Ish-futbollisti legjendar i Milanit dhe Holandës, Marco van Basten, kritikoi ashpër gjyqtarët për anulimin e golit të katërt të Club Brugge, i cili potencialisht do t’i kishte dhënë atyre tri pikë kundër Barcelonës në Champions League të mërkurën.
Ikona holandeze ‘shpërtheu’ i zemëruar pas ndeshjes, duke pretenduar se skuadra belge “u vodh” dhe duke këmbëngulur se sistemi VAR mori një vendim të gabuar.
“Club Brugge mund të themi se është vjedhur. Goli i 4-3 qëndronte. Askush nuk shkaktoi faull kundrejt Szczesnyt. Ai as që e preku. Vetë Szczesny bëri që ai kontakt të dukej si një faull, por në të vërtetë nuk kishte asgjë”, tha ish-sulmuesi holandez.
Në minutën 90+1′, Romeo Vermant i Club Brugge rikuperoi një top dhe e dërgoi në rrjetë pasi portieri i Barçës, Szczesny, e tepëroi me mbajtjen e sferës në zonë, por për VAR ishte faull. Ndeshja përfundoi 3-3 duke bërë që Brugge mos merrte fitoren në një ndeshje spektakolare.




















