Shqipëria hapi sot kapitullin e fundit të negociatave me Brukselin për anëtarësimin në Bashkimin Europian, të gjitha thuajse brenda një viti — një rekord që tregon se, përtej punës së mirë të Shqipërisë, ka një vullnet europian për procesin e anëtarësimit.
Nëse tani për dy vjet mbyllen negociatat për kapitujt, Shqipëria është gati për vendimin politik të Bashkimit Europian për anëtarësim në BE.
Nga ajo që shihet nga shpejtësia me të cilën hapen kapitujt dhe lehtësia me të cilën negociohen ato, i vetmi kapitull që shihet me vigjilencë dhe i vetmi kusht i panegociueshëm mbetet sistemi i drejtësisë dhe bindja që ajo është e pavarur nga qeveria.
Në këtë pikë, gjithë vëmendja është tek bilanci i Reformës në Drejtësi.
Deri tani bilanci i reformës në drejtësi është identifikuar me bilancin e SPAK dhe sidomos me prekjen e niveleve të larta politike prej tij, dhe ngritjen e akuzave të rënda për korrupsion ndaj zyrtarëve të lartë.
Problemi që Bashkimi Europian ka vërejtur në progres-raportin e fundit për SPAK është se, përtej guximit politik për të prekur nivele të larta, ka shumë pak çështje të përfunduara prej tij.
Ky është një konstatim thelbësor, pasi realisht shumë pak nga çështjet e ngritura nga SPAK kanë ecur përpara në gjykim.
Tani që i gjithë ky proces të shkojë përpara dhe që Europa të mbyllë njërin sy për Shqipërinë dhe të na pranojë vetëm për shkak të drejtësisë, duhet të jemi seriozë në Reformën në Drejtësi. Ose duhet të korrigjojmë gabimet e bëra deri tani dhe ta fusim reformën në binarë ligjorë, dhe jo ta lëmë në vullnetet e individëve; ose të pranojmë që do të gënjejmë BE-në se kemi drejtësi, vetëm që të bëhemi anëtarë.
Së pari, nuk duhet ta identifikojmë atë me kauzën, por me dhënien e drejtësisë. Një proces drejtësie është i përfunduar kur në fund ai ka dhënë drejtësi, qoftë duke dënuar dhe mbështetur akuzën, qoftë duke e hedhur poshtë atë.
Nëse pas dy vjetësh ne do të kemi vendime nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut kundër vendimeve të institucioneve të drejtësisë në Shqipëri, natyrisht do të kemi humbur shansin e parë për të qenë “fener ndriçues” me reformën në drejtësi.
Shenjat deri tani nuk janë pozitive. Injorimi i procedurave penale dhe për më tepër mentaliteti linçues i Prokurorisë Speciale mund të përmirësojë statistikat e hetimit, por do të përkeqësojë statistikat e drejtësisë.
Për më tepër, krijimi i një vetë-ndjenje si “pushtet mbi pushtetet” mund ta forcojë këtë kontrast.
Së dyti, ka shumë rëndësi që qeveria të ketë të njëjtin standard për distancën ndaj drejtësisë, si ndaj organeve të akuzës, ashtu edhe ndaj gjykatave. Në fakt, vërehet një qëndrim me dy standarde — më shumë përulësi ndaj SPAK dhe më shumë arrogancë ndaj gjykatave.
Duke qenë se SPAK ka popullaritet të lartë për shkak të kulturës represive që ka, dhe për shkak të pritshmërive për gjyqe popullore, Kryeministri duket se nuk do të identifikohet si kritik i SPAK, edhe pse ai në shumë raste ka tejkaluar të drejtat që ka rreth procedurave të hetimit dhe respektimit të lirive njerëzore.
Por ai nuk ka të njëjtin qëndrim ndaj gjykatave. Vendimet e tyre i komenton madje edhe për figura politike të afërta me të, siç është rasti i Veliajt. Për të disatën herë, ai po i kërkon Gjykatës Kushtetuese ta rikthejë në zyrë, meqë ka vendosur që shkarkimi i tij është i paligjshëm.
Tani, nëse Gjykata vërtet do ta kthejë në zyrë, kjo duket sikur është në lojë me Ramën; ndërkohë që nëse nuk do ta kthejë, duket sikur ajo nuk voton duke pasur parasysh drejtësinë, por kundërshtinë ndaj Kryeministrit. Dhe kjo nuk i bën mirë procesit.
Meqë është e provuar që Kryeministri nuk ka fuqi të ndikojë mbi SPAK, edhe pasi SPAK ka prekur njerëzit më të afërt të tij, madje duke e kthyer në objektiv të punës së tij gjithë “numrin 2” të qeverisë, atëherë është mirë të mos komentojë as gjykatat.
Edhe më keq është gjendja me opozitën. Ndryshe nga qeveria, opozita e ka me SPAK dhe jo me gjykatat. Meqë opozita ka në proces gjyqësor kryetarin e saj, i cili të premten do të paraqitet pas 15 vitesh për të dëshmuar mbi vrasjen e katër qytetarëve në bulevard që ishin protestues kundër tij, të gjitha akuzat që i bëhen SPAK janë politike dhe pa asnjë bazë. E gjithë fabula e opozitës është që SPAK komandohet nga Edi Rama, meqë po hetohet Sali Berisha për 21 Janarin.
Tani me këtë logjikë, i bie që Edi Rama t’i ketë thënë SPAK-ut: “Më arresto pak Saimir Tahirin, Arben Ahmetajn, Erion Veliajn dhe Belinda Ballukun se dua të hyjmë në Evropë,” dhe SPAK ia ka plotësuar dëshirën.
Ky është një budallallëk që nuk e besojnë as vetë, pasi gjithë ditën gëzohen që Veliaj e Balluku tani kanë punë me drejtësinë, dhe në darkë kur u kujtohet Berisha, thonë që SPAK e kontrollon Rama.
Tani, nëse i gjithë shansi i Shqipërisë për të hyrë në BE përqendrohet tek sistemi i drejtësisë, atëherë ose duhet të bëjmë një drejtësi europiane — që duhet të na e certifikojnë vendimet e Gjykatës së Strasburgut — ose do pranojmë një drejtësi qoftë edhe të keqe, por pa ndikim politik. Siç e kemi nisur, do t’i humbasim të dyja. Boll të shikosh debatin mes KED-së dhe të zgjedhurve të tij për Gjykatën Kushtetuese, për të kuptuar se në çfarë niveli kemi zbritur, pasi vëmë në dyshim edhe votat e gjyqtarëve.
E para, Strasburgu me këtë standard akuzash dhe paraburgimesh mund të na rrëzojë shumicën e çështjeve të mbledhura që kanë “entuziazmuar” Europën politike. E dyta, me këtë përfshirje të politikës në debatin për drejtësinë, është e vështirë që shoqëria jonë të bëjë një “sakrificë kombëtare” për ta pranuar këtë si Reformë në Drejtësi.
Mund të biem dakord të gënjejmë Europën që kemi bujqësi, që kemi infrastrukturë rrugore, që kemi arsim apo shëndetësi, dhe ata të mbyllin njërin sy. Por nuk e gënjejmë dot që kemi drejtësi, pasi ajo do të jetë edhe drejtësia e tyre nëse bëhemi anëtarë — dhe do të jenë të parët që do të na e refuzojnë./Tema




















