Dy shtetas kinezë kanë rënë në prangat e policisë së Tiranës, pasi akuzohen se mashtronin qytetarët shqiptarë përmes faqeve false të Postës Shqiptare.

Këta shtetas kishin krijuar një faqe interneti identike me atë të Postës Shqiptare, për të mashtruar qytetarët dhe për të mbledhur të dhëna personale e bankare.

Gjatë kontrollit të ushtruar në ambientin ku qëndronin, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 17 telefona, 1 laptop, 12 pasaporta, 11 karta bankare, 7 karta identiteti, 1 patentë dhe shuma parash në valuta të ndryshme.

Njoftimi i policisë:

Finalizohet operacioni policor i koduar “Posta e Rreme”.

Goditet një grup i huaj që mashtronte qytetarët shqiptarë përmes faqeve të falsifikuara të Postës Shqiptare. Vihen në pranga dy shtetas kinezë.

Sekuestrohen 17 telefona, 1 laptop, 12 pasaporta, 11 karta bankare, 7 karta identiteti, 1 patentë dhe shuma parash në valuta të ndryshme.

Drejtoria e Hetimit të Krimit Kibernetik, në bashkëpunim me Drejtorinë Operacionale të Policisë së Shtetit dhe nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, pas njoftimeve të marra nga qytetarë për dërgimin e SMS-ve mashtruese që imitonin faqen zyrtare të Postës Shqiptare, me qëllim përfitimin e të dhënave personale dhe bankare të përdoruesve, finalizoi me sukses operacionin policor të koduar “Posta e Rreme”, me objektiv identifikimin e autorëve dhe dokumentimin e plotë të aktivitetit kriminal.

Si rezultat i veprimeve të thelluara hetimore dhe teknike, u identifikuan dhe u vunë në pranga shtetasit e huaj C. F., 51 vjeç, dhe H. Y., 45 vjeç.

Hetimet kanë treguar se këta shtetas kishin hyrë në territorin e Republikës së Shqipërisë më datë 27 tetor 2025 dhe kishin krijuar një faqe interneti identike me atë të Postës Shqiptare, për të mashtruar qytetarët dhe për të mbledhur të dhëna personale e bankare.

Gjatë kontrollit të ushtruar në ambientin ku qëndronin, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 17 telefona, 1 laptop, 12 pasaporta, 11 karta bankare, 7 karta identiteti, 1 patentë dhe shuma parash në valuta të ndryshme.

Vijon puna hetimore për zbardhjen e plotë të ngjarjes, me qëllim dokumentimin e plotë të aktivitetit kriminal dhe identifikimin e mundshëm të autorëve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprat penale “Mashtrimi kompjuterik”, “Ndërhyrja në të dhëna kompjuterike” dhe “Falsifikimi kompjuterik”.