Opinionisti Arben Meçe, ka komentuar situatën e krijuar pas refuzimit të ish-kryeministrit Sali Berisha për të marrë fletëthirrjen nga SPAK për ngjarjen e 21 Janarit, duke e cilësuar sjelljen “si qesharake”.

Meçe theksoi se situata është kthyer në një lloj “komedie” që vë në siklet jo vetëm qytetarët e zakonshëm dhe juristët, por edhe mbështetësit e vetë Berishës.

“I futur në kuvli urdhëron administratën e tij të mos firmos dhe fshihet. Atë letër do e marrë. SPAK e ka bërë thirrjen serioze,” tha Meçe i ftuar në emisionin “3D” në RTSH.

Opinionisti shpjegoi se ligji e lejon njoftimin e personave edhe me forma alternative, si përmes telefonit, duke theksuar se shmangia është e kotë dhe e pashmangshme. Sipas Meçes, ish-Kryeministri e di shumë mirë se çështja e 21 Janarit është “pika më e errët” e karrierës së tij politike.

Ai sqaroi se Berisha është thirrur si person në dijeni dhe jo si i akuzuar, duke shpjeguar se hetimet e lidhura me vendimin e Gjykatës së Strasburgut fokusohen te veprat penale më të gjera.

“Flitet për një skemë shtetërore që jo vetëm ka prodhuar vrasjet, por është përfshirë edhe në fshirjen dhe fshehjen e provave,” përfundoi Meçe.