Zgjedhjet e pjesshme në pesë bashki sot ngjajnë me zgjedhjet e vitit 2019, madje më të këqija se ato. Në 2019, ndërsa opozita i bojkotoi zgjedhjet, arriti t’i mobilizojë socialistët pasi i kërcënoi se nuk do t’i lejonte fizikisht të votonin. Dhe kjo e rriti sado pak nervin e ditës së zgjedhjeve, dhe socialistët shkuan të votojnë masivisht jo se kishte rrezik kandidati i tyre përballë kandidatit të Bindjes Demokratike, por se donin të provonin që nuk u trembeshin kërcënimeve fizike.
Sot socialistët nuk kishin asnjë kërcënim, as fizik, as politik. Kandidatët e tyre ngjanin si kryetarë të emëruar, ndërsa rivalët e tyre ishin fëmijë jetimë, pasi njeriu i tyre, Sali Berisha, i kishte nxjerrë të lypnin ndonjë votë si ata tutorët e lypsave në qytet, me shpresë se në fund do t’ua merrte për vete. Nëse nuk mbledhin gjë, atëherë u ngelet atyre faji.
Kjo i bën këto zgjedhje më të shëmtuara në historinë e pluralizmit për shkak se janë zgjedhje jokonkurruese, jo për shkak të mungesës së lirive politike, por për shkak të mungesës së dëshirës së opozitës për të garuar.
Bojkoti i zgjedhjeve të sotme nga opozita është më i keq se ai i vitit 2019, pasi ai bojkot së paku e kishte një farë burrërie. Kishin sajuar disa arsye dhe ishin të eksituar nga budallallëku i tyre. Sot as arsye nuk kanë guxuar të shpikin. Sot shpikën ca kandidatë të pavarur që të mos u dukej fusha bosh dhe u fshehën pas tyre.
Ky mund të jetë rasti i vetëm në botë ku opozita nuk pranon të garojë në zgjedhje, pasi kjo i prish rehatinë e të qenit në opozitë. Të gjithë janë rregulluar aty diku në një vend, ose deputetë, ose zyrtarë partie, dhe çdo garë tjetër u prish statukuonë. Nuk duan ta humbasin atë. Për një opozitë për të cilën zgjedhjet janë telash, ka mbaruar çdo motiv për të ekzistuar. Partitë politike krijohen vetëm për të garuar në zgjedhje dhe për të ndryshuar pushtetin. Nëse heqin dorë nga ky funksion, nuk kanë pse ekzistojnë më.
Dhe sot Partia Demokratike ka provuar se nuk i nevojitet më Shqipërisë.
Ajo ka lënë rrugëve pesë kandidatë që kanë guxuar të kandidojnë dhe është fshehur, duke lënë rrugëve vullnetin e 300 mijë votuesve të elektoratit shqiptar.
Edhe pse rezultatet ende nuk kanë dalë, nuk ka ndonjë surprizë. Socialistët do të marrin drejtimin e pesë bashkive përsëri, duke qenë më shumë të emëruar se sa të zgjedhur. Votuesit e tyre nuk kanë pasur ndonjë motiv të madh të dalin të votojnë, përveç pjesës partiake, pasi e dinin rezultatin. Kundërshtarët e tyre po ashtu nuk kanë pasur motiv të dalin të votojnë kundër tyre, se nuk kanë pasur kandidatë.
Pra, një palë nuk ka dalë të votojë nga siguria e fitores dhe tjetra nuk ka dalë nga siguria e humbjes, duke i bërë këto zgjedhjet më jokonkurruese të historisë sonë. Ky është po ashtu shembulli më i mirë për të treguar se çfarë do të thotë të qeverisësh pa opozitë në një vend. Në raste të tilla, s’është populli që zgjedh, por pushteti që zgjedh popullin për ta qeverisur.




















