Kryeministri Edi Rama duhet të vendosë nëse do ta bëjë vetë betejën lidhur me atë që konsiderohet tejkalim i kufijve kushtetues nga GJKKO dhe SPAK në rastin e pezullimit të zëvendëskryeministres Belinda Balluku, apo do të ndjekë retorikën e tij të deritanishme për ta lënë drejtësinë të veprojë si pushtet i pavarur.
Kjo e dyta i ka sjellë një sërë përfitimesh politike në raport me procesin e integrimit në Bashkimin Europian, duke rritur autoritetin e SPAK dhe duke mos hapur beteja për shumë nga shkeljet e qarta ligjore që janë ndeshur në këtë proces.
Për burokratët europianë këto janë të parëndësishme, pasi për ta ka rëndësi rezultati politik i SPAK dhe jo kultura ligjore që sundon në Shqipëri. Por për Shqipërinë kanë rëndësi të dyja.
Duke iu qëndruar besnik retorikës së tij se nuk ndërhyn në drejtësi, u arrestua kryetari i Bashkisë së Tiranës në zyrë, pa akuzë ndaj tij, por mbi dyshime për bashkëshorten në një veprimtari të një OJQ-je. Aq i dukshëm ishte motivimi personal i prokurorëve, saqë për çdo përpjekje për të mbrojtur shkeljet që ata bënin ndaj Veliajt, përfshirë edhe fyerjet verbale në sallën e gjyqit, ata i shtonin nga tre akuza në javë, shumica pa bazë ligjore, pa fakte penale dhe pa realitet faktik.
E njëjta gjë u bë me Ilir Beqajn. I përfshirë në akuzë për koncesionin e sterilizimit – një nga koncesionet më të mira të bëra në fushën e shëndetësisë, që ka shpëtuar mijëra jetë – befas, me kërkesë të gjykatës dhe përtej prokurorisë, u kërkua që ai të konsiderohej pjesë e një grupi kriminal bashkë me zëvendësministrin. Ky ishte një hap larg zyrës së kryeministrit, pasi në fakt koncesioni është politikë e qeverisë, jo e Beqajt apo zëvendësministrit.
Tani ka trokitur në dyert e kryeministrisë. Belinda Balluku është pezulluar nga detyra me vendim gjykate dhe i është ndaluar dalja jashtë shtetit pasi konsiderohet e pandehur. Vendimi është i debatueshëm, pasi SPAK ka anashkaluar parlamentin duke vendosur masa sigurie që cenojnë imunitetin, si ndalimi i udhëtimit ose arresti me burg. Këtu ka debat edhe për cënim të rëndë të imunitetit qeveritar, edhe për ndërhyrje të drejtpërdrejtë në pushtetin ekzekutiv
Është pak a shumë ajo që bënë me Veliajn: meqë ai nuk kishte imunitet, e çuan direkt në burg 9 muaj para se të ngrinin akuzën. Dhe më pas, përmes Ulsiut, zbatuan një regjim të posaçëm kriminal për ta linçuar edhe fizikisht – regjim që vazhdon ende pa shumë shpjegime nga qeveria.
I gjithë ky agresion ndaj të drejtave ligjore të të pandehurve politikë – përfshirë Ilir Metën – për arrestimet e tyre të parakohshme, në fakt ka krijuar një pol të ri pushteti në Shqipëri: Republikën e Prokurorëve.
Kryeministri Edi Rama e ka pranuar këtë realitet dhe nuk ka ndërmarrë asnjë nismë ligjore për të frenuar disa fenomene që më shumë se drejtësi janë politikë me drejtësinë. Ky është arrestimi i parakohshëm i zyrtarëve të lartë për korrupsion apo pezullimi nga detyra, siç ndodhi në këtë rast. Me sa duket I shijoi më shumë rmbështetja ndaj Shqipërisë në kancelaritë perëndimore dhe hovi që i dha kjo klimë ritmit të pranimit të Shqipërisë në BE, duke hapur gjithë kapitujtë.
Tani, një betejë e re verbale si ajo që nisi procesin ndaj Veliajt nuk ka kuptim. Kryeministri duhet të ruajë pavarësinë e pushtetit të tij dhe nëse konstaton krizë kushtetuese, duhet t’i drejtohet vetë Gjykatës Kushtetuese në emër të qeverisë. Kjo është një betejë që duhet ta bëjë ai. Nuk ka nevojë për debate televizive apo sulme nëpër gazeta. Ose vepron vetë, ose vazhdon të mbrojë retorikën e deritanishme: drejtësia ka punën e saj, ai ka të vetën.
Një shprehje e Gjykatës Kushtetuese për këtë problem është një gur më shumë në kulturën juridike që duhet të ndërtojmë për të zgjidhur krizën mes institucioneve. Ata duhet të shprehen shpejt dhe me përgjegjësi, si institucion që garanton rendin kushtetues të Republikës.
Deri atëherë, qeveria duhet të zbatojë vendimin e gjykatës dhe ta lërë krizën të përballet në institucione dhe jo në debate publike, për t’i treguar njëri tjetrit kush është më i fortë.
Po të ishte Sali Berisha, do ta kishte zgjidhur për pesë minuta: do ta shpallte grusht shteti, siç në fakt ka shenja, do ta quante Dumanin “horr bulevardesh”, do të ngrinte një komision hetimor dhe do ta shkarkonte.
E njohim atë kohë dhe nuk duhet të kthehet më, edhe pse pati shumë “suksese” me atë metodë.
Tani e vetmja rrugë është beteja ligjore dhe një formulim i qartë nga Gjykata Kushtetuese për këtë krizë – formulim që do të vlejë edhe për të ardhmen.




















