Sipas raportimeve të fundit, kancelari gjerman Friedrich Merz është bërë një nga udhëheqësit e parë evropianë që telefonoi Donald Trump për të diskutuar detajet e planit të tij të paqes për Ukrainën.
Berlini pohon se tashmë po zhvillohen bisedime në nivel këshilltarësh midis palës gjermane dhe asaj amerikane.
Në të njëjtën kohë, Franca, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar kanë nisur një përpjekje të përshpejtuar për të hartuar një propozim paqeje të përbashkët – që do të vërë theks të fortë në mbrojtjen e interesave të Ukrainës.
Agjencia e lajmeve Reuters raporton se ky plan evropian synon të ofrojë një alternativë kundrejt iniciativave të Shteteve të Bashkuara.
Financial Times ka publikuar të gjithë planin e propozuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Rusia për përfundimin e konfliktit në Ukrainë, një dokument me 28 pika që synon të rregullojë çështjet e sigurisë, territoriale dhe ekonomike.
Plani përfshin garantime për sovranitetin e Ukrainës, kufizime mbi forcat e armatosura, mosanëtarësim në NATO, rindërtimin ekonomik të Ukrainës, integrimin e Rusisë në ekonominë globale, statusin e territoreve të diskutueshme si Krimea, Donbasi dhe Zaporizhzhia, si dhe krijimin e një komiteti humanitar dhe një Këshilli Paqeje për mbikëqyrjen e implementimit.
Dokumenti parashikon gjithashtu amnisti për të gjitha palët, mbrojtje nga konflikti i ardhshëm dhe masa të qarta për ndëshkimin e shkeljeve të marrëveshjes.




















