Sali Berisha u përfshi sot në çështjen në gjykim që ka Gjykata Kushtetuese rreth kërkesës së kryeministrit Edi Rama për pezullimin e vendimit të GJKKO për zonjën Balluku. Berisha u shpreh haptazi në anën e SPAK dhe GJKKO duke theksuar se vendimi është i drejtë dhe kompetencë e SPAK, ndërsa ankimimi në Gjykatën Kushtetuese është i paligjshëm.
Është hera e parë që Berisha del publikisht në krah të SPAK dhe GJKKO, dhe kërkon nga Gjykata Kushtetuese të mos prekë vendimin e tyre. Deri më sot ai e ka konsideruar SPAK një SKAP të partisë në pushtet dhe ka pasur një gjuhë denigruese ndaj tij.

Ky ndryshim qëndrimi më shumë sesa një ndryshim kursi për SPAK, është një përpjekje për të ngjyrosur politikisht vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Aktualisht Gjykata Kushtetuese ka 8 anëtarë dhe çdo vendim i vlefshëm duhet së paku në masën 5 me 3.

Duke marrë një qëndrim politik ndaj vendimit të mundshëm, Berisha praktikisht e ka kthyer vendimin e Gjykatës në një betejë politike mes opozitës dhe qeverisë, duke dëmtuar realisht integritetin e vendimit nga anëtarët e Gjykatës Kushtetuese.
Tani në sytë e opinionit publik vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka rrezik të shikohet si një betejë se kush e kontrollon Gjykatën Kushtetuese dhe jo çfarë vendimi do të japë ajo. Nëse vendimi shkon në favor të qeverisë, do të konsiderohet fitore e Edi Ramës, dhe nëse shkon kundër zonjës Balluku do të quhet si dëshmi e kontrollit të Berishës mbi Gjykatën Kushtetuese.

Në një farë mënyre ai e ktheu këtë vendim në një test për të parë anësinë politike të Gjykatës më shumë sesa integritetin profesional të saj.

Çdo rezultat i mundshëm mund t’i shërbejë më pas për të llogaritur betejat e tij juridike, që do të shkojnë edhe në Gjykatë Kushtetuese, por presioni politik mbi Gjykatën e ka ngjyrosur pa të drejtë që tani vendimin e saj – qoftë pro, qoftë kundër zonjës Balluku.

Nëse në rastin e shkarkimit të Veliajt vendimi i Gjykatës shihej si një betejë proceduriale që kishte të bënte me parimet mbi të cilat mbrohet posti i një të zgjedhuri, në rastin konkret kemi të bëjmë me një rast të panjohur më parë në Shqipëri: me të drejtën e supozuar të pushtetit gjyqësor për të ndërhyrë në pushtetin ekzekutiv dhe kompetencat e kryeministrit për emërim dhe shkarkim të anëtarëve të kabinetit të tij.

Dhe nëse në rastin Veliaj vendimi nuk shihej aq shumë si betejë e Gjykatës Kushtetuese kundër Edi Ramës, por si një vendim kundër hallit të tij politik dhe elektoral, në këtë rast vendimi më shumë ndan se me kë është Gjykata, sesa me kë është e drejta.
Për kaq i duhej sot Berishës deklarata e tij për vendimin e pritshëm të Gjykatës Kushtetuese: të shikojë a i ka me vete apo kundër shumicën e Gjykatës./Tema