Me 26 vota pro dhe 54 kundër, u rrëzua kërkesa e opozitës për mocion me debat në Kuvend për gjendjen në Spitalin e Onkologjikut në Tiranës.
Pavarësisht mos realizimit të mocionit, ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala, pati një qëndrim për situatën në Spitalin e Onkologjikut në Tiranës.
Fjala e plotë:
Nuk dua të hyj në debatin e procedurës së Parlametit. Nuk dua të bëj politikë me dhimbjet e pacientëve.
Pak javë më parë kam pranuar një sfidë të madhe. Sfida nuk është vetëm e qeverisë dhe e imja si ministre e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, por mbi të gjitha është sfida ime personale, si mjeke, pasi e kam filluar karrierën time, pikërisht në atë spital onkologjik.
Pikërisht në atë spital, ku këto ditë kam prekur çdo skutë, kam takuar pacientët, familjarët, mjekët, infermierët, sanitarët pa zhurmë dhe pa media. Sfidat ekzistojnë dhe ne jemi duke vepruar.
Vetëm tre ditë më parë Këshilli Administrativ i FSDKSH, ka aprovuar rialokimin e një fondi prej 200 milion lekë, për të adresuar zgjidhjen e nevojave urgjenteve me barna onkologjike në QSUNT.
Gjithashtu, me propozim të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, në projekt buxhetin e vitit 2026, i cili pritet të kalojë në Kuvend pas pak ditësh, vetëm për barnat onkologjike është akorduar buxhet i dedikuar, prej 1 miliard lekësh. Kjo është një risi.
Problemet nuk zgjidhen me retorikë politike, apo duke luajtur me emocionet dhe dhimbjet e pacientëve. Zgjidhen me dedikim punë dhe bashkëpunim.
Angazhimi im ka qenë dhe është i qartë: Çdo pacient që vuan nga sëmundje onkologjikë do të trajtohet me trajtimin e duhur dhe me protokollet bashkëkohore. Ky proces ka nisur dhe nuk ka kthim pas.




















