Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, prezantoi sot në Komisionin për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike projektbuxhetin 2026, me një fond prej rreth 15 miliardë lekësh që synon të forcojë sistemin penitenciar, të përmirësojë kushtet e institucioneve të vuajtjes së dënimit dhe të përshpejtojë proceset e kompensimit të pronarëve.

Sipas ministrit Lamallari, pjesa më e madhe e buxhetit, 9.75 miliardë lekë, do të shkojë për sistemin e burgjeve, me qëllim rritjen e sigurisë, përmirësimin e kushteve të jetesës dhe investime në ndërtesa të reja. “Kemi disa projekte të reja me rikonstruksion dhe ngritje të godinave për burgjet, duke ofruar standarde ndërkombëtare në trajtimin e të dënuarve,” shtoi ai.

Ndër projektet kryesore përfshihet ndërtimi i Institucionit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Kukës, me vlerë 225.3 milionë lekë, që do të lehtësojë ngarkesën e institucioneve ekzistuese dhe do të balancojë shpërndarjen gjeografike. Po ashtu, do të vijojë rikonstruksioni i IEVP Fushë-Krujë, me 100 milionë lekë nga buxheti i shtetit dhe 220 milionë lekë nga Ambasada Britanike dhe grante të tjera. Projekti parashikon rehabilitimin e plotë të infrastrukturës dhe përmirësimin e kushteve të jetesës së të dënuarve.

Një tjetër investim i rëndësishëm është ndërtimi i godinës së parë të Institutit për të Miturit në Konflikt me Ligjin, i cili, siç theksoi ministri Lamallari, “do të jetë një model unik në rajon për trajtimin e specializuar të të miturve.”

Në fushën e mjekësisë ligjore, përmbarimit gjyqësor dhe ndihmës juridike falas, buxheti parashikon fonde për zgjerimin e shërbimeve dhe përmirësimin e aksesit të qytetarëve në drejtësi. Përmes mekanizmit të ndihmës juridike falas, pritet të mbështeten rreth 5 mijë qytetarë gjatë vitit të ardhshëm.

Ndërkohë, 2.83 miliardë lekë janë destinuar për përshpejtimin e zgjidhjes së dosjeve të mbetura në shërbimin e kthimit dhe kompensimit të pronave, me synimin për të mbyllur përfundimisht çështjet e pazgjidhura ndër vite.

Lamallari theksoi se buxheti për vitin 2026 “adreson plotësisht nevojat e Ministrisë së Drejtësisë, duke garantuar efikasitet më të lartë në administrimin e institucioneve dhe shërbime më cilësore për qytetarët.”