Nga Namir Lapardhaja

Ngjarja e fundit në Fushë-Arrëz, ku dy persona me precedentë penalë, njëkohësisht praktikantë të besimit islam, dyshohet se janë përfshirë në veprime kriminale, nuk mund të trajtohet si episod i izoluar. Vetëm pak kohë më parë një ngjarje e ngjashme në Fier, ku një person i së njëjtës frymë u arrestua duke trafikuar armë dhe municione, njëjtë sikurse rasti i disa muajve më parë në Pogradec, ku pjesëtarë të krimit të organizuar, të ushqyer nga një mendësi sektare, përdornin fenë si mbulesë për veprimtarinë e tyre kriminale.

Përtej përkatësisë fetare, në realitet kemi të bëjmë me kontigjente kriminale që fenë e kanë ‘marrë rrugës’, ndërkohë që në vend që t’i ndryshonte ajo, e kanë përshtatur fenë sipas midesë dhe mendjes së tyre.

Kjo është arsyeja pse këto fenomene nuk mund të trajtohen thjesht si ‘sensacionalizëm mediatik’, si tentativë ‘për të baltosur fenë’ apo si ‘komplote’ të qëllimshme për të tërhequr vëmedjen nga skandalet korruptive të politikës.

Nëse bashkësia islame në Shqipëri (në kuptimin e gjerë të fjalës, jo vetëm Komuniteti Mysliman i Shqipërisë) i sheh këto ngjarje vetëm si problem të përbaltjes së imazhit dhe nuk merr përsipër t’i shpjegojë qartë besimtarëve dhe shoqërisë se çfarë janë këto grupime, ku lindin, në çfarë terreni rriten dhe ku e kanë zanafillën e tyre, atëherë rrezikon që, nesër, të përballet me të njëjtin problem, por të shumëfishuar.

Fatmirësisht, mendësi të tëilla sektare dhe radikale janë një minorancë e papërfillshme në bashkësinë islame të Shqipërisë, ato janë të veçuar dhe nuk kanë përhapje të gjerë, mirëpo ekzistenca e tyre është fakt, jo trillim dhe shpikje. Nuk po përmend këtu raportet ndërkombëtare që flasin për këto rreziqe, mirëpo ekzistenca e tyre është realitet i pamohueshëm, që vjen edhe si rezultat i një getoje sociale dhe botës së gënjeshtërt të internetit, duke mos lejuar qasjen kritike apo alternative brenda bashkësisë së myslimanëve.

Unë mendoj se këto devijanca religjoze duhet të jenë së pari shqetësim i brendshëm i vetë bashkësisë islame, sepse mënyra e kësaj paraqitjeje dhe ekspozimi të fesë nuk bën gjë tjetër vetëm se e përdhos atë, duke e asociuar me dhunën, krimin, gjobëvënien apo, edhe më keq akoma, vrasjen, si të lejuar, gjë që bien ndesh me parimet universale të vet islamit.

Është e qartë se Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, për shkak të problemeve të brendshme të mbartura prej vitesh, nuk e ka autoritetin dhe kontrollin që do të duhej të kishte në të gjithë bashkësinë, por kjo nuk e përjashton përgjegjësinë e tyrë dhe të pjesës tjetër të elitës fetare dhe intelektuale, ku hyjnë teologë, imamë, studiues, aktivistë të jetës publike, shoqata që merren me fenë dhe identitetin islam, që të ndihen të shqetësuar, të zgjohen nga heshtja dhe të flasin pa droje për këto fenomene, pa frikën e keqpërdorimit nga media apo politika. Heshtja nuk i mbron besimtarët, përkundrazi i lë të pambrojtur dhe të paorientuar.

Sociologjikisht, nuk kemi të bëjmë me ‘besimtarë të devotshëm’ që gabojnë nga padituria, por me individë me mendësi ekstremiste dhe rekorde kriminale, me mentalitet getoje, të pakulturuar, të mbyllur ndaj pjesës tjetër të shoqërisë, që bien pre e propagandës ekstremiste që vjen përmes internetit, videove në rrjetet sociale, apo importit të konflikteve sektare nga Lindja e Mesme dhe Gadishulli Arabik. Në të kaluarën, organizata si ISIS arritën të radikalizonin të rinj edhe në zemër të Evropës, pikërisht përmes predikimeve online, duke luajtur me ndjenjën e padrejtësisë ndaj myslimanëve në konfliktet globale, por padrejtësitë ndaj myslimanëve, sado të mëdha nuk mund të përdoren si justifikim për rritjen e ekstremizmit dhe terrorizmit me ngjyrim fetar. Vetë realiteti i ISIS-it e tregon se viktimat më të mëdha të kësaj ideologjie kanë qenë pikërisht myslimanët, si në Siri, Irak e më gjerë, për shkak të mendësisë tekfiriste, të ‘bërjes lanet – qafir’ (rrjedhimisht të lejimit të gjakut, pasurisë dhe nderit) kujtdo që mendon ndryshe.

Siç kanë vënë në dukje edhe studiues të shquar të islamit bashkëkohor, tekfirizmi nuk është thjesht devijim dogmatik, por një strategji e dhunës totale ndaj ‘tjetrit’ në emër të fesë.

Në këtë kontekst, roli i institucioneve shtetërore është vendimtar, mirëpo ato duhet të dinë të orientojnë si duhet shqetësimet e komuniteteve dhe ta ‘kurojnë’ plagën, jo ta lënë të qelbëzohet në heshtje apo të fajësojnë një fe dhe një bashkësi të tërë. Së pari, duke e pranuar se problemi ekziston; së dyti, duke bashkëpunuar ngushtë me vetë bashkësinë islame për parandalim, edukim dhe rehabilitim. Mohimi i realitetit nuk e zgjidh problematikën, vetëm se e përkeqëson. Po ashtu, fajësimi i një feje të tërë apo i një komuniteti të gjerë për devijimet e një pakice jo vetëm që është padrejtësi, por edhe strategji e gabuar: ai i shtyn besimtarët në margjinalizim, në llogore mbrojtjeje, në parjen me dyshim dhe paragjykim ndaj pjesës tjetër të shoqërisë.

Prandaj ky shkrim është edhe një ftesë e drejtpërdrejtë për teologët, studiuesit, imamët dhe për çdo zë të përgjegjshëm brenda komunitetit mysliman që të flasë hapur për këtë çështje, jo me gjuhën e justifikimit dhe të paranojës, por me gjuhën e së drejtës dhe së vërtetës. Sepse, në fund, nuk është vetëm imazhi i fesë në rrezik, siguria e shoqërisë dhe dinjiteti i vetë besimtarëve, të cilët nuk duhet t’u lihen peng grupeve që e përdorin fenë si strehë për krimin, por është edhe një e drejtë që çdo besimtar e ka për detyrë që të përpiqet që t’i shërbejë./TEMA