Kushtet ekstreme të motit kanë goditur me forcë gjithë Greqinë perëndimore, duke lënë pas një panoramë shkatërrimi. Mjaftuan vetëm disa orë reshje intensive që Korfuzi, Thesprotia, Kozani, Kosturi dhe zona të tjera përreth të kthehen në vatra emergjence.

Në shumë fshatra, rrëshqitjet e dherave kanë bllokuar rrugë të tëra, ndërsa drejtuesit e automjeteve janë gjendur të rrethuar nga ujërat që rrjedhin me shpejtësi. Dhjetëra banesa dhe biznese janë përmbytur, duke u mbuluar nga balta, ndërsa fushat e Filatit janë kthyer në liqene. Banorët i përshkruajnë këto orë si “biblike” dhe të panjohura për zonën.

Autoritetet u detyruan të dërgojnë mesazhin e emergjencës 112 në Janinë, Artë, Prevezë dhe Thesproti, duke paralajmëruar për rrezik të shtuar rrëshqitjesh dhe përmbytjesh. Ndërkohë, tre bashki – Zagori, Filiates dhe Ziros – janë shpallur zyrtarisht në gjendje emergjence, me ekipet e rajoneve dhe bashkive që punojnë pandërprerë për të hapur rrugët dhe për të rivendosur qarkullimin.

Në veri të Korfuzit, ndërkohë, dëmet janë të mëdha. Godina të shembura, rrugë të dëmtuara rëndë, fshatra të izoluar dhe ndërprerje të energjisë elektrike për orë të tëra.

Edhe në zonat e Pindos përrenj të rrëmbyeshëm kanë përmytur rrugët dhe tokat bujqësore. Probleme serioze u shënuan edhe në Kastoria, ku një bllok shkëmbor u shkëput dhe bllokoi rrugën periferike të Kalitheas. Ekipet janë në terren për të pastruar rrënojat dhe për të vlerësuar dëmet, ndërsa niveli i ujit të lumit Aliakmona ka nisur të bjerë, duke dhënë pak lehtësim për banorët.

Meteorologët paralajmërojnë se moti mbetet i paqëndrueshëm në ditët në vijim , ndërsa një valë e re përkeqësimi pritet nga e marta.