Sali Berisha i kishte hyrë veprimtarisë krijuese për të krijuar një dialog imagjinar mes Ballukut dhe Ramës për tunelin e Llogarasë, për të krijuar “fakte” se përgjegjësitë për sms nuk janë vetëm të Ballukut por edhe e Ramës. Është një prej mijëra fantazive të tij mediokre të shfaqura në rubrikën qytetari digital.
Është interesante se si fantazia i kishte punuar vetëm për tunelin e Llogarasë dhe jo për akuzën e dytë të Ballukut, që lidhet me favorizimin e kompanisë që ka marrë lotin e katërt të unazës së jashtme të Tiranës, në pronësi të “Prestanome”-s së djalit të tij.
https://openprocurement.al/sq/arsh/view/id/230
Djali i tij jeton në vilën e dhuruar prej tij me dy komshi: pronarin e kësaj kompanie dhe Gimin nga krahu tjetër. Gimi nuk është ai Gimi i Ilir Metës në video “për 700 mijë dollarë”, por një biznesmen që tërë jetën i zë prit kryeministrave: herë Fatos Nanos, pastaj Sali Berishës e tani Edi Ramës.
Nëse ka ndonjë gjë që e bën të pafajshme zonjën Balluku në këto dy akuza, është pikërisht fakti se bëhet fjalë për dy tendera, në të cilat ai që mund të quhet “ndikim i paligjshëm” nuk është ndonjë favor për zonjën Balluku por për të tretë. Në rastin në fjalë, siç e thotë edhe vetë një SMS në dosje, “Shtufi ka punë me Gimin”. Gimi dhe pronari i kompanisë që ka marrë tenderin, Shtufi, siç e theksuam, janë mëhalla e Zenit: Gimi majtas, Zeni në mes në vilën e Shtufit dhe Shtufi me vilën tjetër anash. Kjo natyrisht nuk i shmang pasojat ligjore nëse ka, por moralisht zonja Balluku këtu është të paktën më e pastër se Sali Berisha i cili “edhe ka ngrënë bukën(tenderin) edhe përmbys kupën”.
Tani, meqë ky ka fantazinë e duhur të imagjinojë se çfarë ka biseduar Balluku dhe Rama në Kryeministri, le ta shfrenojë dhe fantazinë se çfarë kanë folur për këtë tenderin e Shtufit: pse ajo ka lënë porosi që ta presin në zyrë dhe ta orientojnë kualifikimin tek ai dhe pse askush nuk flet për këtë Gimin. Se ky dhe për mbiemër, ka kanaçet që shet.
Le të mendojë për një moment sikur Rama i ka thënë: “Ç’është ky Shtufi, pse ia keni dhënë këtij?” dhe ajo t’i jetë kthyer sipas stilit Berishës: “Ti më ke thënë jepja këtij të Shkëlzenit, më ka hyrë garant Gimi, u duhen për Kullën tek sheshi Skënderbej…” etj., fantazira alla Sali në këto raste.
Sport i rëndë të merresh me dikë që është në ditë të keqe, e të shfrenosh fantazinë, por guxim i madh kur pështyma që do të hedhësh mbi të të bjerë mbi fytyrën tënde.
https://www.gazetatema.net/editorial/shkelzen-berisha-banon-ne-shtepine-e-ilir-shtufit-pronarit-te-kulles-i401926
Çohu Sali dhe nxirr Shkëlzenin nga vila e Shtufit, ku jeton prej vitesh! Denonco Shtufin si fitues të pandershëm tenderi, dhe distancohu që nuk janë lekë për ty dhe tët bir. Pastaj fantazo për tunelin e Llogarasë. Je i vetmi politikan mercenar në historinë e Shqipërisë që shitesh si opozitar i fortë për të marrë pjesën që mendon se të takon për të qëndruar përjetësisht në opozitë, duke u përfshirë edhe në luftën e klaneve të PS që nuk pushon kurrë.
Unë e kuptoj që qeverisë nuk i kushton gjë të duket e hapur e të jetë apolitike në gara publike, por ti duhet t’u sqarosh demokratëve se Belinda Balluku po rrezikon përballjen me ligjin edhe për lekët e tua.
Kjo natyrisht nuk e bën qeverinë të pastër, por ty të nxin, para atyre që kërkon t’u dukesh i pastër.
Pastaj vazhdo fantazinë për tenderat e tjerë, por në një dosje me 26 faqe dalin tre të PD që marrin tendera, pa llogaritur “Prestanomen”-in e djalit tënd.
Kurrë Shqipëria s’ka pasur një opozitë më mercenare, më të blerë dhe më pa moral se kjo e jotja. Dhe kjo shpjegon pse familja jote e ka biznes të mbajtjes peng të PD./TemA




















