Venezuela ka njoftuar nisjen e një “mobilizimi masiv” të personelit ushtarak, armëve dhe pajisjeve, në përgjigje të grumbullimit të anijeve luftarake dhe trupave amerikane në Detin e Karaibeve.
Sipas Ministrit të Mbrojtjes, Vladimir Padrino López, forcat tokësore, ajrore, detare dhe rezervistë do të kryejnë ushtrime deri të mërkurën. Ai e përshkroi këtë vendosje si një përgjigje ndaj “kërcënimit imperialist” që, sipas tij, paraqet përqendrimi i forcave të SHBA-së në rajon. Në stërvitje do të marrin pjesë edhe njësitë e Milicisë Bolivariane – një forcë rezervë e përbërë nga civilë, e krijuar nga ish-presidenti Hugo Chávez dhe e emëruar sipas Simon Bolivarit, revolucionarit që siguroi pavarësinë e shumë vendeve të Amerikës Latine nga Spanja. Padrino López tha se urdhri për mobilizimin vjen drejtpërdrejt nga Presidenti Nicolas Maduro, me qëllim “optimizimin e komandës, kontrollit dhe komunikimeve” si dhe forcimin e mbrojtjes kombëtare.
Ky zhvillim vjen në një moment tensioni të shtuar mes Venezuelës dhe Shteteve të Bashkuara, ndërsa përforcimet ushtarake amerikane në rajon po vazhdojnë. Të martën, Marina Amerikane njoftoi se aeroplanmbajtësja USS Gerald R. Ford – anija luftarake më e madhe e SHBA-së – kishte mbërritur në zonën e operacioneve të Komandës Jugore, që mbulon pjesën më të madhe të Amerikës Latine.
Sipas njoftimeve, Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, kishte urdhëruar zhvendosjen e aeroplanmbajtëses nga Evropa në Karaibe në fund të muajit të kaluar. Grupi goditës që shoqëron Fordin përfshin nëntë skuadrone ajrore, dy shkatërrues me raketa të drejtuara të klasit Arleigh Burke – USS Bainbridge dhe USS Mahan – si dhe anijen komanduese të mbrojtjes ajrore dhe raketore USS Winston S. Churchill, me më shumë se 4,000 marinarë në bord.
Sipas SHBA-ve, ky grumbullim forcash synon luftimin e trafikut të drogës dhe parandalimin e rrjedhës së saj drejt territorit amerikan. Gjatë javëve të fundit, anijet amerikane kanë kryer disa operacione kundër mjeteve të dyshuara për trafik droge.
Megjithatë, Karakasi zyrtar beson se qëllimi real i SHBA-ve është detyrimi i një ndryshimi regjimi. Disa zyrtarë të administratës Trump kanë pranuar privatisht se strategjia e tyre synon rrëzimin e Presidentit Maduro.
Muajin e kaluar, ish-presidenti Donald Trump deklaroi se kishte autorizuar CIA-n të vepronte në Venezuelë, ndërsa më herët kishte sugjeruar mundësinë e ndërhyrjeve të drejtpërdrejta ushtarake – megjithëse më vonë zyrtarët amerikanë theksuan se një veprim i tillë nuk është aktualisht në plan.
Në deklaratën e tij, Padrino López tha se mobilizimi i forcave është pjesë e “Planit 200 të Pavarësisë” të nisur nga Maduro – një strategji civilo-ushtarake që synon aktivizimin e forcave të armatosura konvencionale, së bashku me milicitë dhe policinë, për të mbrojtur vendin.
Ushtria konvencionale e Venezuelës, e njohur si Forcat e Armatosura Kombëtare Bolivariane, numëron rreth 123,000 trupa aktive. Maduro ka pohuar se milicitë vullnetare përbëjnë mbi 8 milionë rezervistë, megjithëse ekspertët kanë vënë në dyshim saktësinë e këtij numri dhe cilësinë e trajnimit të tyre.
Me mbërritjen e aeroplanmbajtëses USS Gerald R. Ford, numri i personelit amerikan në rajon mendohet të ketë arritur në rreth 15,000 trupa.
Një pjesë e konsiderueshme e aseteve detare amerikane ndodhej tashmë në Karaibe para mbërritjes së grupit Ford, përfshirë Grupin Amfib të Gatshëm Iwo Jima dhe Njësinë e 22-të Ekspedicionare Detare, me mbi 4,500 trupa, tre shkatërrues me raketa të drejtuara, një nëndetëse sulmuese, një anije për operacione speciale, një kryqëzor me raketa dhe një avion zbulues P-8 Poseidon.
Në të njëjtën kohë, SHBA-të kanë vendosur dhjetë avionë luftarakë F-35 në Porto Riko, që është shndërruar në një qendër të rëndësishme ushtarake amerikane në Karaibe. Aty janë dislokuar gjithashtu të paktën tre dronë MQ-9 Reaper, sipas imazheve të publikuara nga Reuters në Aguadilla. Mendohet se në ishull ndodhen rreth 5,000 trupa amerikane.
Bombarduesit amerikanë kanë kryer disa misione stërvitore pranë brigjeve të Venezuelës, përfshirë një “demonstrim sulmi” të zhvilluar në fund të tetorit.




















