Shqipëria në zi për ndarjen nga jeta të Fatos Nanos, ish-kryeministër dhe lider historik i Partisë Socialiste. Që prej orës 08:30 të mëngjesit, dyert e Pallatit të Kongreseve janë hapur për mijëra qytetarë, socialistë, familjarë, e politikanë të majtë e të djathtë që i dhanë lamtumirën e fundit njeriut që la gjurmë të thella në politikën shqiptare të pas viteve ’90. Bashkëshortja e tij, Xhoana Nano, djali Sokoli dhe vajza Edlira të ulur në rreshtin e parë pritën me dhimbjen e madhe personalitetet më të larta të shtetit dhe politikës të cilët nderuan figurën e Nanos.
Pas homazheve publike, nga ora 11:30 nisën homazhet e personaliteteve të larta të shtetit dhe trupit diplomatik. Mes tyre, Kryetari i Kuvendit, kabineti qeveritar, ish-presidentët Alfred Moisiu e Bamir Topi, ish-kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, krerët e besimeve fetare. Në ceremoni morën pjesë edhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, zv.kryeministri Izet Mexhiti dhe kreu i BDI-së, Ali Ahmeti. Kreu i PD, Sali Berisha nuk mori pjesë, ndërsa si përfaqësues të PD dërgoi Flamur Nokën dhe Agron Gjekmarkajn.
Bashkëshortja e tij, Xhoana Nano mbajti fjalim duke vlerësuar rolin e Nanos për Shqipërinë.




















