Sa kushton një pjesë e historisë së automobilizmit dhe sportit në përgjithësi? E sigurt është që duhen më shumë se 15 milion dollarë, pasi nga kjo shifër do të nisë ankandi për makinën McLaren MP4, me të cilën legjenda e Formula 1, Ayrton Senna fitoi garën e parë në Brazil, në pistën e shtëpisë në Interlagos dhe përpara më shumë se 70 mijë tifozëve vendas.
Një garë epike, që shkruajti historinë e Formula 1, për vetë pilotin, skuderinë e tij dhe automobilizmin.

Senna humbi jetën tre vite më pas në një aksidenti tragjik në Imola, por mbetet i pavdekshëm për tifozët e Formula 1.
E tillë është edhe kjo makinë për të gjithë të apasonuarit e këtij sporti.

Njëvendëshja e projektuar nga Neil Oatley, përfaqëson një nga majat teknologjike të Formula 1 në fillim të viteve 90’. Ajo përmban një shasi karboni, një motor Honda V12 me 720 kuaj fuqi me mbi 13,800 xhiro për minutë.

Por magjia qëndron te transmisioni manual me gjashtë marshe. Një kombinim i fuqisë së pastër dhe kontrollit njerëzor.

Me këtë model McLaren fitoi titullin në vitin 1991, I fundit në historinë e Formula 1 me motor V12 dhe transmision manual. Pas sezonit, makina u tërhoq dhe u ruajt në selinë e McLaren në Woking. Ajo u shit te një privat vetëm në vitin 2020, pasi ishte rikondicionuar plotësisht nën mbikëqyrjen e departamentit të Trashëgimisë së skuderisë.

Tani, kjo njëvendëshe do të ndryshojë pronar në ankandin, që pritet të vendosë një shifër rekord sa i përket shitjeve të këtij lloji. Blerësi do të ketë në dorë certifikimin zyrtar të McLaren. Por më shumë se kaq. Do të marrë më shumë sesa një makinë garish. Do të blejë një fragment të historisë sportive. Makinën që i solli lotët një kombi. Një objekt unik i lidhur me kujtimin e njërit prej interpretuesve më të mëdhenj të shpejtësisë. Kushdo që e blen do të blejë një copë përjetësie.