Kryeministri Edi Rama thotë se mbështet propozimin e komisioneres Marta Kos, sipas së cilës, shtetet që aspirojnë BE, mund të ulen të barabartë në tryezë, edhe pa u anëtarësuar ende.
Në konferencën e përbashkët për shtyp me ambasadorin Silvio Gonzato, Rama tha se kjo në fakt ka qenë ideja e tij, dhe shtoi se BE mund të ndreqë problemet e veta, pa penguar shtetet kandidate.
Rama: Këtë ide e kam hedhur vetë shumë vite përpara, dhe e kam hedhur sa herë më është dhënë mundësia. I qëndroj kësaj ideje. Është ide që i ka rrënjët shumë thellë në historinë e mendimit evropian. Është qasje që u jep të dy atë që duhet, pa i krijuar probleme njëri tjetrin. Ne duam të bëhemi anëtarë të BE, të kemi akses të plotë në ngrehinën e BE, nga pikëpamja e legjislacionit, kapaciteteve, buxheteve. Ata duan të njëjtë gjë, por kanë një frikë, duke qenë 27, ka vështirësi në marrjen e vendimeve. Tani thonë ata, imagjinoni sikur të bëhemi 28, 29, 30, se sa më e vështirë mund të bëhen. Ne si ballkanas, sot jemi më të qetë. Kjo është arsye për të gjetur rrugë të ndërmjetme. Ne kemi bërë propozime konkrete. Kjo mund të bëhet me marrëveshje. E rëndësishme është, ne të mos kemi veton dhe ata të mos tremben nga vetoja jonë. E përshëndes plotësisht këtë ide, nuk më gjen të surprizuar. Në takimin e parë, ia kam thënë komisioneres. Të drejtat tona do jenë të barabarta. Edhe shqetësimi i tyre të mos bëhet problemi ynë. Jemi shumë ok me këtë”, theksoi ai.




















