithë Ballkanin Perëndimor. Rrjetet kriminale që shfrytëzojnë qytetarët tanë përfitojnë atje ku gjejnë hapësirë.

Prania juaj sot këtu është më shumë se protokoll, është mundësi reale për të hapur një kapitull të ri bashkëpunimi rajonal. Ne jemi të gatshëm të ndajmë modelet tona operative, të ofrojmë eksperiencën e Task Forcës sonë dhe të ndërtojmë mekanizma të përbashkët për parandalimin, verifikimin dhe goditjen e krimit ndërkufitar.

Qasja jonë është e thjeshtë, më shumë shkëmbim informacioni, verifikime më të shpejta, operacione të sinkronizuara, standarde të unifikuara dhe përdorim i teknologjive moderne.”

Ndërkaq, gjatë takimit, Zëvendësdrejtoresha e Drejtorisë së Inteligjencës dhe Operacioneve Ndërkombëtare në Ministrinë e Brendshme të Britanisë së Madhe, u shpreh: “Ky sesion shërben si një mundësi për të reflektuar mbi sukseset, dhe për të parë se si ka evoluar ky model Task Force dhe mbi mundësitë që na ofron ajo. Përveç rënies së numrit të lëvizjes ilegale me gomone, që evidentoi drejtori, ky model Task Force evoluoi duke u zgjeruar në nivel rajonal dhe duke adresuar dhe kanosje të tjera në fushën e lëvizjes ilegale.”

Në vijim, gjatë takimit, Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha theksoi: “Rezultatet e kësaj Task Force, prej një viti, janë shumë të prekshme dhe të dukshme, duke filluar nga parandalimi i kontrabandimit të emigrantëve, në kufirin mes Shqipërisë dhe Kosovës, konfiskimi i numrit të madh të dokumenteve të falsifikuara që janë gjetur brenda territorit të Republikës së Kosovës. Po ashtu, kontrabandimi i duhanit dhe cigares, në aeroportin e Prishtinës, si dhe raste të tjera të trafikimit të armëve, gjatë të cilave janë shkatërruar grupe kriminale që kanë vepruar në Shqipëri dhe në Kosovë, dhe janë zhvilluar operacione të tjera që ndërlidhen me çështjen e drogës”.

Më tej, Drejtori në detyrë i Policisë së Malit të Zi, u shpreh gjatë fjalës së tij: “Takimi i ditës së sotme ka vlerë strategjike dhe kyçe, duke marrë parasysh që Mali i Zi ka mbajtur statusin e vendit tranzit dhe për këtë arsye është shumë e domosdoshme që të kemi një bashkëpunim ndërsektorial dhe bashkëpunim ndërkombëtar, në mënyrë që të parandalojmë migracionet e paligjshme dhe lëvizjen e strukturave kriminale. Kemi patur bashkëpunim shumë të mirë me kolegët nga Shqipëria, kemi parandaluar një situatë të rrëmbimit të 10 personave. Informacionet na kanë ardhur në kohë reale, na i kanë ofruar kolegët nga Shqipëria. Bashkëpunimi ynë i përbashkët ka qenë në fusha të ndryshme dhe do të vazhdojë të jetë i tillë.”

Drejtor i Byrosë së Sigurisë Publike i RMV-së, tha gjatë këtij takimi: “Ne duhet t’i shmangemi burokracive dhe duhet të gjejmë mënyrat si të kemi një bashkëpunim të mirë dhe vizion të ndërsjellë, për ta bërë këtë rajon më të sigurtë dhe më të qëndrueshëm. Çështjes së emigracionit të kundërligjshëm duhet t’i qasemi nga pikëpamja analitike, që të punojmë së bashku dhe të parandalojmë këtë veprimtari kriminale. Jemi këtu për të ndarë përvoja dhe njohuri, që të minimizojmë këtë aktivitet.”

Task Forca Rajonale për Migracionin do të vijojë punën e koordinuar hetimore dhe operacionale, me objektivat madhorë, goditjen e krimeve kufitare, gjurmimin e aseteve të krimit, si dhe garantimin e sigurisë publike dhe zbatimit të të drejtave të shtetasve të shteteve pjesëmarrëse dhe më gjerë.