Nga Alba Malltezi/

Vetëm kur zhurma pushon, shumë prej nesh arrijnë të dëgjojnë. Ndërsa pak prej nesh dëgjojnë edhe kuptojnë edhe në mes të zhurmës. Si Edi Rama, për shembull. I cili ka dhënë fakte se në historinë e tij, që nga student rebel i Akademisë së Arteve, deri sot, si 4 herë rradhazi kryeministër i socialistëve për Shqipërinë, ka dëgjuar dhe ka përthithur nga “baballarët” politikë të Shqipërisë postdiktature, gjë që shpjegon dhe pozitat e tij sot si drejtues i Partisë Socialiste. Në minutat e fundit të videos së përgatitur dhe të shpërndarë prej tij sot në rrjetet sociale, në lamtumirën për liderin historik të socialistëve që u nda nga jeta në ditën e fundit të tetorit, gjendet thelbi dhe esenca politike dhe vizionare që tregon me pak fjalë se cili qe politikani Fatos Nano dhe si është dëgjuar nga pasuesi i tij politik. Në minutat e fundit të kësaj video, gjendet testamenti i Fatos Nanos për Partinë Socialiste dhe për Shqipërinë europianiste. Ja ç’parathonte Nano:

“…Ne kemi ditur dhe kemi mundur të ruajmë traditat më të mira, të përtërijmë vetveten dhe të ndryshojmë Shqipërinë, duke u përballur me sfidat e zhvillimit dhe duke ecur me hapin e kohës. Ta kalojmë stafetën nga etërit te bijtë duke mbajtur në pararojë të shoqërisë shqiptare një forcë shumëbrezash e cila po e europianizon Shqipërinë me energjinë e rinisë dhe me pjekurinë e veteranëve. Le të vazhdojmë reformat për ta ngritur Shqipërinë në standartet e Bashkimit Europian, për zhvillimin ekonomik, për sundimin e ligjit dhe për luftën ndaj korrupsionit. Ky është misioni ynë historik dhe sfida jonë me kohën dhe me vetveten. Askush tjetër nuk mund ta përmbushë këtë mision. Pa arritur këtë pikë të pakthyeshme, gjithçka kemi bërë do të mbetet punë e papërfunduar. Le të vazhdojnë ditët dhe vitet e bardha për Shqipërinë dhe për brezat që vijnë. Rrofshi dhe qëllofshi gjithnjë në shenjë”.

Kur një partie, edhe me një të shkuar diktatoriale si ajo komuniste, i qëllon një lider vizionar, duhet që të ketë shansin t’i qëllojnë dhe nxënës që dëgjojnë fjalën dhe të shohin punën e tij. Dhe për këtë nuk ishte dhe aq nevoja për të qenë ngjitur apo përherë adhurues me Fatos Nanon. Kur çdo gjë ndodh, duhet hequr zhurma dhe kakofonia e krijuar nga “djajtë” që janë aty përherë për të krijuar kaosin për të mos kuptuar. Janë “djajtë” që nuk i kanë munguar Shqipërisë postkomuniste dhe të tranzicionit të gjatë, të cilët kanë këmbëngulur të orientojnë shqiptarët të shohin e të dëgjojnë më shumë veset dhe jo punën. Historia e Edi Ramës, si pasues i Fatos Nanos në Partinë socialiste, është historia e një nxënësi që heq zhurmën dhe kaosin e “djajve” rreth veseve të liderit, për të ruajtur esencën.

Shumë habiten sot për forcimin e Partisë Socialiste dhe grimcëzimin e entiteteve të tjera politike, duke i shkaktuar me vetëasgjësimin e tyre dëmin më të madh jo vetvetevs, por Shqipërisë. Asgjë nuk mund të jetojë vetëm si një trashëgimi biologjike, nëse nuk ruan memorien, vlerat dhe institucionet. Një traditë politike mbijeton vetëm nëse arrin të rinovohet pa u shpërfytyruar, duke ruajtur të gjallë “zemrën morale” e duke u përshtatur me kohën. Fatos Nano nuk u bë kurrë Partia Socialiste; Nano nuk ishte një ekzistencë biologjike në Partinë Socialiste. Ja pse rreth tij po bien si gjethet në këtë vjeshtë zhurmat e ngritura forcërisht rreth veseve, e do të ruhen e kujtohen përherë vlerat liberale e demokratike.