Në Uashington, një shishe parfumi me emrin Trump, linja Victory 45-47, kushton rreth 250 dollarë. Dy shishe njëkohësisht kushtojnë 200 dollarë. Rikthimi triumfator i amerikanëve në Siri, simbolikisht ka “kushtuar” po kaq. Një politikan atipik si presidenti Trump, njeriu që po rishkruan ndryshe arkitekturën e re botërore në më pak se një vit presidencë, bëri atë që dy paraardhësit e tij demokratë, filozofi Obama dhe i urti Biden, nuk mundën ta bëjnë dot më parë. Madje as ai vetë në presidencën e tij të parë. Në “këmbim” të dy shisheve parfum për homologun e tij sirian – deri dje për kokën e tij si terrorist paguheshin disa milion dollarë – ai riktheu SHBA-në në Siri. E riktheu politikisht, ekonomikisht dhe ushtarakisht. Natyrisht që në prapaskenë ka pasur shumëçka tjetër. Si rregull, është më mirë ta demonstrosh sesa ta përdorësh forcën.
Në Tiranë shumëkush i ka mundësitë financiare të blejë parfumin Trump, linja Victory 45-47. Madje edhe për të mbushur dyzina me vaska në dyzina apartamentesh e vilash me luks brutal, brenda e jashtë vendit. Por në Tiranë nuk ka mbërritur ende ky parfum presidencial. Në Tiranë ndjehet kundërmimi i rëndë i frikës. I frikës së ngritur mbi supozimin se çfarë po e nxit SPAK-un të shkojë deri në sfera të paimagjinueshme më parë. Aty ku pak nga të fortët e Tiranës kishin krijuar fluskën e paqes reciproke: S’më ngave, s’të ngas!
Sali Berisha dhe Belinda Balluku veç e veç e të dy bashkë janë dy bastet më të mëdha dhe më të rëndësishme që SPAK-u ka firmosur nën dyshimin mbi fajësinë e tyre. Pyetjet themelore që kanë prishur gjumin dembel të politikës shqiptare kanë të bëjë pikërisht me këtë dilemë të shumëfishtë:
A janë realisht amerikanët frymëzues të vullnetit të SPAK-ut?
A qëndron garancia amerikane mbas shpinës së prokurorëve dhe i nxit ata të veprojnë?
A kanë shterrur mjetet lokale – politika, biznesi i madh, media e krimi i organizuar – për të ndikuar e kufizuar SPAK-un apo faktorë të tjerë kanë hyrë egërsisht në lojë?
A është ky një zhvillim normal i “ndeshjes” mes pushteteve, kontrollit dhe balancës së tyre apo mbas gjithçkaje qëndron një plan amerikan (ndoshta edhe britanik) për të rrënuar një klasë të tërë politike në Shqipëri e për të çmontuar krimin brutal shqiptar?
Këto janë vetëm një seri pyetjesh që e adresojnë lehtësisht përgjigjen tek teoritë konspiracioniste. Por prania e një nukli të FBI-së në SPAK, aktivizimi i DEA-s në Shqipëri, prania e jashtëzakonshme e britanikëve jodiplomatë në vend dhe jo vetëm, shpallja e karteleve të drogës si organizata terroriste nga SHBA, roli gjithmonë e më i dukshëm i krimit të organizuar shqiptar në trafikun ndërkombëtar të drogës dhe shndërrimi i tij në personazh të mediave ndërkombëtare, janë disa arsye të tjera reale që ushqejnë po këto teori.
Amerikanët nuk kanë dashuri. Amerikanët nuk kanë miqësi të përjetshme dhe nuk udhëhiqen nga emocionet. Ata janë pragmatikë e logjikë. Ju shërbejnë çdo herë interesave të tyre. Dhe nën drejtimin e politikanit biznesmen, njeriut që premtoi “Make America Great Again”, kjo gjë është më e qartë se kurrë!
Në Tiranë, një numër mbreslënës politikanësh shqiptarë veshin të njëjtin t-shirt ngjyrë gri me banditët. Me të njëjtin mbishkrim në gjoks: Unë jam budalla! Të dy palët e demonstrojnë pasurinë e vjedhur në një mënyrë fëminore, naive e vanitoze. Pozojnë tek vilat, kullat e resortet e tyre. I lumturohen kontove bankare dhe stilit të çmendur e arrogant të jetës. Prodhojnë çdo herë kompani kërpudha që shumëfishojnë dhe pastrojnë paratë.
“Nëse nuk di të fshehësh, më mirë mos vidh!”, proverbi i vjetër i hajdutëve, nuk i ka mësuar asgjë kësaj kategorie sipërore e shpesh edhe budallaqe në Tiranë. Që gjithashtu kanë kohë që ndajnë të njëjtat fallxhore në Tiranë, Durrës e Kavajë, në Prishtinë, në Shkup tek Çarshia e Vjetër e në Sarajevë, në Sofje e natyrisht edhe në qendrën e ish-perandorisë së vjetër, në Stambollin fantastik në dy anët e Bosforit. Nga ku marrin po të njëjtën përgjigje: Kohë të liga kanë ardhur dhe më e keqja është ende udhës me bastun në dorë! E pa yshtur me parfum në qafë./Javanews




















