Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për Bashkinë e Tiranës nuk mund të ishte ndryshe, në vlerësimin e akademikut Artan Fuga, veçse në respektim të ligjit.
“Po të kishte një vendim tjetër Gjykata Kushtetuese do të ndëshkonte vetveten përpara opinionit publik e para ndonjë gjykate të huaj ku çështja mund të shkonte”, u shpreh akademiku, Artan Fuga.
Pa mbaruar gjykimi ndaj Erion Veliajt në bashkinë e Tiranës nuk do të ketë zgjedhje, e ky proces do të marr kohë deri në mbarimin e mandatit të plotë 4 vjeçar sipas profesorit Fuga, i cili zbërthen kontradiktën mes kryebashkiakut e kryetarit të PS dhe mekanizmin ndërmjetës.
“Fati politik i Veliajt do të varet nga procesi gjyqësor për fajësinë apo pafajësinë e tij. Deri në atë kohë çështja do të mbetet pezull. Tirana do të jetë një arenë ku do të ketë ndikime të ndryshme, nga të dyja palët, por di që strumbullari i vetëm që do mbetet për të zgjidhur këtë konflikt do të jenë këshilltarët bashkiakë socialist”, u shpreh Fuga.
Fuga mendon se të nxituar për zgjedhjet e pjesshme në kryeqytet u treguan jo vetëm organet institucionale, por edhe ato politike.
“Në vorbullën e nxitimit ranë të gjithë institucionet të cilat u përfshinë, edhe grupi parlamentar socialist që ska kompetenca aty, por mund të shpreh mendimi por askush nuk foli. Edhe presidenca me juristët. Por dua të them se edhe opozitarët që duan të bëjnë opozitë duke shkelur Kushtetutën”, u shpreh akademiku.
Bashkimin e votave të demokratëve me socialistët për shkarkimin e Veliajt, e cilëson një gabim të rëndë të PD, që zgjodhi si strategji të përdorej nga PS për të arritur qëllimin në procedurë jo të rregullt ligjore.
“Në hapin e parë opozita deklaroi se vendimi i Gjykatës Kushtetuese ishte një goditje kundër Ramës dhe Begajt, jo ndaj atyre po, por ishte edhe ndaj opozitës. Këtë gjë nuk tha opozita. Këtu ka gabim, nuk bën autokritikë, fajin gjithmonë ua hedh të tjerëve”, thotë Fuga.
Porositë e kryeministrit Edi Rama me deputetët e Tiranës që të jenë gati për zgjedhje në çdo kohë, Artan Fuga i sheh më shumë se në përputhje me situatën reale, si një mobilizim të strukturave për të punuar përtej një emri.
“Unë e shoh në mënyrë metaforike që kërkon të mbajë ndezur tërë atë makinë elektorale dhe për të treguar se vërtetë u mor ai vendim që prapëson Këshillin e Ministrave, por nuk prapëson vullnetin tonë për të zgjidhur problemet”, shprehet ai.
Në analizën e Fugës, kandidatët e shpallur para vendimit të Kushtetueses, janë në rrezik për të qenë të njëjtët në zgjedhjet e 2027.




















