Deputeti i Partisë Demokratike dhe drejtuesi politik i Vlorës, Bujar Leskaj ka dhënë dorëheqjen nga drejtimi politik në këtë qark.
Përmes një postimi në faqen e vet në Facebook Leskaj shprehet se PD ka nevojë të nisë “një analizë të thellë të brendshme për humbjen e zgjedhjeve”, dhe ristrukturim në çdo qelizë (deri te kryetari).
Leskaj lajmëron se pas 2 vjetësh do të lërë mandatin e deputetit “te kandidati pasardhës në listë, për të inkurajuar deputetët e rinj, nxitur rinovimin dhe për të sjellë një frymë të re të të bërit politik”.
“PD duhet të fillojë një analizë të thellë të brendshme për humbjen e zgjedhjeve, për të kuptuar pse dhe ku gabuam të gjithë ne, drejtuesit politik, drejtuesit e PDSH-së dhe drejtuesit e degëve të saj, kandidatët për deputet dhe çfarë duhet të bëjmë për të konsoliduar besimin tek qytetarët.
Duhet një reflektim i sinqertë dhe një planifikim i qartë për të korrigjuar gabimet e bëra.
Një hap i nevojshëm në këtë drejtim është që deputetët e listave të mbyllura të lënë gjysmën e mandatit për deputetët e listave të hapura/apo deputetët pasardhës. Kjo është një mënyrë për të hapur Partinë Demokratike, ashtu siç ishin principet e Rithemelimit. Personalisht, pas dy vitesh, do të lë mandatin tim të deputetit tek kandidati pasardhës në listë, për të inkurajuar deputetët e rinj, nxitur rinovimin dhe për të sjellë një frymë të re të të bërit politik. Ky është një proces që duhet të ndiqet nga të gjithë deputetët aktual; të cilët më vonë si ish-deputetët duhet të vazhdojnë të kontribuojnë maksimalist si të ishin deputet, me veprimtari. Kjo formulë në optikën time e bën më të shëndetshme Partinë Demokratike, duke e bërë më të fortë, më te hapur dhe më të sigurt për të ardhmen”, shprehet Leskaj.
“…Për të ndërtuar një PD më të fortë, është e domosdoshme që partia të fillojë një proces të thellë riorganizimi, i cili duhet të përfshijë çdo nivel të saj. Kjo do të thotë që të krijohen struktura që mund të adresojnë në mënyrë më efektive nevojat e qytetarëve dhe të angazhojnë forca të reja.
Një pikë tjetër ka të bëjë dhe me rolin e institucionit të Drejtuesit Politik. Ky ndryshim nuk duhet parë si një akt formal, por si një proces i thellë rinovimi, që sjell progres për partinë dhe shoqërinë.
Analiza e zgjedhjeve, mbas denoncimit të farsës zgjedhore dhe raportit të OSBE/ODIHR, duhet të fillojë nga drejtuesit politikë që humbën në zgjedhjet e 11 majit në qarqet e tyre, pavarësisht farsës dhe manipulimit të zgjedhjeve. Këta drejtues duhet ose të japin dorëheqje (personalisht, menjëherë pas zgjedhjeve, në maj 2025, i paraqita Kryetarit të Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berishës dorëheqjen time, si drejtues politik i qarkut Vlorë) dhe/ose të zëvendësohen me të rinj, nga kandidatët e PD-së në listat e hapura që fituan ose morën mbështetje të gjerë nga elektorati”, shprehet më tej deputeti demokrat.
Ky reagim nga Leskaj vjen në një kohë që sot është lajmëruar një mbledhje e kryesisë së PD, ku do të diskutohet përveç punës për zgjedhjet e pjesshme në disa bashki, edhe aksioni i opozitës në vijim, ku nuk përjashtohet as thirrja e një proteste kombëtare.




















