Gazetari Elton Qyno, ka zbuluar detaje të reja nga vrasja e rëndë që ndodhi mesditën e sotme në zonën e aeroportit të Rinasit në Tiranë, ku u ekzekutua me armë zjarri krahu i djathtë i Emiljano Shullazit, Gilmando Dani dhe u plagos rëndë miku i tij, Mustafa Sheqeri (Muçi).
Nga Elton Qyno
Pamjet filmike, të dy trupave në makinë tronditën vendin ndërsa situata hetimore deri në këto momente është e vakët për sa i përket identifikimit dhe lokalizimit të autorëve të krimit të rëndë.
Hetuesit e çështjes kanë provuar se Gilmando Dani dhe Mustafa Sheqeri në datën 7 Nëntor 2025, kanë udhëtuar së bashku me avion nga aeroporti i Rinasit në drejtim të Barcelonës.
Policia kriminale e Tiranës, ka zbuluar agjencinë e udhëtimit ku janë prerë biletat e avionit për Gilmando Danin dhe Mustafa Sheqerin.
Pikërisht kjo agjenci udhëtimi dyshohet se mund të ketë rrjedhur informacionin tek anëtarët e grupeve kriminale për planifikimin e udhëtimit vajtje-ardhje, të cilët më pas janë mobilizuar për të kryer vrasjen pikërisht ditën e sotme.
Gilmando Dani dhe Mustafa Sheqeri kanë qëndruar tre ditë në Spanjë dhe ditën e katërt, të dy së bashku kanë udhëtuar në drejtim të Rinasit në Shqipëri.
Sapo kanë zbritur në terminalin e aeroportit dhe kanë kryer verifikimin e pasaportave dhe më pas tërhoqën bagazhet, Muçi dhe Gilmando, janë drejtuar tek parkimi i aeroportit, ku kishin lënë makinën tip Benz-Mercedez ngjyrë e bardhë në pronësi të Ervis Kosovës.
Teksa kanë marrë makinën, Mustafa Sheqeri ka hipur në timon ndërsa Gilmando Dani në vendin e parë të pasagjerit. Ata sapo kanë dalë në rreth-rrotullimin e Rinasit, janë sulmuar me armë zjarri automatike nga një distancë e shkurtër.
Dëshmitarët i kanë thënë policisë se kanë dëgjuar dy herë breshëri automatiku. Makina tip “Toyota” me targa Greke është pozicionuar në rrugë paralelisht me makinën ku qëndronin Gilmando Dani dhe Mustafa Sheqeri, të cilët janë goditur nga një distancë thuajse gjysmë metra.
Gilmando Dani, ka mbetur i vdekur në vend. Ndërsa Mustafa Sheqeri vijon të ketë ende shenja jete dhe aktualisht ndodhet në spitalin e Traumës për kurim.
Një zyrtar i lartë i Policisë, i tha gazetarit Elton Qyno se dy viktimat e këtij atentati nuk ishin të armatosur dhe në momentin e sulmit nuk kanë mundur të bëjnë asnjë reagim për t’ju kundërpërgjigjur.
Sipas zyrtarit atentati mafioz i kryer mesditën e sotme është thuajse i njëjtë me dinamikën e atentatit të datës 13 nëntor 2021 i kryer në zonën e “Astirit” në Tiranë, ku mbeti i vrarë Erigers Mihasi dhe Armand Dumani.
Në të dyja atentatet, autorët e krimit kanë përdorur automjet tip “Toyota” dhe autori që ka hapur zjarr është i pozicionuar nga brenda makinës. Në sulmin me armë të sotëm ndaj Danit besohet se janë përdorur dy armë automatike.
E njëjta skemë në dy atentate të ndryshme dhe në të dyja rastet makina e autorëve të krimit është larguar në drejtim të Fushë-Krujës, aty ku dhe është djegur më pas./Syri.net




















