Mesazhet e përfshira në dosjen hetimore të SPAK ndaj zv.kryeministres Belinda Balluku kanë nxjerrë në dritë një zinxhir komunikimesh që shkon përtej kufijve të Shqipërisë, duke përfshirë lobim të nivelit të lartë nga pala turke. Këto komunikime midis Ballukut dhe ish-drejtorit të Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH), Evis Berberi, janë konsideruar nga hetuesit si prova që ilustrojnë ndikimin e drejtpërdrejtë të faktorëve të huaj në tenderin për ndërtimin e tunelit të Llogarasë.

Një pjesë e këtyre mesazheve përmbajnw referenca të qarta për përfshirjen personale të presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, në mbështetje të kompanisë ASL, e cila mori pjesë në garën për ndërtimin e tunelit strategjik që lidh zonën e Dukatit me Himarën.

Në një prej komunikimeve të ardhura nga pala turke, citohet fraza: “Presidenti e njeh, e vlerëson dhe e përdor si referencë”, duke iu referuar kompanisë ASL, në pronësi të biznesmenit Abdulkadir Kart. Ky mesazh, i përcjellë më pas nga ministrja Balluku drejt drejtuesve të ARRSH, shihet nga hetuesit si një element që tregon për ndikimin politik të ushtruar përmes kanaleve diplomatike.

Abdulkadir Kart është një figurë e njohur në qarqet politike dhe të biznesit në Turqi. Ai ka shërbyer si deputet i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP), partia në pushtet e Presidentit Erdogan, për zonën e Rize-s gjatë periudhës 2002–2007. Mediat turke e kanë cilësuar shpesh si “një nga njerëzit më të afërt me Presidentin Erdogan”, duke theksuar marrëdhënien e gjatë mes tyre që ka filluar shumë përpara se Erdogan të bëhej president.

Dyshja kanë qenë fqinj në lagjen Keçiören të Ankarasë, një detaj që shpesh përmendet si simbol i afërsisë së tyre personale. Gjatë viteve të fundit, marrëdhënia është thelluar edhe përmes bashkëpunimeve ekonomike. Kompania ASL İnşaat, e themeluar dhe drejtuar nga Kart, ka përfituar një sërë kontratash publike në Turqi, përfshirë katër projekte madhore nga Bashkia e Stambollit në kohën kur ajo drejtohej nga AKP, me një vlerë të përbashkët që tejkalon 2.4 miliardë lira turke.

Një tjetër fakt domethënës që ilustron afërsinë mes dy familjeve është pjesëmarrja e vetë Presidentit Erdogan si dëshmitar në dasmën e djalit të Abdulkadir Kart, Gökhan Kart, në vitin 2017. Në ceremoninë madhështore ishin të pranishëm gjithashtu ish-kryeministri Binali Yıldırım dhe ish-kryetari i Asamblesë së Madhe Kombëtare, İsmail Kahraman. Ky moment është cituar gjerësisht nga mediat turke si dëshmi e marrëdhënieve të ngushta që Kart gëzon me udhëheqjen e lartë të shtetit turk.

Sipas ekspertëve të marrëdhënieve ndërkombëtare, mesazhet e dërguara nga pala turke nuk përbëjnë domosdoshmërisht elemente të një korrupsioni aktiv, por mund të konsiderohen si një formë lobimi ekonomik, e cila është e pranishme në politikën globale. Në këtë kontekst, përfshirja e Presidentit Erdogan për të mbështetur kompaninë e një biznesmeni të afërt shihet si pjesë e një strategjie të zakonshme shtetërore për promovimin e interesave kombëtare jashtë vendit.

Praktika të ngjashme janë të njohura në shumë vende të zhvilluara. Lobimi shtetëror për kompanitë kombëtare është përdorur në mënyrë të hapur nga liderë të fuqishëm si presidentët amerikanë, kancelarët gjermanë apo presidentët francezë, të cilët në vizitat zyrtare promovojnë bizneset e vendit të tyre si pjesë të diplomacisë ekonomike.
Në rastin e Shqipërisë, një vend me nevojë të lartë për investime të huaja dhe partneritete strategjike, raste të tilla lobimi shihen shpesh si pjesë e marrëdhënieve të ndërsjella me shtete aleate, si Turqia, SHBA apo Italia.