Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, ka reaguar këtë të enjte, në kuadër të hetimeve që lidhen me Zv. Kryeministren dhe Ministren e Infrastrukturës, Belinda Balluku. Sipas SPAK, janë evidentuar shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera dhe ankande publike lidhur me dy projekte të rëndësishme infrastrukturore: ndërtimin e tunelit të Llogarasë dhe të Unazës së Jashtme në Tiranë.
Në lidhje me ndërtimin e tunelit të Llogarasë, pjesë e seksionit Orikum-Himarë të autostradës SH8, SPAK njofton se Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, kanë paracaktuar fituesin e procedurës, duke krijuar avantazhe të padrejta për operatorët ekonomikë fitues.
Po ashtu, në procedurën për ndërtimin e Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 4, Balluku dhe disa funksionarë të Autoritetit Rrugor Shqiptar akuzohen për të njëjtën sjellje, duke favorizuar një grup operatorësh ekonomikë.
Në vijim të kërkesës së Prokurorisë, Gjykata e Posaçme ka vendosur:
Belinda Balluku: ndalim të daljes jashtë shtetit dhe pezullim nga detyra si Zv.Kryeministre dhe Ministre e Infrastrukturës.
Gentian Gjyli dhe Erald Elezi, arrest shtëpiak.
Ekzekutimi i këtyre masave është bërë më 20 nëntor 2025. Hetimet janë zhvilluar përmes metodave speciale dhe grumbullimit të provave digjitale, ndërsa SPAK vijon hetimet për këtë procedim penal.




















